Wednesday, May 19, 2021

Ahmet Golemi, njeriu që bashkëjetonte me dy pasione: boksin dhe letërsinë


Nga Leonard Veizi
 
Tek ai qëndronin bashkë, sporti për burra të fuqishëm që hanin grushte në ring e nuk binin mbi tapet, po aq dhe letërsia, ku fuqia e trupit nuk “pinte ujë” dhe duhej vetëm forcë e përqendruar truri, fantazi e çmendur dhe kulturë shumëplanëshe ruajtur në memorien afatgjatë.
Ai i kishte të gjitha këto, e si rrallëkush, ishte po aq magjepsës pas një mikrofoni radiofonik dhe si komentator sportiv. Në këtë mënyrë ai ndihej perfekt dhe i realizuar.
Ka njerëz që mendojnë se një boksier, me trup të fortë e gjithë muskuj, e ka të vështirë të jetë po aq dhe një shkrimtar, pak delikat e ndoshta fort i brishtë. Por ky nuk ishte rasti i Ahmet Golemit, i fortë sa për të mundur këdo i dilte përpara dhe elegant si shkrimtar e publicist gjithashtu.
Ahmet Golemi e la këtë botë vetëm 20 ditë përpara se të mbushte 85 vitet e tij. Ishte fort aktiv dhe vetëm një muaj më parë nga një studio televizive rrëfeu plot gjëra të pathëna për jetën e tij. Madje u shpreh se ishte në proces duke shkruar në vazhdimësi e duke hedhur ca kujtime që nuk duhej të shkonin kot.
Ai u lind në Tiranë, në 5 qershorin e vitit 1936. Jetëshkrimi i tij thotë se ishte një nga 5 më të mëdhenjtë e boksit shqiptar. Për më tepër se kaq ai kishte ngritur kupën e kampionit të boksit, duke synuar në vazhdimësi për të qenë dhe një shkrimtar, gazetar e komentator sportiv.
Në karrierën e tij plot lavdi, rreshtohen 9 tituj, pesë prej të cilëve si kampion i vendit dhe katër herë të tjera ka qenë nënkampion i tij. Pra do të duhej vetëm kaq që ky emër ta meritonte panteonin. Për më tepër Ahmet Golemi ishte certifikuar dhe si “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Që prej rinisë së tij për ca e ca ai do të ishte “Kasius Klei shqiptar” e për ca të tjerë cilësohej si “Muhamet Aliu shqiptar”. E kishte nisur sportin te Shtëpia e Pionierit, ku një tjetër legjendë e këtij sporti mjeshtri-trajner Ali Kastrati i pati veshur për herë të parë dorezat e boksit. Në vitin 1951, në Elbasan u shpall kampion kombëtar për të rinjtë, në peshën 48 – 51 kg. Dhe prej këtej emri i tij si kampion i ri do të merrte udhë.
E adhuronte më të madhin e boksit botëror aq sa do të sakrifikonte dhe ca vite nga jeta e tij, vetëm që duelin e shekullit mes Kleit me Xhorxh Foreman kampion në fuqi, të mos e linte pa parë. Ishte 30 tetori i vitit 1974. Fitorja e Kasius Kleit, apo thënë ndryshe Muhamet Aliut, e entuziazmoi aq shumë Ahmet Golemin, sa për nder të tij ai do të festonte duke blerë edhe një tortë.
E çfarë kishte këtu për t’u survejuar nga Sigurimi i Shtetit?
Mirëpo duket se Ahmet Golemi e kishte tepruar me simpatinë e tij ndaj një boksieri amerikan, kur vetë në Shqipëri, sporti i boksit ishte ndaluar që prej vitit 1964. Sepse boksi u cilësua si “armik” në Shqipërinë Socialiste, ndërsa ushtruesit e tij do të detyroheshin të konvertoheshin për të vazhduar të ushtroheshin në disiplina të tjera.
E me gjithë ndalesat e mundshme, duke ndërprerë me zhurmues dhe valët e stacioneve televizive që vinin nga perëndimi italian, apo stacionet e “sllavit” në veri, të pasionuarit do të gjenin mënyra nga më të ndryshmet për të ndjekur ndeshjet e mëdha të boksit, të cilat kulmuan në vitin 1974 me duelin Kasius Klei kundër Xhorxh Foreman, në Kinshasa të Kongos. Por jo më pak do të ishte dhe ndeshja e Kasius Kleit me Xho Frejzer.
Ahmet Golemi duhet ta kishte tepruar vërtet duke shprehur simpatinë e tij për një kampion të pamatshëm si Kasius Klei. Dhe Sigurimi i Shtetit e kishte shënjuar me rreth të kuq. “Në qoftë se nuk e mbyll ti gojën, ta mbyllim ne”. Në fund të fundit, përveçse ishte boksier, Kasius Klei për djall ishte dhe amerikan. Dhe amerikanët nuk kishin vend në Shqipëri, qoftë dhe si imazh ardhur përmes botës së televizionit, parë me antena të sajuara që mund të përthithnin valët e RAI-t apo të Titogradit.
Katër vite më pas, në 14 tetorin e vitit 1978, një “Gaz” i Degës së Brendshme e priste Ahmet Golemin poshtë shtëpisë, ndërsa i thanë se duhet ta çonin në Poligrafik ku kërkohej ndihma e tij si redaktor, pasi materialet e gazetës “Sporti Popullor” ishin “ngatërruar”. Itinerari i çuditshëm i “Gaz”-it të Degës,  nuk e shqetësoi Golemin e pafajshëm, por përballja me qelitë e burgut të Tiranës ishte tronditëse. Do të depersonalizohej me gjithfarë presionesh psikologjike në një hetuesi të gjatë 7-mujore, kur çuditërisht do t’i kujtohej edhe torta e blerë për nder të fitores së Kleit. Më 7 maj 1979, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor "për agjitacion e propagandë kundër shtetit". Dënimi nuk ishte i lehtë, me 5 vjet heqje lirie, për një njeri që nuk kishte bërë asgjë ku cenohej vija e Partisë. Dhe kaq duhej për të shkatërruar gjithçka kishte mbledhur një njeri, me punë të palodhur e plot pasion.
Gjithsesi erdhi viti 1990, muri i Berlinit kishte rënë dhe pakkujt ia merrte mendja se perdja e hekurt do të binte edhe në Shqipëri. Ahmet Golemi nisi të bënte jetën e tij, tanimë veç si shkrimtar, publicist e komentator sportiv. Boksi mbeti po aq një pasion kujtimesh e rrëfenjash nga i cili nuk u nda asnjë çast.
Dhe letërsia artistike do të ishte pasioni tjetër, të cilës Golemi iu përkushtua aq shumë duke botuar romanin “Pasionet”, novelën “Përbindëshi i bardhë” por dhe romanin “Fundi i dorezave të zeza”, për të cilin siç është shprehur vetë autori, titullin e ka pagëzuar Ismail Kadareja. Dhe ishte letërsia që e miqësoi fort atë jo vetëm me Kadarenë, por dhe me Dritëro Agollin e Vath Koreshin.
Ahmet Golemi u largua nga kjo botë vetëm pak ditë para se të mbushte të 85-sat e tij. Në skedarët e kompjuterit apo në dosjet e shkrimeve personale ka lënë në mes punime që presin të shohin dritën. Duhet të ishte dora e tij deri në faqen e fundit. Por tanimë kjo është e pamundur. Por me siguri, gjithçka që tanimë ka rënë të flejë nëpër foldera, një ditë do të zgjohen...

No comments:

Post a Comment