Tuesday, August 5, 2025

Harrojeni lirinë e Atdheut, luftrat bëhen për të “kap ndonjë lek”



Nga Leonard Veizi
 
Lufta, në vetvete, nuk bëhet për lirinë e popujve, as për prosperitetin apo begatinë e tyre. Këto janë justifikimet që i serviren njerëzve. Në thelb, lufta bëhet për të kapur ndonjë lek. Aq më mirë për ata që kanë diçka në dorë, përveç pushkës.
Ohu sa lek ka lufta!
Edhe në kohën e Adolfit u bënë shumë para. Madje edhe vetë i zoti u punës e mbushi thesin dhe … u zhduk pa lënë gjurmë.
Ndaj e kujtoj gjithmonë kuzhinierin Loni, që i thoshte nën zë kujdestarit Xhaferrit, që po dilte nga kuzhina me pjatën plot, për ekonomatin e jetimores:
– Këtu ha dhe Stavri me defter, bashkë me drejtorin. Të gjitha ato që nuk i hanë fëmijët, ata i fusin në xhep. Le po shiten dhe si patriotë! Janë paratë e qeverisë, Loni… Po nga të tjerat nuk fitojnë, thua? Nga rrobat, nga këpucët… edhe nga sapuni fitojnë. E kush i kontrollon? Janë jetimë, Xhaferr. Nuk bën.
– Janë dhe maskarenj ama, – ia ktheu tjetri teksa mllaçitej mbi pjatë. – Pastaj, drurin e do ky milet…
Duket se filozofia e jetimores vlen edhe për frontin e luftës.
Së fundmi, prestigjiozja “Deutsche Welle” njoftoi për një tjetër skandal në Ukrainë. Sipas saj, hetuesit kanë zbuluar një rast të ri korrupsioni që lidhet me prokurimin e armëve. Midis të arrestuarve është edhe një deputet, i partisë së presidentit. Dhe ky është vetëm një nga rastet. Sepse media prestigjioze thotë se, që kur filloi pushtimi rus, më shumë se tre vjet më parë, janë zbuluar me dhjetëra raste korrupsioni në ushtri dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kjo do të thotë që deti është bërë kos dhe zotrote fut lugën në brez.
Pra, lufta sjell gjithmonë shifra marramendëse dhe tundime të mëdha. Dhe kush ka akses në to – qofshin këta veqilharxhë mesjetarë apo financierë modernë – nuk e lë rastin të shkojë dëm.
Në romanin e tij “Kështjella”, Ismail Kadare e përshkruan më mirë se kushdo këtë realitet të errët që fshihet pas perdeve të luftës. Fjala është për kryeveqilharxhin e ushtrisë osmane – ose, si do ta quanim sot, kryeitendentin:
Kryeveqilharxhi nuk e kishte mendjen dhe nuk u përgjigj menjëherë. Në mendje i sillej fakti se këto dy-tri ditë ishin, si zakonisht, ditët e mëdha të shpërdorimeve dhe të rrëmujave në llogari… aty bëhej një mishmash i tillë, saqë s’do ta zgjidhte dot as vetë Ali Ibn Sina, po të ringjallej…
Dhe, sigurisht, ai nuk merrej me “shuma qesharake” – kishte punë me kontrata shumëmilionëshe me Venedikun dhe vasalët e Perandorisë. Madje, duke pretenduar se i kishte shpëtuar Perandorisë disa miliona akçe, e quante plotësisht të ligjshme të merrte për vete një pjesë të tyre. Një lloj filozofie praktike që, siç duket, nuk është zhdukur me shekujt.
Prandaj bëhen luftërat – për të fituar. Vërtet mendosi se bëhen për të vënë në vend nderin e Atdheut?
-Ehu… ç’ja ke ngenë…
Vetëm populli nuk e kupton këtë. Ai thirret nën armë, i jepen pajimet minimale dhe dërgohet në front. Nëse shpëton, “bravo i qoftë”, do të marrë një pension sa për të shtyrë jetën. Dhe të mos guxojë të ankohet!
“Rrënë për Atdhe” do të shkruhet për të tjerët, anonimët e shumicës.
-Po do më përcëllohen patatet kapedan.
Në Ukrainë, në Gaza, në Iran, apo kudo tjetër ku lufta ka shpërthyer – ata që marrin armët me bindjen se po luftojnë për atdheun, janë në fakt viktima të propagandës, të mashtruar rëndë. Sepse po vdesin jo për kombin, por për pasuritë dhe pushtetin e oligarkëve dhe udhëheqësve të tyre. Dhe kur e kuptojnë këtë, është zakonisht shumë vonë.
Madje aq vonë, sa i përshtaten të gjithëve vargjet e një serenate korçare, që këndohet fort me pathos:
“Na pret të gjithëve një gur mbi varr….”

No comments:

Post a Comment