Nga Leonard Veizi
Bukë me gjalpë e
reçel hanim në mëngjes, një herë e një kohë, në kampin e pionierëve, kur
shkonim për pushimet verore, të pavarur nga familja. Bukë, gjalpë e reçel ishte
menuja edhe e kampit të punëtorëve.
Birinxhi. Ushqim i
shpejtë e me shumë kalori. Të mban deri në darkë, sidomos nëse ke vendosur të
lahesh në ujin e kripur, që thonë se ta çon barkun në fund, aq sa e ngatërron
reçelin me pekmezin.
– Dy vezë dhe një
djathë. Gjellë e shpejtë dhe me shumë kalori, – kështu do ta prisnin në mesnatë
doktor Bardhylin, arsimtarët e zonës malore ku kalonin trupat e sharrave,
pikërisht te filmi “Kur hapen dyert e jetës”.
Meqenëse na ka
mbirë në bark dikur, kjo menu vazhdon të na dalë në ëndërr edhe sot e kësaj
dite. Këtu duhet të jetë edhe thembra e Akilit e nostalgjisë për shumë shefa
kuzhine restorantesh, që e servirin me tabiat të madh. Dhe të kini parasysh që
oferta të paralajmëron që në fillim: 120 euro nata me mëngjes.
Mëngjesi, me këtë
menu, kap vlerën e dy mijë lekëve të vjetra, ose të themi – dy eurove. Që do të
thotë se e ke paguar goxha shtrenjtë fjetjen: plot 118 euro. Ndonjëherë me dush
me ujë të ftohtë.
Vijnë turistët…
shohin menunë… dhe ikin! Ia mbathin për Greqi, për Mal të Zi, për…
Ky është turizmi
shqiptar. Jo në të gjitha rastet, të kuptohemi. Por në një pjesë dërmuese, po.
Vjen vera, vjen
sezoni… dhe me të ëndrra shqiptare: Si të bëhesh milioner brenda 45 ditëve!
Ndaj turistët kanë
marrë malet. Domethënë, kanë lënë bregdetin dhe e kanë parë më të udhës ta
zhvendosin guidën duke bërë hiking nëpër zonat malore.
Çdo verë,
Shqipëria vesh rrobat tropikale dhe futet në rolin e “Parajsës turistike të
Mesdheut”. Dhe çdo verë, një pjesë e mirë e pronarëve me hotele e motele
ngjitet në majë të çatisë dhe shpall:
“Këtë sezon, bëhem
milioner!”
– E do të bëhemi
milioner / do të bëhemi milioner… – janë disa nga vargjet e këngës që këndonte
Adelina Ismaili në adoleshencën e saj.
Plani është i
thjeshtë, shqiptar: shtrihesh në breg të detit, ngre një çadër me tenda
plastike, vendos një menu me germa të mëdha ku shkruhet “Petulla me recel 7
euro”, dhe pret të vijë turisti. Meqë s’ke investuar asgjë tjetër përveç zërit
të trashë dhe një tavoline të çalë, çmimin e rrit në stratosferë, si sateliti
që spiunon nga lart:
“Makijato? 4 euro.
Krevati? 80 euro nata. Dushi?…” Sikur u lave në det o vëlla.
Mëngjesi
tradicional shqiptar – buka me gjalpë e reçel, specialitet i epokës së Xhaxhit
– tani shitet si “eksperiencë autentike bio”, për vetëm 9.99 euro. Me aq para,
në Londër merr një English breakfast dhe një fish & chips për darkë.
Por ne nuk
krahasohemi me askënd. Jemi Shqipëria që kërkon të bëhet Dubai, pa ndërtuar as
rrugën deri te plazhi.
Dhe kur turistët
largohen, duke mallkuar për herë të tretë çmimin e birrës “extra” — që është po
ajo birrë e zakonshme, në shishe pa etiketë — pronari i guesthouse-it e mbyll
derën dhe llogarit fitimin:
“Po s’u kapa këtë
verë, s’jam burrë!”
Natyrisht, fitimi
nuk bëhet, por ai mbetet burrë. Burrë i vërtetë shqiptar, që akuzon gjithmonë të
tjerët:
“S’ka turizëm!
S’ka shtet!”
Ose më keq akoma:
“Nuk bëhet ky vend!”
Dhe kështu, sezoni
mbyllet me një valixhe bosh dhe një kredi të re për të rregulluar kangjellat
rrethuese të vilës së pabërë.
Se të bëhesh
milioner nuk është si të bësh reçel qershie.
Milioner bëhesh,
në mos nga droga, të paktën nga ndonjë tender. Jo nga djersa e kastravecit apo
uthulla artizanale në shishe plastike me tapë Coca-Cola.
Por shqiptarit nuk
i thua dot gjë. Ai duhet të bëhet milioner. Madje brenda gushtit. Me çdo kusht.
Dhe nëse jo këtë
verë, atëherë verën tjetër. Ose atë pas saj. Apo kurrë.
Sepse jemi popull
që as nuk punon si zvicerani, as nuk sillet si greku, por kërkon të shesë kos
me çmimin e peshkut të egër.
Kur mbaron vera,
rri pronari te dera, i djegur nga dielli, e i zhgënjyer nga jeta. Dhe kur s’ka
më as turistë, as euro, as shpresë, i mbetet vetëm një gjë për të thënë:
“S’janë turistët
si dikur… nuk dinë të vlerësojnë!”
Pirdh se lirohesh.
No comments:
Post a Comment