Saturday, August 2, 2025

Neni 503, 504, 506... Kodi Penal. I thoni tellallit tua kujtojë



Nga Leonard Veizi
 
Kodi i ri Penal, i prezantuar së fundmi si draft nga qeveria, ka ndezur debate të forta mes juristëve, gazetarëve dhe qytetarëve të angazhuar publikisht. Në thelb të polemikës nuk qëndrojnë vetëm ndryshimet e propozuara, por fryma që i përshkon ato: një kthesë e rrezikshme drejt ngurtësimit moral dhe kufizimit të fjalës së lirë.
- E di ti kujt i thonë Kod Penal, apo s’e di?
- Jo, zoti kryetar.
- Si more nuk e di? Ja ky është, e shikon? Ky është si kurani, more qafir. Këtë ta puthësh, se ky e rregullon miletin. E ka bërë lartmadhnia vet, mbreti Zog reformator, që po cfilitet për të mirën tuaj. T’ju sjellë në din, t’ju bëjë si turqit e sotëm, more qafir!
Kjo skenë groteske, - e huazuar nga filmi “Koncert në vitin ‘36” - me rrënjë në realitetin e largët, është gjithnjë e më e zëshme. Sepse për autorët e draftit të ri, Kodi Penal nuk është më një mjet për të garantuar rendin e drejtësinë, por një platformë edukimi moral. Një mision për të ndrequr mendjet e prishura nga memet, sarkazma, postimet pa filtër dhe gazetaria investigative që nuk pyet.
Thuhet se për herë të parë në Shqipëri keqtrajtimi dhe braktisja e kafshëve parashikohet të jetë vepër penale, me ndëshkime që shkojnë deri në 3 vite burgim. Drafti i ri i Kodit Penal, përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke adresuar raste të braktisjes, dhunës dhe trajtimeve çnjerëzore ndaj tyre. Por kjo na kujton se edhe vite përpara është bërënjë përpjekje e tillë e cila eshte sigmatizuar edhe në filmin “Koncert në vitin ‘36”:
-Na or ti na. Pse e rreh kalin?
-Se dua.
-Si ore dashke. A e din ti se qeveria ka nxjerre reforma radikale që ndalon rrahjen e kafshëme nga karocierët.
-Jo se di dhe as qe dua. Kali është i imi dhe bëj çtë dua më të.
-Si ore bën çtë duash me kalin. S’ke fajt ti jo se  qeveri më të butë s'ka parë bota. Po të kishte ligj do t'i kisha derdhur trutë me kobure po të më ktheje fjalën. Ec përpara.
Duke e portretizuar ligjin si një dogmë të padiskutueshme dhe jo si një marrëveshje qytetare, qeveria aktuale shpall fundin e epokës së debatit dhe fillimin e një epoke të re: ajo e "kodifikimit të mirësjelljes kombëtare". Ndaj, nuk është çudi që shprehje si “Kodi nuk lexohet, nuk interpretohet, por zbatohet” janë bërë moto. Por nëse ligji zbatohet verbërisht, pa u kuptuar apo kontestuar, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një shtet demokratik, por me një rend autoritar.
 
Liria që ftohet të heshtë
Në një klimë të tillë, liria e shprehjes kthehet nga një e drejtë kushtetuese në një rrezik për "stabilitetin moral të shtetit". Ndëshkimi i fjalës së lirë, satirës dhe gazetarisë kritike zë vend përkrah krimeve reale, ndërsa humori i pakontrolluar bëhet një “shkelje penale”.
-Nesti Bënja. Kam urdhër të vish pas meje.
-Si është puna zoti xhandar? Çfarë kam bërë?
-Ore shumë fjalë ke ti. Më urdhëruar. Qeveria ka halle.
Dhe Nesti, po tek filmi “Koncert në vitin ‘36”,  i kishte dhënë shumë gojës. Edhe lapsit. Shkruante pamflete për revistën Bota e Re, ku vinte në dukje të metat në qeverisjen lokale. Shkruante aq sa për të kujtuar se fjala mund të ishte më e fortë se çdo nismë ligjore.
- Neni 503, 504, 506... ju i dini apo i keni harruar? Kodi Penal. I thoni tellallit tua kujtojë!, - arriti t’u tërhiqte vëmendjen për kujtesë e kujdes, Nesti Bënja, i kapur prej krahësh nga xhandarët.
 
E ardhmja me sy të mbyllur dhe gojë të kyçur
Në logjikën e draftit të ri, fjala e lirë është e lejuar... por me zë të ulët, me kujdes, me vetëkontroll. Madje në praninë e një juristi, për siguri. Nuk është më liri kjo, por autocensurë e institucionalizuar. Ky kod i ri, në dukje teknik, në thelb është një platformë e re për të ndryshuar sjelljen publike, duke zëvendësuar guximin me frikën, humorin me ndrojtjen, mendimin e lirë me miratimin e heshtur.
-Mos u shpejtoni të nxirrni përfundime shoqja Besa. Dhe tani dëgjomëni me vëmendje. Kodi Penal, ka një nen tepër interesant për ata që humbasin dokumenta me vlerë. 20 vjet burg... - i bënte shantash Marko Ruvina, si usta i regjur i spiunazhit, Besës që ishte sekretare e shokut Agim, njeri me peshë në industrinë e rëndë, pikërisht tek filmi “Fijet që priten”.
 
Ligji si mik e si armik
Përgjigja për pyetjen "Ku po shkojmë kështu?" është e thjeshtë: Po shkojmë drejt një shoqërie ku ligji nuk mbron, por frikëson. Ku çdo buzëqeshje e shtrembër ndaj ndonjë figure publike interpretohet si atentat ndaj moralit të shtetit. Po shkojmë drejt së ardhmes “me sy të mbyllur dhe gojë të kyçur”, ku çdo mendim i lirë vlen sa një krim, e çdo gazetë kritike rrezikon të shndërrohet në objekt hetimi.
A është kjo e ardhmja që duam?
Nëse jo, mos ia lini tellallit t’ua kujtojë nenet. Lexojini vetë. Kundërshtoni vetë. Sepse ndryshe, do t’ju lexojnë ata: me penë ndëshkuese në dorë.

No comments:

Post a Comment