Nga
Leonard
Veizi
Shqiptarët e nisën
vitin 2025 ashtu siç lanë vitin 2024 me vrasje e aksidente. Sepse nuk mjaftojnë
fishekzjarrët si topa të kalibrit të rëndë që kalamajtë e lagjeve i shpërthenin
në mes të pallateve. Nuk mjafton as ndonjë shkrepje kallashnikovi në periferi
që nga vigjilenca e shtetit është më e ulët. Ç'është e vërteta, - sipas
raportimeve të shumta mediatike dhe atyre zyrtare sigurisht, - shqiptarët janë
vrarë, janë vetëvrarë dhe kanë vdekur nëpër aksidente, si në një bilanc tragjik
lufte gjatë vitit 2024. Por nuk është se 2024 ndryshon nga vitet paraardhës dhe
me gjasa nuk do të ketë ndonjë ndryshim as në vitet pasardhës...
...Në fundin e
vitit 2024, shqiptarët ndodheshin në një çast reflektimi mbi një vit plot
dinamika dhe sfida, duke ndjekur ritmin e një bote që ndryshon shpejt dhe me
intensitet. Ky vit nuk ishte thjesht një rrjedhë kronologjike e muajve, por një
periudhë me ngjarje që prekën jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit.
Sipas statistikave 2024-a solli përmirësime të moderuara në sektorët ekonomikë.
Por për të thënë të vërtetën, - atë lakuriq, - bonusi i akorduar nga
kryeministri për pensionistët në fundviti, - prej 100 apo 150 eurosh, - nuk
është se i dha dorë kujt. Madje as militantëve më të thekur.
Krimi
Le të vazhdojmë me
klauzolat e tjera. Sipas të dhënave të disponueshme deri në dhjetor 2024,
situata në Shqipëri për sa i përket vrasjeve, vetëvrasjeve dhe vdekjeve nga
aksidentet rrugore ka qenë fort "e mbarë". Gjatë vitit 2024 janë
regjistruar gjithsej 39 vrasje. Nga këto, 33 raste janë zbardhur, ndërsa 6
raste, kryesisht të natyrës mafioze, janë ende nën hetim. Krahasuar me vitin
2023, kur u regjistruan 35 vrasje, vihet re një rritje në numrin e vrasjeve për
vitin 2024.
Megjithatë, ky
numër mbetet më i ulët se ai i viteve të mëparshme, si p.sh. në vitin 2020, kur
u regjistruan 52 vrasje, dhe në vitin 2021, me 61 vrasje.
Thënë shkurt në
Shqipëri kanë ndodhur 3.25 vrasje në çdo muaj. Jemi qarë kot se kaq nuk na janë
vrarë as kur luftonin me grekun, as me italianin dhe as me gjermanin, që
thoshin se ishte më i sertë e më katil dhe se kishte edhe më shumë alete.
Por gjatë vitit
2024, Shqipëria është përballur rëndë me raste të dhunës që kanë prekur
adoleshentët nën moshën 18 vjeç. Një ngjarje tragjike ndodhi në nëntor, ku një
nxënës 14-vjeçar u godit për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar. Dhe ky nuk
ishte rasti i vetëm, por që u bë më mediatiku për shkaqet e rrethanat.
Vetëvrasjet
Për vitin 2024,
ende nuk ka statistika të përditësuara publike mbi vetëvrasjet. Por edhe pa
statistika zyrtare në këtë zë, mund të themi se numri i vetëvrasjeve është i
lartë. Në një bilanc javor që media publikon në vazhdimësi, është arritur në
konkludimin se janë bërë 10 vetëvrasje gjatë harkut kohor të 6 ditëve,
përkatësisht nga data 13 deri ditën e 19 gushtit.
Po ashtu 3
vetëvrasje kanë ndodhur brenda 24 orëve në qytetin e Korçës.
Ndërsa rasti më
ekstrem është ai i 39-vjeçares, e cila më 2 maj 2024 u hodh nga ura e Bunës në
Shkodër, duke marrë me vete tre fëmijët e saj të mitur.
Vetëm këta tregues
ia japin një tablo të zymtë të situatës në vend.
Aksidentet
rrugore
Sipas të dhënave
gjatë vitit 2024 humbën jetën në aksidente rrugore 172 shtetas. Në vitin 2023
numri i viktimave rrugore ishte 192. Të thuash që kjo është fitore, - sepse
treguesit janë ulur, është një ironi e pashembullt. Megjithatë mund ta
klasifikojmë tek sukseset statistikore. Sepse në fund të fundit, dramë apo
tragjedi, gjithçka që kalon dhe harrohet mbetet vetëm një statistikë.
Krimi në
familje
Dhuna në familje
ishte një problem shqetësues në Shqipëri gjatë vitit 2024. Sipas të dhënave të
Policisë së Shtetit, në nëntë muajt e parë të vitit janë raportuar mbi 4,145
raste të dhunës në familje, një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të
vitit të kaluar. Nga këto raste, 2,226 janë trajtuar me urdhra mbrojtjeje për
viktimat. Qytetet me numrin më të lartë të rasteve janë Tirana, Durrësi dhe
Fieri.
Dhuna ndaj
grave
Në Shqipëri,
Avokati i Popullit dhe Kombet e Bashkuara kanë çelur një qendër studimore mbi
vrasjen e grave, në përpjekje për ta parandaluar këtë dukuri. Në 13 vitet e
fundit janë vrarë 159 gra e vajza shqiptare prej familjarëve dhe partnerëve,
ose ndryshe një vrasje me bazë gjinore çdo muaj. Mesatarisht një viktimë grua
çdo muaj, ose 159 gra e vajza janë vrarë prej familjarëve dhe partnerëve 13
vitet e fundit nga viti 2010 e deri sot, 12 prej të cilave u vranë vetëm vitin
e fundit.
Raporti i Avokatit
të Popullit tregon se në tre vitet e fundit janë vrarë 32 gra, 90% prej tyre
nga partnerë intimë ose anëtarë të familjes, duke theksuar përmasat tragjike të
këtij fenomeni.
Megjithatë,
ekspertët theksojnë se shumë raste të dhunës në familje mbeten të padenoncuara,
duke sugjeruar se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta.
Shpresa për
2025
Fundvitin 2024,
shqiptarët e përmbyllin me një përzierje emocionesh: një ndjenjë lodhjeje nga
problemet e vazhdueshme, por edhe me shpresë për një të ardhme më të mirë.
Fryma festive e Dhjetorit, me dritat që mbushin qytetet dhe traditat familjare,
mbetet një simbol i rezistencës dhe optimizmit të tyre.
Por bilanci është
i qartë: për të ndërtuar një vit më të mirë, kërkohet një angazhim i përbashkët
i çdo shqiptari, nga qytetari i thjeshtë te liderët politikë dhe bizneset.
Shqipëria ka potencialin për të ecur përpara, por kjo do të varet nga
vendosmëria për të mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe për të ndërtuar të
ardhmen me vizion dhe përkushtim.
No comments:
Post a Comment