Friday, February 6, 2026

Nga Sadi te Epstaini, elita dhe pornografia e pushtetit

 

Nga Leonard Veizi
 
Skandali i Xhefri Epstainit iu tregua publikut si historia e një përbindëshi të izoluar, një devijim individual pa lidhje me botën “normale”. Ky rrëfim është i rehatshëm sepse e çliron sistemin nga përgjegjësia. E vërteta duket më e ashpër. Epstaini nuk ishte një aksident i rendit modern, por shenja më e qartë e tij...
 
...Kur pushteti grumbullohet pa kufij, ai nuk prodhon vetëm pasuri. Ai krijon edhe ndjesinë se njeriu mund të jetojë jashtë çdo norme njerëzore. Pikërisht këtu krahasimi me Marki de Sadin pushon së qeni letrar dhe kthehet në lexim politik të pushtetit pa frerë.
 
Kush ishte Marki de Sadi
Marki de Sadi, aristokrat francez i shekullit XVIII, nuk mbetet vetëm një shkrimtar skandaloz. Ai përfaqëson vizionin ekstrem të një bote ku dëshira individuale shpallet ligj dhe trupi i tjetrit reduktohet në send përdorimi. Në veprat e tij, mes tyre “120 ditët e Sodomës”, dhuna organizohet me ftohtësi dhe kënaqësia lidhet me administrimin e dhimbjes.
Regjisori italian Pier Paolo Pasolini e solli këtë univers në ekran duke e zhvendosur historinë në kontekstin e fashizmit. Në leximin e tij, sadizmi - që vjen nga mbiemri Sadi - nuk ishte më fantazi e errët, por formë konkrete e pushtetit politik. Kjo është arsyeja pse Sadi nuk i përket vetëm së kaluarës. Ai mbetet figura që zbulon çfarë ndodh kur elita ndjen se nuk i nënshtrohet askujt.
 
Epstaini si realiteti që Sadi vetëm e imagjinonte
Xhefri Epstaini nuk shkroi romane. Ai ndërtoi një realitet që i ngjan laboratorit të Sadit. Ishulli i tij privat nuk ishte hapësirë argëtimi, por një territor pa pasojë, ku paraja, lidhjet politike dhe heshtja institucionale krijonin mbrojtje të plotë. Kjo është pornografia e vërtetë e kohës sonë. Nuk lidhet me trupin, por me pushtetin që shfaqet pa turp. Në botën e Epstainit, seksi humb çdo dimension njerëzor dhe shndërrohet në monedhë, në shantazh, në mjet kontrolli. Kështu bëhet e dukshme një e vërtetë e pakëndshme. Elita globale jeton sipas rregullave që nuk vlejnë për të tjerët.
 
Pse Epstaini tmerron më shumë se Sadi
Sadi ishte i hapur në errësirën e tij dhe nuk kërkonte justifikim moral. Epstaini lëvizte mes universiteteve, bankave, pallateve mbretërore dhe politikës ndërkombëtare me fytyrën e filantropit. Kjo e bën historinë e tij më shqetësuese se çdo roman, sepse tregon se sadizmi nuk është përjashtim psikologjik. Ai është rreziku i zakonshëm i pushtetit kur mungon kufiri. Pyetja thelbësore nuk lidhet me mënyrën si u shfaq një Epstain. Pyetja lidhet me ata që nuk u zbuluan kurrë.
 
Ishujt e padukshëm të modernitetit
Shoqëritë liberale flasin për transparencë, barazi dhe të drejta. Në të njëjtën kohë pranojnë territore ku ligji zhduket, nga parajsat fiskale te rrjetet e ndikimit dhe ishujt privatë. Qytetari i zakonshëm jeton nën vëzhgim. Elita jeton në padukshmëri. Këtu qëndron skandali i vërtetë. Jo vetëm krimi individual, por mbrojtja që sistemi i ofroi derisa fshehja u bë e pamundur.
 
Liria që ushqehet me të dobëtin
Ideologjia moderne e quan këtë gjendje liri. Në thelb ajo i ngjan lirisë së ujkut në një botë pa barinj. Paraja mund të blejë kohë, heshtje, drejtësi dhe ndonjëherë pafajësi. Për viktimat, kjo liri përkthehet thjesht si burg.
 
Kur sadizmi bëhet pjesë e sistemit
Sa më e thellë bëhet pabarazia, aq më pak figura si Epstaini duken përjashtime. Ato fillojnë të duken funksionale për vetë rendin. Çdo sistem që lejon disa njerëz të mbeten praktikisht të pandëshkueshëm prodhon herët a vonë pornografinë e pushtetit. Akuza më e rëndë ndaj kohës sonë nuk është ekzistenca e një njeriu si Epstaini. Akuza e vërtetë është se bota jonë ishte terreni ideal që ai të lulëzonte.

No comments:

Post a Comment