Thursday, February 5, 2026

Kadri Roshi dhe universi i 180 roleve të jetës së tij

 

Nga Leonard Veizi
 
Vështirë të gjendet një shqiptar që, qoftë edhe për një çast, të mos e ketë marrë inat, sharë apo madje urryer figurën e ftohtë e kërcënuese të kujdestarit në filmin e Dhimitër Anagnostit “Lulëkuqe mbi mure”. Ishte pikërisht fuqia e jashtëzakonshme e interpretimit që e bënte personazhin të dukej aq real, sa kundërshtia ndaj tij shndërrohej në provën më të qartë të madhështisë së aktorit. Ai ishte Kadri Roshi....
 
...Edhe kur mishëronte figura të errëta, gati kriminale, ai ruante në thelb fisnikërinë e artistit që më vonë do të nderohej me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Emri i tij mbeti i gdhendur si një kolos i filmit dhe teatrit shqiptar, përmes roleve që nuk i përkasin vetëm skenës, por vetë kujtesës sonë kulturore.
Për shumëkënd, Kadri Roshi ishte vetë legjenda e skenës dhe ekranit. Një aktor brilant, me talent të lindur, që zotëronte artin e kontrastit: dinte të bashkonte patosin me heshtjen, dritën me errësirën, butësinë me ashpërsinë, duke ndërtuar personazhe të gjalla, të ndërlikuara dhe thellësisht njerëzore. Në këtë gërshetim gjendjesh e veprimesh qëndronte sekreti i fuqisë së tij artistike – një fuqi që vazhdon të flasë edhe sot, përtej kohës.
 
Fillimet
Jeta e tij nisi me mungesa të mëdha. Qysh dy vjeç mbeti jetim nga e ëma dhe në moshën dymbëdhjetëvjeçare humbi edhe të atin, duke u detyruar të përballet herët me vështirësitë e jetesës. Punoi që i mitur, por pikërisht kjo përvojë e ashpër e mbushi kujtesën e tij emocionale me mbresa të forta, të cilat më vonë do të shndërroheshin në burim të thellë përjetimesh artistike.
Pas çlirimit punoi si biletashitës në kinemanë “Gloria” dhe më pas si sufler në Teatrin e Shtetit. U regjistrua në Shkollën Dramatike pranë këtij teatri, por në fillim nuk u pranua si aktor për shkak të belbëzimit – një pengesë që e mposhti me vullnet të jashtëzakonshëm, duke e kthyer dobësinë në forcë.
 
Në teatër
Në vitin 1948 interpretoi Podgolesinin te “Martesa” e Gogolit dhe po atë vit nisi studimet e larta për aktrim në Zagreb, për t’i vazhduar më pas në Çekosllovaki. Studimet i përfundoi në Pragë më 1951, duke u kthyer në Shqipëri për të nisur menjëherë karrierën në Teatrin Popullor, si një ndër krijuesit e tij, vetëm 21 vjeç.
Roli i parë në këtë teatër ishte Osipi te “Revizori” i Gogolit. Më pas erdhi Jonuz Bruga në dramën “Familja e peshkatarit” (1956) e Sulejman Pitarkës – një rol i fuqishëm dramatik që e mbajti mbi supe për më shumë se dy dekada dhe që dëshmoi thellësinë e karakterit të tij artistik.
 
Në kinema
Galeria e personazheve të Kadri Roshit përfshin rreth 180 role, prej të cilave afro 30 në kinematografi – një jetë e tërë e shndërruar në art. Batutat e tij janë bërë pjesë e kujtesës popullore, të përsëritura brez pas brezi, si shenjë e gjallë e ndikimit që ai pati mbi publikun.
 
Në kinema
Në galerinë e personazheve të tij, Kadri Roshi numëron rreth 180 role, nga këto 30 në kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike. Edhe batutat e panumërta mbahen mend nga shumëkush.
 
Tek “I teti në bronx”, në rolin e Ademit
– U pa, shiko, pa shiko, komisarët po merren me kripë ëëëë.
 
Tek “Malet me blerim” mbuluar, në rolin e Safa Ymerit
– Sot kam gëzim, bëni qejf e mos u merrni me të thella. Raki e mish ka sa të doni. Urtë e butë e plot tiganin.
 
Tek “Tokë e përgjakur”, në rolin e Arif Mullizhiut
– Ata më kanë ardhur në derë, o bej, dhe unë nuk i pres në besë. Të fala sat ëme.
 
Tek “Përballimi”, në rolin e Nazifit
– A s’të tha sekretari se kulakët nuk kanë brirë? A s’të tha se ka fshatarë që kanë filluar të vënë dhjamë përditë? A nuk je ti një nga ata fshatarë që ke vënë dhjamë?
 
Tek “Lulëkuqet mbi mure”, në rolin e kujdestarit Xhafer
– Ja kështu. Deshët të rriheshit, ja u rrahët. Dëgjoni këtu, unë dua vetëm rregull dhe disiplinë. Ti këput qafën. Ndërsa ty ta tregoj unë atë “jo”-në.
 
Tek “Fijet që priten”, në rolin e Marko Rovinës
– Besa, ti je e mrekullueshme. Korrektesa jote është me të vërtetë për t’u lavdëruar. Unë kam njoftuar qendrën për ju. Ata janë tepër entuziastë. Pseudonimi juaj në qendër është “Perla”.
 
Tek “Njeriu me top”, në rolin e Mere Fizit
– Gjylja e madhe plasi. Po, po plasi, mirë e the, zotrote. E tani mua s’më mbetet gjë tjetër, vetëm të qesh…
 
Tek “Gjeneral gramafoni”, në rolin e Parandilit
– Shumë sqimëtar ky i biri i Halimasë, lan duar tri herë në ditë. – Parandili, i pakët si kandili.
 
Tek filmi “Ballë për ballë”, në rolin e Belul Gjonomadhit
– Nuk bëhet luftë me telefona, more djem, zaten ai është shpikur për dashuri.
 
Tek “Rrethimi i vogël”, në rolin e Zenun Borigës
– Si je? Po të ndenjurat si i ke? Më duket se shpejt kanë filluar të të nxehen. Dhe kur nxehesh shumë andej, ftohesh këtej. Si, ore, t’ma mbushi mendjen ai zorzopi im të më bësh këtë proçkë.
 
Fundi i karrierës
Përveç skenës dhe ekranit, Kadri Roshi dha ndihmesë të çmuar edhe në pedagogji, si profesor i mjeshtërisë së aktorit në Institutin e Lartë të Arteve për shumë vite. Ai mbante titullin “Artist i Popullit”, ndërsa vlerësimet kulmuan me Çmimin e Karrierës më 1995, Çmimin e Madh të Nderit më 1997 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik dhe, më 1999, me titullin më të lartë shtetëror “Nderi i Kombit”.
Kadri Roshi nuk ishte thjesht një aktor i madh. Ai ishte një epokë e tërë e artit shqiptar – një zë që vazhdon të dëgjohet edhe pasi skena është zbrazur dhe dritat janë fikur. Dhe pikërisht për këtë, rolet e tij nuk mbarojnë me jetën: ato mbeten, si kujtesë, si art dhe si pjesë e shpirtit të një kombi.
 
 
 
 
 

No comments:

Post a Comment