Wednesday, August 2, 2023

Në satirën e hollë të Minella Borovës


Nga Leonard Veizi
 
Në galerinë e roleve të tij numërohen 17 personazhe të ndryshme filmikë dhe ato shtohen më shumë kur bëhet fjalë për të paktën edhe 50 role të tjera në skenën e teatrit. Por gjerësisht ai u njoh dhe si pedagog i “Mjeshtrisë së Aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Si aktor filmi Minella Borova fitoi emër të mirë, sepse realizoi një spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme, por ku më shumë u shqua si aktor i planit satirik. Me siguri, sepse dinte të hidhte batutën aty ku duhen dhe ashtu siç duhej.
-E mor vëlla, merr shembull nga ky ti. Ky ustai nuk ndihet fare. Veç prite, prite kur të vijë ndonjë ditë e të na thotë: E di si është puna, liromëni një çikë dhomën se do të sjell nusen. Epo si do thoshte i madhi Gani në të tilla raste: Është se ç’është, mbushin tre gota dhe çfarë bëjnë?
-Pijnë Fato, pijnë. Po jo tre, katër...
Këtu ai është në rolin e Fatos tek filmi “Rrugë të bardha” që kishte preferuar ta festonte Vitin e Ri me shokët e tij.
Por ai ka sjellë në mënyrë të shkëlqyer rolin e oficerit o OVRA-s, që ishte shërbimi sekret i ushtrisë italiane, tek filmi “Në fillim të verës”, kur i dehur e i bërë tapë sa nuk e mbanin këmbët, shkon të provokojë një oficer shqiptar.
-Nuk ju pëlqen vizita ime. Domosdo, unë nuk jam as zoti Piçioni, as zoti Bertini. Jam një oficer i vogël i perandorisë.... Mos u shtirni! Ju nuk jeni hero! Ju, bie fjala, do të zgjidhnit më mirë shtratin e butë të sinjora Bertinit se sa një qeli ftohtë e të lagur...
Por një rol kryesor plot kripë e piper Minella Borova do të merrte tek filmi “Udhëtim në Pranverë”, ku ai ishte shofer Skode dhe kishte rënë në dashuri me Valbonën që ishte këngëtare ansambli, por që nuk arrinte dot t’ia shprehte dashurinë.
-Prapë nuk i thashë. Për të gjitha thonë se jam djalë i shkathët, por kur vjen puna për dashurinë, atje benzina sikur ka ujë. Nuk ecën fare.
Dhe po aq satirë e humor ai sjell dhe rolin e drejtorit të shtëpisë së kulturës tek filmi “Rrethimi i Vogël” ku meqë kishte kunatin Kryetar Komiteti, e nuk punonte dot se s’ia kishte idenë asaj që duhet të bënte, ia kërciste me raki me shokët e ekipit që i kishin shkuar për kontroll.
-Vaso, merr një këngë dashurie që të më theri në zemër, se pastaj e fut në Festival unë... Ç’mjeshtër more! Dëgjo Vaso, unë do të të bëj ty “Artist të Merituar”... po kjo pula nuk qenka pjekur aq mirë... Hëm, moj ti Shegë, shko tani e na raporto tek Sekretari i Parë.!
Por një rol të këndshëm, interpretuar plot finesë, ai ka dhe tek filmi “Shoku Ynë Tili” ku luan rolin e bashkëshortit, Shpëtimit, që gatuante drekë e darkë për mësuese Besën, sepse kjo e fundit kish gjetur belanë me shkatarraqin Tili, aq sa u operua nga apendiciti.
-Epo hë moj grua ç’u bëre, se na bëre merak? Po pse, ti do t’i ndreqësh të gjitha moj grua? Epo nuk ke lënë ndonjë orë mësimi pa bërë, besoj?!
Por rol simpatik është edhe ai i doktor Kristofor Mihalit tek filmi “Botë e padukshme”, mjeku që i bënte punën shkencore shefit, që të mund të përfitonte prej tij.
-Dëgjo Gjergj. Unë e njoh Iljazin më mirë se ti. Po cili jam unë... Më duhej një emër, një pasaportë. Unë i jap dikujt diçka që nuk e ka për të marrë atë që hë për hë nuk e kam: emrin. Kështu i dashur Gjergj. Unë nuk vjedh njeri. Unë luftoj me trurin dhe djersën time.
Ndër rolet e tij në kinema ka qenë dhe ai i agjitatorit fodull tek filmi “Përballimi” që vinte vërdallë fshatrave të Korçës që t’u mbushte mendjen fshatarëve të dorëzonin tepricat e drithit, sepse qyteti ishte në prag të urisë.
-Për çfarë e keni fjalën shoku Miti? Mos kujtuat se bëmë piknik. Erdhi shoku Martin aty dhe u krijuan ca brigada agjitacioni. Ja atë qimen tuaj u munduam të nxjerrim nga qulli... O ç’të rrëzuar, ramë me hundë. Çoç mbollëm, po s’duruam ta korrim... Ç’na prallis, panik do të bësh?
Në jetëshkrimin zyrtar shkruhet se Minella Borova u lind më 22 shkurt të vitit 1947 në Korçë.
Më 1969 mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, për aktrim. Për 10 vjet punoi si aktor pranë teatrit “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës. Më pas për 14 vjet të tjera, punoi si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë.
Në skenën e teatrit ka realizuar mjaft role, si tek drama: “Njollat e murrme”, “Qyteti i akuzuar”, “Mësuesi i letërsisë”.
Më 1993 emigron në Buones Aires, Argjentinë, atje ku jetoi me gjithë familjen e tij deri në fund të jetës, për 20 vjet rresht. Por edhe në kontinentin e largët ai nuk hoqi dorë nga arti dhe aktrimi. Ka interpretuar në teatrin “San Martin”, në Buones Aires, pjesë teatrore të cilat i ka sjellë edhe në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Në vitin 2007 pas një ndërprerjeje rreth 15-vjeçare nga skena shqiptare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina, me të cilin kritika thotë se riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike.
Në vitet 1980-1990 ai ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë për teatrin, si dhe ka botuar vëllimin poetik “Ku puthen dy oqeanet”.
U nda nga jeta në 30 qershor të vitit 2013 në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Ajres. Ishte 66 vjeç.

No comments:

Post a Comment