Leonard Veizi
Askush nuk e njeh,
por të gjithë e kanë frikë, prandaj kanë nxjerrë dhe shprehjen e famshme:
Shteti (qeveria) e kap lepurin me qerre.
Ti kujton se
Shteti vërtet po kujdeset për ty, se të jep falas ujë, sapun dhe brisk për t’u
rrojtur. Por ç’është e vërteta, kur Ti vdes Shteti nuk është se të hedh ndonjë
lopatë dhe. Vetëm arshivon numrin tënd të matrikullës dhe fërkon duart që
pikërisht Ti, zevzek dhe i letuar, muajin pasardhës nuk do të kërkosh më ilaçe
të rimbursueshme dhe nuk do të marrësh më pensionin. Kështu që shteti që të
premtoi aq shumë në fillim të lë në mes të rrugës sepse më parë se kaq të ka
hedhur në mes të rrugës. Por ty do të të mbulojnë përsëri. Sepse edhe po të mos
kesh njeri të afërt, do gjenden ca fqinjë që do mundohen të bëjnë kuotën për
një varrim modest me një gur mbi kokë. Ndërkohë Ti gjithë jetën tënde ke punuar
më shumë për Shtetin se sa për veten tënde.
Ti je nënshtetas,
ke një emër, por për Shtetin je veç një numër – të cilin e ke në matrikull –
dhe një krah pune, sigurisht.
Ti je i lumtur se
të kanë mbushur mendjen se të është dhënë dhurata e jetës. Ndërkohë që Shteti,
të merr frymën pak nga pak duke të përmendur orë e çast se dhurata vërtet është
falas, por Ti duhet ta meritosh atë. Ndaj duhet të punosh dhe të prodhosh sa më
shumë për të mirën e…Shtetit. Mundësisht edhe ditën e pushimit, si punë
vullnetare. Se zëri i taksave në faturë rritet gjithmonë.
Pra jeta nuk ëshët
aq e lehtë sa duket në fillim.
Ndaj Ti punon tëre
jetën për diçka abstrakte që quhet: Shtet. Që kërkon para prej teje të mbajë
administratën, ushtrinë, policinë… Ti je i taksuar në çdo hap që hedh. Dhe kur
refuzon se të ka ardhur shpirti në majë të hundës, policia e paguar prej teje
të vë prangat. Drejtësia e paguar po prej teje të dënon me heqje të lirisë.
Ndaj Ti duhet vazhdimisht të paguash, qoftë dhe duke qëndruar në një qeli burgu
me krevat marinarësh. Sepse shteti abstrakt nuk ngopet asnjëherë. Madje të
thotë pa pikën e turpit: këto para po i përdor për të mirën tënde.
Kjo moto
përsëritet edhe kur Ti shkollohesh me paratë e tua se shteti nuk të ofron atë
që duhet, mjekohesh duke paguar një mjek privat që punon dhe në shtet, edhe pse
Ai rrogën e merr prej teje.
E për çfarë të
duhet Shteti, atëherë??? Që deputetë e zyrtarë të lartë që marrin rroga të
majme dhe shëtisin me makina që kanë motor sa një lokomotivë, me paratë e
taksave të cilës paguan Ti?! Se po si pagove përsëri, institucione ligjzbatuese
të tregojnë qelinë e burgut, gavetën e supës dhe… sapunin.
Hëm… të keqen e
Shtetit.
Shteti, ky term
abstrakt na ka hipur mbi shpinë. Dhe pse
me gojën plot përditë na thotë atë që nuk duhet ta harrojmë: Ne për Ju
mendojmë!
Kohët e fundit në
një shtet si Italia, shteti vendosi një taksë prej 40% mbi fitimet e marra nga
normat e interesit. Në një shtet si Shqipëria, shteti po orvartet të bëjë ligj
e të të detyrojë të sigurosh shtëpinë nga tërmeti. Kjo do të thotë më shumë
para për shtetin dhe më pak për Ty. A nuk të duket se je veç një skllav që
paguan veç detyrimet?
-Po si pak o zoti
Lam. A e di sa jam lodhur?
-Hë, ju
brekgrisurit vlerësoni më shumë një grusht mistër se sa kokën.
Në shtete të
tjera, shtetet mundohen të gjejnë hapësira për të të shtuar ndonjë taksë. Sepse
gjobat janë risku i përditshëm i çdonjërit prej nesh.
Dhe ti vazhdimisht
paguan.
Thuhet se vetëm
ajri ka mbetur pa u taksuar. Sepse uji si domosdoshmëri jetësore, që dikur
pihej në çezmat e lagjeve, tani është konservuar nëpër bidona e blihet në dyqan.
Dhe për ujin paguan sa frëngu pulën. Do pish kafen me një bidon uji. Do hash
drekën me një shishe uji. Dhe llogaria në fund të muajit të bie që ke paguar
për ujin po aq sa për ushqimin.
Po ajri? Vërtet ka
mbetur i pataksuar dhe shteti mendon aq shumë për ne sa atë na e ka lënë falas,
si bonus?
Ky është një gabim
shumë i madh. Dhe këtu duhet vënë në punë truri, për të gjetur kleçkën.
Pikërisht ajri, oksigjeni jetik është më i taksuari. Sepse Ti nuk thith dot
oksigjen të pastër. Do ta thithësh të ndotur e të mbushur me gazra sulfurikë.
Dhe mushkëritë e tua do dalin jashtë funksionit më shpejt nga sa i kanë orët e
punës. Pastaj do bëhesh një pacient i poliklinikës së lagjes dhe më pas i
spitalit onkologjik. Dhe do paguash aq shumë para sa s’ta merr mendja që të
mund të thithësh pak oksigjen të pastër përmes aparaturës.
Dhe kështu Ti
mbetesh një skllav i ri në Shtetin që je munduar aq shumë ta ngresh vetë. Por
që ai të është kthyer kundër e nuk pyet më për Ty. Nuk pyet as për atë mundim
të madh derisa Ti e ngrite dhe e vure në lëvizje me qëllimin e mirë që të të
shërbente. Ai tani nuk njeh më Zot, dhe flirton vetëm më atë që hipën në
pushtet dhe merr timonin. Flirton me atë që është kryekuzhinier dhe ka në dorë
tepsinë.
Sepse ai tanimë ka
marrë superxhiro dhe askush nuk mund ta ndalë më. Ai mund të të shtypë nëse Ti
padashur i del përpara, dhe të shtyp pa mëshirë nëse Ti i del vetë përpara duke
bërë përpjekjen e radhës t’i prishësh ndonjë ingranazh me qëllim që ta ndalësh.
Por në këtë dyluftim ai do të dalë triumfues, si gjithmonë.
No comments:
Post a Comment