Më
ka zënë tmerri të takoj njerëz në rrugë. Është e sigurtë që 99.99 përqind e
atyre që takoj, pa më dhënë dorën e pa më pyetur fare për shëndetin a për
familjen, thjesht më kërkon një informacion që dihet, por që duhet konfirmuar
edhe një herë drejt e nga burimi:
-A
punon më në gazetë???
Deri
dje u jam përgjigjur me krenari e gojën plot: PO. Sot nuk di ku ta fus kokën e
si të gënjej, se thonë që fshati që duket nuk do kallauz. Sepse fill pas
pyetjes së parë dhe pohimit, vjen pyetja e dytë që përsëri nuk ka të bëjë as me
shëndetin dhe as me familjen: a do më botosh një shkrim?
Në
vend mor jahu, ça thu ti?! Unë në bahçen e kooperativës punoj, pse mos e botoj
dhe shkrimin tënd. Aty në thes me të tjerët.
Por
kjo punë ka marrë përmasa të gjera. Aq të gjera sa habitem. Sepse të gjithë
duan të botojnë shkrime… Nuk ka njeri të mos e ketë shkruar një shkrim sa një
studim.
Ore
ka njeri në këtë vend që punon si tornitor, a ka në treg ndonjë frezator, a
ndonjë axhustator. Se po më duket vetja si në kohën e Rilindjes, të gjithë me
laps e penë për Mëmëdhenë.
Të
gjithë shkruajnë, ngrejnë probleme shqetësuese… por bëjnë dhe qoka, më së
shumti. Pastaj vijnë vërdallë të gjejnë ndonjë mik në gazetë e kërkojnë me
këmbëngulje t’ua botosh. Dhe jo vetëm kaq por dhe t’ua nxjerrësh në faqen e
parë, përndryshe zemërohen. Dhe përsëri tek unë përplasen.
Kjo
më kujton batutën e filmit “Zëvendësi i grave”.
-Me
çfarë po merresh tani Maku? - Me futboll. - Po me kë luan? - Ah jo, janë të tjerët që
luajnë me mua. Unë jam topi.
Dhe
mua më duket vetja si kosh. Të gjithë zbrazen tek unë për të përmbushur
ambiciet e tyre. Më sjellin shkrime, si Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, që në
ëndrrën e përnatshme shihte familjarët me letrat dhe telegramet e ushtarëve të
vrarë në dorë: Divizioni i Hekurt, Regjimenti Lavdia, Batalioni Alpin… Merrini
ua botova. Ishte një terren i vështirë dhe shpesh bënte mot i keq…
Shkund
kokën. Ç’është ky haluçinacion? Ekzibicionizëm… Ëndrra prishet. Realiteti
vazhdon.
Formula,
si për çudi, është e gatshme, një për të gjithë. Ndoshta e kanë lexuar në
internet, se të jetë rastësi e gjitha kjo më duket si çudi. Dhe ja: ai të
thotë: Shikoje një herë shkrimin, ke dorë të lirë, po qe se nuk bën mos e boto.
Dhe ti nuk e boton… meqenëse ke dorë të lirë. Por pas tre ditësh ai të merr në
telefon e të vë me shpatulla për muri: Si ore nuk ma botove atë shkrimin tim?
Po sikur më le dorë të lirë o vëlla? Se dhe të vjen keq t’i thuash që nuk bënte
se demek kishte gabime parimore. Shfryj e mundohem ca, si përfundim arrin t’ia
botosh atë palo shkrim, dhe mendon se më në fund do të të bien veshët rehat.
Mirëpo kush të lë? Që në mëngjes bie zilja e celularit. Mendon se po të të
shqetëson për të të falenderuar. Ia vlen shqetësimi…. tek e fundit. Por
buzëqeshja të ngrin në buzë.
-“Po
mirë mo, kaq problem e kishte të ma nxirrje në faqe të parë?” – Ou… e pse
kështu? – “Po kush e di se kam botuar një shkrim ku kam ngritur probleme
thelbësore të ekzistencës… po s’u lexua emri në mëngjes kur lexohen titujt e
gazetave në televizor”?.
Po
kësaj çfarë t’i thuash?!
Ndihesh
i turpëruar. Se nuk ia bëre nderin deri në fund atij që të erdhi tek dera.
Dhe
siç e përmenda më parë, kjo është një formulë që në mënyrë uniformë e përdorin
të gjithë.
Ore,
unë gazetar jam. Se gazeta ka dhe redaktor, edhe kryeredaktor dhe drejtor… Janë
shumë yçkëla rrugës. Ose thënë ndryshe, filtra. Pse çfarë u bëra unë? Kulti i
individit. Vetë firmos e vetë vulos. Pastaj jo të gjitha shkrimet dalin në faqe
të parë. “Lëre-lëre, më mirë mos të ma kishe botuar fare”. Po unë s’ta botova
ore, për kokën tënde. Po ç’të të bëj që më gjete dhe mik të fortë e ma kape
kokën me derë…
-Kësaj
i thonë hip se të vrava e zbrit se të vrava. Si do vejë ky halli im?
-I
ziu ti.
Së
fundi kam ndryshuar taktikë. Kur më pyesin: “Punon akoma te gazeta” dhe kjo nuk
do konfirmim, përgjigjem me kokën lart: – Po vëlla!
-Do
më botosh një shkrim?
-Jo!
Shkurt
dhe saktë.
Pse
mo kaq të vështirë e ke? Është shkrim i mirë, flet për rendimentin e grurit,
dhe për hapjen e tokave të reja, për kultivimin e panxharit. Pastaj ju çfarë
nuk botoni…
Dhe
ky është njëri nga modelet, se modeli i dytë është: Ti boton shkrimin e parë ai
me vrap të sjell shkrimin e dytë. Dhe me një shënim të veçantë: Është e mira ta
botosh që nesër. Të këput tjetri. Nuk bëhet shaka me të. Po pse me kaq axhele?
Se ashtu është puna.
-Kësaj
i thonë: më bëre një herë nder, të faleminderit.Të dytin do ma bësh se e ke për
detyrë!
Ore
nuk po punojmë me normë këtu. As nuk e mbulojmë sektorin e qokave… Pse nuk hap
një gazetë tënden dhe boton çfarë të të dojë kokrra e qejfit.
Dhëmbët
zbardhen.
Shaka.
-Ama
shaka gjete të bësh dhe ti?!
E
megjithatë një gjë ende nuk kam arritur ta kuptoj. Përse duan me se s’bën të
jenë njerëz publikë, e të botojnë shkrime pa asnjë vlerë vetëm e vetëm që të
jenë për ca orë në qendër të vëmendjes ku shokët e miqtë t’u dërgojnë mesazhe:
Urime për shkrimin! E dëgjova në mëngjes te Bashkimi. PS: Pak më vonë do ta
lexoj se tani po çoj qumështin në shtëpi.
Dhe
mendoni ju se ka nge njeri të lexojë. Hiç fare.
No comments:
Post a Comment