Nga Leonard Veizi
Ajo ishte bionde, e gjatë,
e bukur dhe elegante – një kombinim që në vitet ’90 dukej sikur ishte krijuar
posaçërisht për pasarelat. Ndaj nuk u bë thjesht një modele e famshme; por u
shndërrua në një nga fytyrat që mishëruan epokën e supermodeleve…
…Më 25 gusht 1970 – Në
Rheinberg të Gjermanisë Perëndimore lind Klaudia Shifer, modelja gjermane që
gjatë viteve ’90 do të shndërrohej në një nga fytyrat më të njohura të modës në
botë.
Në adoleshencë, Shifer nuk
e kishte menduar se do të bëhej modele. Ajo u zbulua në moshën 17-vjeçare në
një klub nate në Dyseldorf, nga një agjent i një agjencie modelingu. Fytyra e
saj bionde, tiparet e theksuara dhe ngjashmëria me ikonat e kinemasë së viteve
të mëparshme e bënë shpejt të dallueshme.
Karriera ndërkombëtare
nisi në fund të viteve ’80, kur Shifer u shfaq në fushata dhe kopertina të
revistave prestigjioze të modës. Por kthesa e madhe erdhi kur ajo u bë një nga
modelet kryesore të Shanelit, nën drejtimin artistik të Karl Lagerfeldit. Bashkëpunimi
me stilistin gjerman do të ishte vendimtar për krijimin e imazhit të saj si një
prej supermodeleve të epokës.
Në fillim të karrierës,
shtypi e krahasoi shpesh me Brigite Bardo, për shkak të flokëve biondë, pamjes
sensuale dhe një kombinimi të veçantë mes elegancës dhe sensualitetit. Por
Shifer shumë shpejt e krijoi identitetin e saj.
Vitet ’90 ishin dekada e
supermodeleve. Emri i Klaudia Shifer u vendos në të njëjtën ligë me Naomi
Kembëll, Sindi Krouford, Linda Evangelista dhe Kristi Tërlington. Ato nuk ishin
më thjesht modele që shfaqeshin në pasarelat e modës. U bënë personazhe globale,
me kontrata milionëshe, kopertina revistash dhe një ndikim që kapërcente
kufijtë e industrisë së modës.
Shifer u shfaq në qindra
kopertina revistash dhe punoi me disa prej fotografëve dhe shtëpive më të
rëndësishme të modës. Fytyra e saj u bë pjesë e reklamave ndërkombëtare, ndërsa
emri filloi të përdorej si sinonim i epokës së artë të supermodeleve.
Në vitet e mëvonshme ajo u
shfaq edhe në filma dhe programe televizive, duke provuar të zgjerojë karrierën
përtej modës. Ndërkohë, u angazhua edhe në projekte të lidhura me dizajnin dhe
stilin.
Ajo që e dalloi Shiferin
ishte aftësia për të mbetur një figurë publike edhe pasi epoka e supermodeleve
filloi të ndryshonte. Nga pasarelat e Parisit, Milanos dhe Nju-Jorkut, ajo
kaloi në një fazë tjetër të karrierës, duke e kthyer famën e modeles në një
markë personale.
Klaudia Shifer mbetet një
nga fytyrat që përcaktuan modën e viteve ’90. Në një kohë kur revistat e modës
mund të krijonin yje botërorë brenda një nate, ajo ishte ndër ato gra që e
shndërruan modelingun nga një profesion në një fenomen të kulturës pop.
Biondja nga Rheinbergu nuk
ishte vetëm një modele e suksesshme. Ajo ishte një nga simbolet e epokës së
supermodeleve.

No comments:
Post a Comment