Nga Leonard Veizi
Më 13 maj 1917,
nën qiellin e kristaltë të një vendi të përhumbur në qetësi, ndodhi diçka që do
të gërryente përgjithmonë kufirin mes të mundshmes dhe të pamundurës. Ishte
fshati Fatima i Portugalisë. Tre fëmijë barinj - Luçia dos Santos dhe
kushërinjtë e saj, Françesko dhe Jaçinta Marto - u kthyen nga fushat e Fatimës
me një rrëfim që nuk ishte vetëm një dëshmi, por një tërmet shpirtëror. Ata
thanë se kishin parë një Zonjë të veshur me dritë, më verbuese se vetë dielli.
Në atë çast, ata fëmijë të varfër e të pafajshëm, pa e ditur, sapo kishin hapur
një portë misteri që do të trondiste themelet e Vatikanit dhe do të ndizte një
luftë të pafundme mes ftohtësisë së arsyes dhe zjarrit të besimit...
...Për botën
katolike, ajo ishte Virgjëresha Mari; për skeptikët, një iluzion i lindur nga
uria apo trauma kolektive; por për ata që guxojnë të shohin përtej perdes,
ishte një mesazh nga një dimension që njerëzimi, sado që mburret me shkencën e
tij, ende nuk e zotëron.
Mesazhet
Ngjarja
në "Kova da Iria" nuk ishte thjesht një vizion pasiv. Zonja u dha
fëmijëve mesazhe që rëndonin si plumb mbi fatin e njerëzimit: luftëra
apokaliptike, vuajtje të paimagjinueshme dhe një thirrje për pendesë në një
botë që po harronte Zotin. Këto u bënë të njohura si "Tre sekretet e
Fatimës", një trilogji profetike që Kisha e mbajti nën vëzhgim me një
hezitim që i ngjante frikës, derisa në vitin 1930, peshkopi Jozef Alves Korreia
da Silva i shpalli ato "të denja për besim". Aty vdiq thjeshtësia e
një ngjarjeje rurale dhe lindi një mit që do të mbartte peshën e shekullit XX.
Dyshimi
Nuk mund të mos
vëresh se Fatima nuk mbeti kurrë vetëm brenda mureve të kishave. Ajo u
shndërrua në një territor të errët ku profecia u përzje me politikën e Luftës
së Ftohtë, ku ankthi i komunizmit dhe rënia e Krishterimit gjetën një pasqyrë
ku të shiheshin. Kur Papa Gjon Pali II u qëllua në sheshin "Shën
Pjetër", plumbi që nuk e vrau u lidh pashmangshmërisht me dorën e
padukshme të Zonjës së Fatimës. Por pyetja që vazhdon të na përndjekë, ashtu si
një hije në perëndim, mbetet e njëjta: Çfarë panë realisht ata sy të vegjël
barinjsh në atë fshat të humbur?
"Sekreti i
Tretë"
Kjo atmosferë
pezullimi, ky tension mes asaj që dimë dhe asaj që dyshojmë, është zemra që
rreh në romanin "Sekreti i Tretë" të autorit amerikan Stiv Berri, botuar për herë të
parë në vitin 2005. Libri ndërthur ngjarje të trilluara me elemente reale të
historisë së Vatikanit, duke u përqendruar rreth misterit të famshëm të
“Sekretit të tretë të Fatimës” Aty, Fatima nuk trajtohet si një relikt i të
kaluarës, por si një sekret i gjallë që mund të shpërbëjë strukturën e
historisë. Në faqet e këtij libri, vija ndarëse mes besimit të pastër dhe
konspiracionit më të zi bëhet e padukshme. Njerëzimi, në të vërtetë, nuk ka
frikë nga misteri; ai tmerrohet nga e vërteta që mund të zbulohet kur misteri
të zgjidhet.
Peligrinazhi
Ndoshta
elementi më tronditës i gjithë kësaj historie nuk është mrekullia e diellit apo
shfaqja e dritës, por ndikimi i saj shkatërrues mbi qetësinë tonë mendore.
Miliona njerëz kanë udhëtuar drejt asaj pike gjeografike, disa duke u zvarritur
në gjunjë për një mrekulli, të tjerë me thjerrëzat e shkencës për të kërkuar
një provë materiale. Por të gjithë, pa përjashtim, shkojnë aty për të ndier se
universi nuk është vetëm materie e ftohtë dhe e vdekur, por një qenie që merr
frymë dhe komunikon.
Epilogu
Në
thelb, Fatima mbetet fushëbeteja ku arsyeja dhe mistikja përplasen pa mundur ta
asgjësojnë njëra-tjetrën. Edhe sot, pas më shumë se një shekulli, historia
mbetet e hapur, një plagë që nuk mbyllet. Shkenca belbëzon, besimi dridhet dhe
forca e misterit shtohet. Ndoshta çdo qytetërim ka nevojë për sekretet e veta,
për histori që qëndrojnë në atë "tokë të askujt" mes reales dhe së
padukshmes. Fatima është kujtesa jonë kolektive se njeriu, sado teknologjik të
bëhet, mbetet një qenie që vazhdon të kërkojë shenja në qiell. Dhe ndoshta, në
heshtjen e ftohtë të kozmosit, ne kemi ende nevojë dëshpëruese të besojmë se
dikush, diku, po përpiqet të na thotë diçka që ne ende nuk jemi gati ta
dëgjojmë.

No comments:
Post a Comment