Monday, May 11, 2026

Jan van Ajk, piktori i rilindjes veriore me enigmën: "Portreti i Arnolfinit"

 


Leonard Veizi
 
Ekspertët thonë se ka dy lloje pikturash: nga ato që mbarojnë sapo i sheh, si dhe ka kryevepra që nuk mbarojnë kurrë së lexuari. E tillë është "Portreti i Arnolfinit", ose “The Arnolfini Portrait” një nga ato krijime ku sa më shumë thellohesh, aq më shumë bindesh se artisti po të fsheh diçka pas shkëlqimit të dritës dhe saktësisë së detajit. Jan van Ajk (Jan van Eyck) nuk krijoi vetëm një portret; ai ndërtoi një enigmë vizuale gjashtëshekullore ku çdo objekt mbart një kod të dytë, një gjuhë të heshtur që ende na fton ta deshifrojmë.
 

Një dritare drejt shekullit XV
Në pamje të parë, skena është e thjeshtë: në një dhomë borgjeze në Bryzhe, qëndrojnë një burrë dhe një grua. Ai i mban dorën, ndërsa ajo vesh një fustan jeshil voluminoz, siluetë që në sytë modernë krijon menjëherë përshtypjen e një shtatzënie. Rreth tyre, Van Ajku ka rreshtuar objekte që vetëm në dukje janë të zakonshme: një llambadar bronzi, një qen i vogël, pantofla të hequra dhe portokalle pranë dritares.
Por në laboratorin artistik të flamandit të madh, asgjë nuk është rastësore. Si një nga pionierët e Rilindjes Veriore, - mendohet se lindi rreth vitit 1390 në zonën e Maaseik, në territorin që sot i përket Belgjikës, - Van Ajku e përsosi bojën e vajit në atë nivel sa teksturat e leshit, mëndafshit dhe drurit kanë një realizëm pothuajse fizik. Megjithatë, magjia e vërtetë fshihet te pasqyra e rrumbullakët në mur.
 
"Jan van Ajku ishte këtu"
Detaji më intrigues mbetet pikërisht ky reflektim. Në pasqyrë shfaqet çifti nga shpina, por edhe dy figura të tjera që hyjnë në dhomë. Mbi të, piktori ka lënë një shënim të pazakontë: “Johannes de Eyck fuit hic 1434” e cila në shqip vjen: Jan van Ajku ishte këtu, 1434.
Kjo nuk është një firmë e thjeshtë artisti; është një dëshmi. Ky fakt i ka shtyrë historianët e artit drejt tre interpretimeve kryesore:
 
Kontrata Martese: Piktura mund të ketë shërbyer si një dokument vizual ligjor, ku piktori vepronte si garant dhe dëshmitar i një ceremonie private. Dora e ngritur e burrit ngjan më shumë me një betim solemn sesa me një përshëndetje.
 
Universi i Simboleve: Çdo element është një fjalë në një fjali morale. Qeni është besnikëria; pantoflat e hequra tregojnë se po shkelet në një hapësirë të shenjtë; qiriri i vetëm i ndezur simbolizon praninë hyjnore. Edhe portokallet, tepër të shtrenjta për kohën, nuk tregonin vetëm pasuri, por edhe pastërtinë e parajsës.
 
Memoriali i Heshtur: Një teori më melankolike sugjeron se ky mund të jetë një portret pas vdekjes. Studiuesit kanë vënë re se qiriri është i ndezur mbi burrin, por i fikur mbi gruan, - Xhovana Çenami, -  duke e lexuar si një metaforë mes jetës dhe vdekjes.
 
Më shumë se një "kamera" e kohës
Shpesh dëgjojmë të thuhet se Van Ajku ishte për pikturën atë që kamera do të ishte më vonë për fotografinë: një makinë precize për të kapur botën. Por ky krahasim, ndonëse i saktë teknikisht, mbetet i mangët në rrafshin shpirtëror.
Kamera kap atë që ndodhet para objektivit, ndërsa Van Ajku kap atë që ndodhet prapa realitetit. Ai nuk mjaftohet me pasqyrimin e rrudhave, lotëve apo reflektimit në sy; ai u jep atyre peshë metafizike. Madhështia e tij qëndron te guximi për ta bërë pikturën të konkurrojë me vetë realitetin, duke na lënë pas një "dritare" që, ndonëse është e hapur prej vitit 1434, ende na mban pezull me misterin e saj.
Jan van Ajku na mësoi se realizmi i vërtetë nuk është thjesht kopjimi i botës, por vëzhgimi i saj me një saktësi aq të dhimbshme, sa detaji të shndërrohet në poezi. Gjashtë shekuj më pas, "Portreti Arnolfini" mbetet prova se arti i vërtetë nuk ka nevojë për fjalë për të treguar një histori pafund, por vetëm për një pasqyrë, një dritë dhe një dëshmitar që guxon të thotë: "Unë isha këtu".

No comments:

Post a Comment