Friday, May 15, 2026

Nga Çarli Çaplin te “Oscar”-i, fillimi i një legjende në Hollivud

 

 
Nga Leonard Veizi
 
 Në muzgun e artë të Kalifornisë, aty ku nisin të thuren ëndrra mbi celuloid, një burrë me sy melankolikë dhe hap të lëkundur po përgatitej të hynte në histori. Çarli Çaplin, gjeniu që i kishte dhënë shpirt kinemasë, ecte atë mbrëmje jo drejt një salle balloje, por drejt pavdekësisë. Me bastunin e tij të famshëm dhe kapelën gjysmërrethore të lënë pas në dhomën e zhveshjes, ai mbante mbi supe peshën e një epoke që po perëndonte – asaj të filmit pa zë – dhe agimin e një kohe të re që po lindte mes shkëlqimit të Hollivudit...
 
...Më 16 maj 1929, në zemër të Hollivudit, industria amerikane e filmit organizoi për herë të parë ceremoninë që më vonë do të shndërrohej në ngjarjen më të famshme, më të përfolur dhe më të lakmuar të kinemasë botërore: ndarjen e Çmimeve të Akademisë.
 
Darka modeste që ndryshoi historinë
Në atë kohë, askush prej të pranishmëve nuk e imagjinonte se ajo mbrëmje intime dhe modeste do të kthehej një ditë në spektaklin gjigant që sot ndiqet me frymë pezull nga qindra miliona njerëz në mbarë botën. Ceremonia u zhvillua në sallën “Blossom Room” të hotelit “Hollivud Ruzvelt”, në një atmosferë elegante e të ngrohtë, por vite dritë larg shkëlqimit modern të tapetit të kuq, dritave verbuese të fotografëve dhe transmetimeve globale satelitore.
Në sallë ndodheshin vetëm 270 të ftuar: një rreth i ngushtë aktorësh, regjisorësh, producentësh dhe figurash kyçe të industrisë në rritje të filmit amerikan. Ata ishin mbledhur rreth tryezave të darkës, ku bileta e hyrjes kushtonte vetëm pesë dollarë, një shumë që sot duket pothuajse simbolike.
Nuk pati asnjë element surprize: fituesit ishin shpallur tre muaj më parë, ndaj ankthi i zarfeve të mbyllura nuk ekzistonte ende. E gjithë ceremonia zgjati vetëm 15 minuta. Nuk pati fjalime të gjata me lot, as skena madhështore, as muzikë dramatike orkestrale dhe as kamera televizive. Në fakt, kjo mbetet e vetmja ceremoni e Çmimeve të Akademisë që nuk u transmetua as në radio dhe as në televizion.
 
Nderimi i gjeniut të heshtur
Në atë natë historike u nderuan filmat më të mirë të viteve 1927–1928. Filmi pa zë mbi Luftën e Parë Botërore, “Krahët”, fitoi çmimin për filmin më të mirë, duke hyrë në histori si fituesi i parë i madh i Akademisë për vlerat e tij të jashtëzakonshme artistike dhe teknike.
Megjithatë, vëmendja kryesore e mbrëmjes i takoi një njeriu: Çarli Çaplin. Ai ishte nominuar fillimisht në disa kategori për filmin e tij “Cirku”, por Akademia vendosi ta hiqte nga garat e zakonshme, sepse mendonte se talenti i tij nuk mund të kufizohej brenda një kategorie të vetme.
Në vend të kësaj, Çaplinit iu dorëzua një Çmim Nderi i posaçëm. Akademia e vlerësoi për “gjithanshmërinë dhe gjeniun e treguar në aktrim, shkrim, regji dhe prodhim të filmit ‘Cirku’”.
Ishte një mirënjohje e thellë për njeriun që kishte bërë botën të qeshte e të përlotej pa thënë asnjë fjalë, pikërisht në momentin kur arti i tij po kërcënohej nga ardhja e filmit me zë.
 
Si lindi emri “Oscar”?
Interesant është fakti se në vitin 1929 statuja e artë, që paraqiste një kalorës me shpatë mbi një rrotull filmi, ende nuk quhej “Oscar”. Emri zyrtar ishte thjesht “Çmimi i Meritës i Akademisë”.
Nofka që do të hynte në histori lindi pak vite më vonë, rreth vitit 1931. Sipas tregimit më të njohur në Hollivud, bibliotekarja e Akademisë, Margaret Herik, kur pa statujën për herë të parë, tha me humor:
“Po i ngjan fiks xhaxhait tim, Oskar!”
Shprehja u përhap me shpejtësi mes gazetarëve dhe njerëzve të industrisë së filmit. Publiku filloi ta quante trofeun “Oscar”, derisa në vitin 1939 vetë Akademia e pranoi zyrtarisht këtë emër.
 
Një industri në udhëkryq
Në fund të viteve ’20, Hollivudi po jetonte një revolucion të madh. Kinemaja sapo kishte hyrë në epokën e filmit me zë pas suksesit historik të filmit “Këngëtari i Xhazit”, i pari film i suksesshëm me dialog të sinkronizuar.
Studiot amerikane po shndërroheshin me shpejtësi nga qendra argëtimi në një industri gjigante kulturore dhe ekonomike. Çmimet e Akademisë u krijuan nga drejtuesi i studios “MGM”, Lluis B. Mejer, me synimin për të bashkuar industrinë dhe për të forcuar prestigjin e kinemasë amerikane në një kohë ndryshimesh të mëdha.
Askush nga të pranishmit që pinin duhan dhe bisedonin qetësisht atë natë maji të vitit 1929 në hotelin “Hollivud Ruzvelt” nuk mund ta dinte se po merrte pjesë në lindjen e një tradite që do të mbijetonte për dekada të tëra. Një ritual që do të kalonte Luftën e Dytë Botërore, Depresionin e Madh Ekonomik dhe revolucionet teknologjike, duke mbetur simboli më i madh i triumfit në botën e filmit.
Nga një darkë e thjeshtë 15-minutëshe me 270 persona, ceremonia e Oscar-ëve shkroi kapitullin e parë të asaj që sot konsiderohet nata më e madhe e kinemasë botërore.

No comments:

Post a Comment