Saturday, February 21, 2026

Lapsi i gurtë mbi retë e Uashingtonit, atje ku historia shkruhet me mermer



Nga Leonard Veizi
 
Ekziston një kufi i padukshëm ku arti ekstrem pushon së qeni thjesht formë dhe shndërrohet në testament. Thuhet se ka objekte që e zbukurojnë një qytet si stoli të rastësishme, por ka monumente që e përkufizojnë atë, duke u bërë vetë shtylla kurrizore e kujtesës së tij.
Në Uashington, në këtë metropol ku pushteti matet me peshën e fjalës, horizonti nuk dorëzohet para kupolave baroke apo arrogancës së kullave qiellgërvishtëse. Ai dominohet nga një vijë e drejtë, e pastër, e palëkundur; një teh mermeri që pret horizontin më dysh.
Ky është një monolit që nuk kërkon vëmendje përmes dekorit apo stërhollimeve të daltës. Ai nuk kërkon të mahnisë me zbukurime që janë gdhendur mbi të, por me vetë zhveshjen e tij. Është një shtyllë guri që triumfon mbi kohën, jo sepse thotë shumë, por sepse heshtja e tij është më e lartë se çdo zhurmë tjetër në këtë qytet.
 
...Më 21 shkurt 1885, ky obelisk gjigant iu përkushtua kombit amerikan – edhe pse në fakt ceremonia zyrtare u mbajt më 3 mars, - si një akt solemn nderimi për Xhorxh Uashingtonin, presidentin e parë dhe figurën themeluese të republikës. Objekti nuk është thjesht një strukturë prej 169 metrash – obelisku prej guri më i larti në botë – por një deklaratë e skalitur në mermer.

 
Vizita
Dhe kam pasur rastin, apo ndoshta fatin, që këtë obelisk madhështor, ta shoh nga afër gjatë një udhetimin në Shtetet e Bashkuara. Kur u gjenda përballë tij, në një mëngjes të kthjellët korriku, - pikërisht vetëm dy ditë para 4 korrikut, - pata ndjesinë se po shikoja një bosht vertikal që lidh tokën me qiellin. Nga larg ky objekt dukej si një laps i bardhë mbi horizontin e lirisë. Nga afër, përmasat e tij të imponojnë një heshtje instinktive. Njerëzit, turistë të shumtë në këmbët e tij, mbi tapetin e gjelbër të National Mall, duken si silueta kalimtare; ndërsa ai, monoliti i palëkundur, duket sikur mban mbi supe jo vetëm peshën e gurit, por të historisë.
 
36 vite
Historia e tij është një rrëfim këmbënguljeje. Projekti u konceptua nga arkitekti Robert Mills dhe punimet nisën në vitin 1848. Por ajo që duhej të ishte një ndërmarrje madhështore kombëtare u kthye në një kalvar ndërprerjesh. Mungesa e fondeve, përçarjet politike dhe më pas shpërthimi i Lufta Civile Amerikane e ndalën ndërtimin për vite të tëra.
Për një kohë të gjatë, në mes të fushës qëndronte vetëm një trung i prerë guri – një premtim i papërfunduar. Kur punimet rifilluan në vitet 1870 me financim federal, u përdorën gurë nga një gurore tjetër. Sot, rreth 45 metra mbi tokë, syri dallon një ndryshim të lehtë në nuancën e mermerit. Është si një “plagë” e dukshme – një vijë që tregon ndërprerjen. Monumenti, në vetvete, mbart kujtesën e krizës dhe të bashkimit. Rruga drejt përfundimit zgjati plot 36 vjet.
Ironia e fatit deshi që Robert Mills të vdiste vetëm pak kohë pas ceremonisë së përkushtimit. Por vepra e tij mbeti – e zhveshur nga tepricat, e përqendruar në formë dhe simbol.
 
“Laus Deo”
Në majën piramidale të obeliskut ndodhet një kapelë alumini, një metal që në vitin 1884 kishte vlerën e argjendit. Mbi të janë gdhendur fjalët latine Laus Deo – “Lavdi Zotit”. Çdo mëngjes, para se qyteti të zgjohet plotësisht, janë pikërisht këto dy fjalë që përqafojnë të parat rrezet e diellit mbi lumin Potomac.
Brenda mureve të monumentit, të fshehur nga syri i kalimtarit, ndodhen 193 gurë përkujtimorë të dhuruar nga shtete, organizata dhe shoqata nga mbarë bota. Secili është një dëshmi respekti, një shenjë që e lidh këtë shtyllë me komunitetin ndërkombëtar. Edhe Shqipëria ka lënë gjurmën e saj simbolike mes tyre – një gur që dëshmon praninë tonë në historinë e këtij kolosi.
 
Epilogu
Teksa qëndroja pranë bazës së tij dhe preka gurin e ftohtë, kuptova se ky obelisk nuk është thjesht homazh për një njeri. Ai është metaforë e vetë demokracisë amerikane: e ndërtuar me vështirësi, e ndërprerë nga kriza, e vënë në provë nga lufta, por në fund e përfunduar dhe e ngritur lart.
Në mbrëmje, kur qielli errësohet dhe dritat e qytetit ndizen, “Washington Monument” shndërrohet në një far të heshtur. Nuk ndriçon rrugët, por kujtesën. Një heshtje prej guri që vazhdon të flasë me qiellin.

No comments:

Post a Comment