Monday, March 30, 2020

“Covid-19” tek Infektivi, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”



 
Nga Leonard Veizi

“Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Më këtë shprehje, që më pas u bë tepër e famshme, Erih Maria Remark do të simbolizonte ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore. Me këtë shprehje të një optimizmi të parakohshëm do të doja ta nisja këtë shkrim përshkrues në territorin rreth Spitalit Infektiv, aty ku duket se terrori nga armiku mikroskopik “Covid-19”, ka lënë një terren të zbrazët.
Ndoshta për faktin se në tre ditët e fundit, zbulimet e njerëzve që e mbartin virusin kanë pësuar një rënie, ia vlen të flasësh me më shumë entuziazëm, se sa ditën e 26 marsit, kur kurba u ngjit me 28-të raste pozitive.
Nuk di në mund të quhet sukses një gjë e tillë në këto kushte, por edhe sukses mund të quhet gjithsesi dhe nuk është gabim. Sa për meritat, ato po, mund të ndahen mes burrave të shtetit vendimmarrës dhe popullit të thjeshtë e stoik që ka ditur të qëndrojë brenda në transhe. “Urdhri zbatohet, nuk diskutohet” është një nga ligjet postulat të kohës së luftës. Dhe siç thotë kryeministri, ne sot jemi në luftë. Por trimat e kësaj lufte nuk duhet t’i vënë gjoksin topit, si Mic Sokoli një herë motit dhe as si Selam Salaria ca më këtej në kohë, por të rrasen në kolltuk me një xhin në dorë, të shohin filma në kokërr të qejfit, e të mos u ndihet zëri i gojës për be.
Fillimjava e fundmarsit nisi me një diell elektrizues, ndërsa në mesditë vapa mbërtheu, duke u bërë thuajse e padurueshme. Në 07.45 minuta i drejtova një kërkesë policisë që të më jepje mundësinë të lëvizja me makinë. Pak minuta më vonë përgjigja erdhi: “Kërkesa juaj për autorizim privat u miratua”. Nuk ishte dhe aq e vështirë sa e mendova në fillim. Një i afërmi im kishte nevojë për ndihmë. Në mungesë të taksisë i duhej një automjet për të shkuar në Spitalin Onkologjik ku kishte dhe seancën e radhës së kimioterapisë. Dola vullnetar, duke iu bashkangjitur thirrjes së kryeministrit për t’u qenë pranë moshave të treta dhe atyre në nevojë. Meqenëse nuk kam para mënjanë, sa të financoj në zbutjen e pasojave të tërmetit apo në blerjen e tamponëve labotarorikë, të paktën i dhashë iniciativë vetes të bëja ndonjë hamallëk, qoftë dhe duke ngjitur qeset me ushqime nëpër shkallë, në këto ditë lufte pa gjëmime topash e fluturime avionësh mbi qytet.
Moshat e treta të mos dalin nga shtëpia” vulos fermanin e radhës kryeveziri. Po mirë o shef, po për të ngrënë si do ia bëjnë këta? Po për ndonjë urgjencë? Po ata që vijnë nga rrethet për trajtime ditore në spital dhe u duhet të kthehen sërish? Sikur ta liroje ca dorën...
Me zgjuarsinë e një të ngujuari, mendova se do të ishte më mirë të lëvizja në fashën orare 12.00-13.00 edhe për të mos rënë pre e patrullave të policisë, duke anashkaluar kështu “pyetësorin e Prustit”: Jo po me lejen e kujt ke dalë xhiro, jo po e ke marrë autorizimin, jo po detyrimet a i ke shlyer.... “Jo po ujku të të çajë”. Se kështu e kanë këto punë: Taksat i paguani kur të “çlirohet Shqipëria”. Por ja që të nesërmen vjen urdhri i dytë: Se mos nuk paguani taksat ose... Demek: hip se të vrava, zbrit se të vrava.
“I ziu ti!”
Tek dera e QSUT-së trau që të ndalonte vozitjen vazhdonte të ishte po aty ku e kisha lënë dhe më parë, ndërsa kioska e vjeljes së të ardhurave nga parkingu punonte pa u trembur nga alarmi “karantinë”. Mos u duket shaka. Me ato para kush e di sa ilaçe blihen. Në mos ilaçe të paktën detergjente për të larë pllakat dhe WC-të.
“Onkologjiku” dhe “Infektivi” janë thuajse në krah të njëri-tjetrit, veç me qëndrim më të kithët.
Zhurmën e zakonshme në territorin e spitalit “Nënë Tereza”, e kishte zënë një paqe oportuniste. Nuk ishte më qetësia vrastare e ditëve të para të karantinës. Pas më shumë se 20 ditësh, të gjithë duket se janë mësuar me këtë fakt.
Shoqëroj të afërmin tim deri te dera e spitalit ku nuk hynte as miza veç pacientëve që vërtetonin katërcipërisht që ishin kontingjenti i atij spitali me një dosje letrash, vula e firma mjekësh.
Ele, ele, - thashë me vete, - sikur të ishte gjithmonë kështu. Po ne shqiptarët e kemi zakon, një të sëmurë që nuk di ku ka kokën e shoqëron nga pas dhe një batalion këmbësorie me kushërinj të afërt dhe farefis. Dhe dera e spitalit duket si ajo e VEFA-s ku merreshin e jepeshin para fajdesh.
Pas këtij detyrimi, dola të bëja një xhiro për qejfin tim. Isha në epiqendrën shqiptare të Covidit. Por syri nuk më trembej. E ku kishte më bukur se të ishe ballë për ballë me armikun. O unë o ti, rrugë të mesme s’ka. Unë në anën e prapme të llogores ai diku aty vërdallë. Armik i rafinuar, demek.
Mjekët “heronj” ndodheshin brenda godinës, duke u përleshur trup më trup me armikun. Gazetarët “heronj” raportonin nga vendi i ngjarjes. Në fakt mjekët, janë heronj edhe pa praninë e Covidit, sepse ata janë të ekspozuar gjatë gjithë kohës nga gjithfarë virusesh të tjera. E pse u dashkërka të cilësohen heronj tani?! Ndërsa kolegët gazetarë, nëse nuk do të raportonin nga dera e Infektivit, me siguri do të raportonin nga ndonjë skenë krimi, të cilat këto ditë për shans i kemi harruar. Pra edhe ata, janë heronj, pa qenë të tillë. Dhe kështu as më pak e as më shumë secili kryen detyrën e vet. Unë gjithashtu isha “heroi” i radhës, por veç nga halli.
Nxjerr celularin dhe bëj fotografitë e rastit. Më maskë në kokë dhe doreza në duar vetja më dukej si agjent i fshehtë: Ja, me këto foto mund të bëhen kartolina shumë të mira, - më erdhi në mend shprehja e zotit Alberto te “Gjeneral Gramafoni”, të dërguarit të SIM-it që veç të tjerave raportonte dhe për pikat strategjike ku do të dislokohej ushtria e Fashos. Dhe qesha.
Pranë gardhit portativ prej metali, disa tabela të kuqe të paralajmëronin: “Zonë në karantinë – Hyrje me autorizim”.
-Bën vaki ta kaloj gardhin, e të shoh çfarë bëhet andej... – i kërkoj ndihmë një ndihmësmjeku që m’u duk si fytyrë e njohur.
-Je në vete, - ma ktheu ai, por ne nëntekst dukej sikur donte të thoshte: Je trap apo bën vetë.
Këtej gardhit veç operatorët dhe gazetarët që kanë instaluar kamerat prej ditësh vazhdonin të raportonin live për lajmet në TV. Nga krahu tjetër nja dy policë me maska në fytyrë bënin tutje-tu në formë patrullimi. Lëvizjet brenda territorit të Infektivit ishin të pakta dhe të motivuara, padyshim. Kë la njeri mendja, që në një situatë të tillë të dalë për një dorë muhabeti se u lodh nga puna, apo të tymosi një cigare se iu ça hunda?!
Përshëndetem me kolegët. Alma e “Top”-it raportin se janë 11 të prekur për ditën e sotme. Ja dhe informacionin e mora. E rëndësishme është që nuk ka shtim të rasteve. Nuk ka vend për optimizëm të theksuar, por gjithsesi frymë mund të marrësh lehtësisht.
O Zot, - them me vete, - kur do mbarojë ky ankth, të pimë një kafe rehat si në kohët e vjetra e pse jo dhe një gotë rakie nga pas.
I afërmi im mbaron punë në kohë rekord, me procedurë të përshpejtuar. Do edhe 10 minuta të mbarojë koha e shtetrrethimit. Tek hipi në makinë, shoh që aty pranë Onkologjikut,  një vend që nuk është as lulishte dhe as parking, kishin shpërthyer ujërat. Por punëtorët kishin ardhur e vrap dhe puna për “tharjen e kënetës” kishte nisën sakaq. Pagova për kohën e qëndrimit në parking dhe ia mbatha me të katërta. Në rrugë u dëgjuan sirenat e alarmeve të makinave të policisë që të kujtonin se koha e rregullt për të mbaruar detyrimet familjare kishte mbaruar. Urgjent në kazermë.


No comments:

Post a Comment