Leonard Veizi
Deri
në 9 maj, zyrtarisht jemi në fushë e betejën politike. Atë ditë, ndërsa Evropa
kujton fundin e Luftës së Dytë Botërore, - kur feldmareshali Vilhelm Keitel
nënshkroi kapitullimin pa kushte të Vermahtit gjerman, - ne kemi mbylljen e
fushatës. Dhe fundin e fushatës elektorale është një betejë pa bomba, por me
shumë zhurmë, këngë, vallë e melodi.
Ne
nuk festojmë fitoren mbi fashizmin, por fitoren mbi boshllëkun që mbushim me
flamuj, fjalime dhe spote muzikore që të kujtojnë reklamën e ujit të gazuar.
Fushata
ka nisur tashmë.
Sheshet
e Shqipërisë nuk janë më bosh. Në fakt kurrë nuk kanë qenë bosh kur i ka
thirrur politika. Kjo është prova më e mirë që demokracia funksionon: njerëzit
vrapojnë me entuziazëm kur dëgjojnë fjalën magjike "fushatë"! Tani,
rrugët janë ngjyrë flake – jo nga zjarri i revoltës qytetare, por nga shallet
partiakë, xhaketat njëngjyrëshe dhe tullumbacet me logo.
Shqipëria
është zgjuar!
Jo
për të protestuar për pensionet apo për spitale që funksionojnë me aspirina dhe
lutje, por për të duartrokitur një fjalim që fillon me “Të dashur qytetarë…”
dhe mbaron me “Ju dua shumë!”. Apo më keq akoma: Zoti e ndihmoftë Shqipërinë.
Demek
“në dorë të Zotit”, se për dorën e politikës as që bëhet fjalë.
Ne
shqiptarët jemi unikë. Jemi popull me halle, por me prioritet partiake.
Protestojmë vetëm kur na thërret partia, sepse nuk kemi kohë për luksin e
idealizmit. Shqiptarët nuk protestojnë kur çmimi i bukës rritet. Jo. Ata e hanë
bukën me kripë e me zemër, pastaj dalin në shesh për të dëgjuar një fjalim që u
shpjegon se pse duhet ta duan më shumë partinë sesa stomakun. Atyre nuk u duhet
rritje page, ujë i pijshëm, spitale që funksionojnë apo tavane shkollash që nuk
rrëzohen mbi kokat e fëmijëve. Nuk reagojmë kur taksat rriten pa paralajmërim.
Na duhet vetëm një podium, një lider që i ngre zërin, pak flamuj dhe një
autobus për të mbërritur në kohë në miting.
Kur
politika thërret, njeriu shqiptar ngrihet nga karrigia. Jo për të kërkuar
dinjitet, por për të tundur flamurin. Sepse këtu nuk votohet për të ardhmen –
votohet për të mos mbetur jashtë loje. Nëse nuk je në miting, je askush. Dhe
meqë politika ka kthyer gjithçka në spektakël, ne s’mund të mbetemi jashtë
kamerës. Çdo qenie shqiptare është aktor potencial në një reality-show:
“Zgjedhjet 2025”.
Sepse
politika, tek ne, është më shumë se ushqim.
Ndërkohë,
politikanët – mjeshtër të dramaturgjisë publike – premtojnë gjithçka për të
gjithë. Shkolla me laboratorë, rrugë me palma, punë me paga evropiane ngritje
pensionesh. Dhe për të papunët: një thes me miell dhe një fjalim emocionues.
Populli e ha këtë si qesim bajamesh në dasmë – me besim, me shpresë, dhe me atë
bindje të vjetër kur zhgënjehet që në fillim: “epo, kështu qe e shkruar”.
-E
vërtetë është, na vret Zoti...
Në
këtë mënyrë qytetaria është një luks për elitat, ndërsa tifozëria është pasuria
kombëtare. Protesta nuk është traditë, është tabu. Sepse për të protestuar
duhet të mendosh, të organizohesh, të sakrifikosh. Më mirë një selfie me
liderin, se sa një pankartë me kërkesa. Më mirë të bërtasësh “Rroftë partia!”
se sa të bësh pyetjen retorike: “Ku është uji i pijshëm?”
-Ujë...?! Po ujë ke sa të duash në pazar. Të
ambalazhuar në bidonë gjithfarësh. Nga 0.5 deri në 20 litra. A ke takat t’i
ngjisësh nëpër shkallë?
Fushata
zgjedhore është sezoni i gjallërimit kombëtar. Rruga do shtrohet! Shkolla do
rindërtohet! Puna do gjendet! Dhe turma duartroket, sepse kjo është liturgjia
moderne shqiptare.
Fushata
ka nisur. Sheshet janë mbushur. Tregjet janë boshatisur, librat janë lënë
mënjanë, dhe njerëzit janë kthyer në koreografi njerëzore për kamerat e lajmeve.
Politika është artistja më e madhe e këtij vendi – krijon entuziazëm aty ku nuk
ka bukë, shpresë aty ku ka beton, dhe besim aty ku ka harresë.
Sepse
tek ne, sheshet nuk mbushen kur ikën rinia, kur rritet inflacioni. Ato mbushen
vetëm kur një figurë politike i jep sinjalin e nisjes. Dhe ky është triumfi më
i madh i demokracisë shqiptare: e kemi kthyer pasivitetin qytetar në një festë
popullore.
Ndaj,
le të mos merremi me cinizëm. Le të duartrokasim. Se s’na mbetet gjë tjetër –
përveçse të jemi spektatorë në shfaqjen e përhershme që quhet Shqipëri.
Edhe
kjo e ka një shpjegim: Sepse shqiptari është një qenie politike… por ndoshta jo
aq qytetare. Jo se nuk ka halle. Përkundrazi! Ka halle sa për të mbushur një
parlament me problematika. Por kur vjen puna për të protestuar për hallet,
pllakos heshtja. Një heshtje solemne. Një heshtje që do t’ia kishte zili edhe
biblioteka kombëtare.
Pse?
Sepse shqiptari është mësuar ta duroje shtypjen, jo ta sfidojë atë. Është
rritur me idenë se "kështu e ka jeta". Dhe përballë kësaj
trashëgimie, qytetaria kthehet në një luks intelektual. Protesta? Jo, jo...
protesta është për idealistët e për "të marrët".
Politika
shqiptare të jep gjithçka: një flamur për t’u tundur, transport falas për në
miting me një autobus ku ngjishen të gjithë militantët, një sanduiç me djathë
për të mbajtur shpirtin gjallë, një flamur për të valëvitur, një bidon ujë në
dorë, dhe me raste dhe një drekë me mish pule bashkë me salmonelën brenda. Por
mbi të gjitha, një armik për t’u sharë. Kush e ka fajin për gjithë të këqijat?
Tjetri! Ai që nuk është “i yni”! Kështu, ndërsa buka bëhet më e shtrenjtë se
telefoni, njerëzit ngrenë dy gishta për fitoren që do të vijë. Ndoshta.
Ndonjëherë. Ose kurrë.
Dhe
mbi të gjitha, është politika ajo që të liron nga barra e të menduarit duke të
thënë: “Mos u lodh të mendosh për problemet e tua, ne i kemi gjetur fajtorët,
janë gati për në burg.”
Politika
flet gjuhën që shqiptari njeh më mirë: gjuhën e tifozërisë. Nuk është më një
çështje ideje apo lirie, por një çështje "kush do fitojë". Dhe si në
një ndeshje futbolli, nuk ka rëndësi si luhet – mjafton të jesh në tribunë, të
bërtasësh dhe të ndihesh pjesë e lojës. Politika di t’i japë popullit një
spektakël. Një shpresë të vogël se “nesër, kur të vijmë ne, do të jetë më mirë”.
E kjo shpresë, e ricikluar çdo katër vjet, është opiumi i ri.
Ndërsa
në vend që të revoltohemi për atë që nuk kemi, ne entuziazmohemi për atë që na
premtuan. Sepse në fund të fundit, jeta është më e lehtë kur të premtojnë, sesa
kur të kërkojnë të mendosh.
Protesta
sociale kërkon reflektim, solidaritet, organizim. Kërkon kohë dhe sakrificë, pa
garanci suksesi. Kërkon që njerëzit të bashkohen jo për një fytyrë politike,
por për një kauzë që nuk ka sponsor. Kërkon të duash dikë tjetër përveç vetes.
Dhe kjo, për një shoqëri që është rritur me idenë “shpëto veten në këtë
katrahurë”, është thuajse mision i pamundur.
Sepse
në Shqipëri, më e thjeshtë është të marshosh për partinë, sesa për jetën tënde.
Dhe
kështu, ndërsa rritet çmimi i vajit, i bukës, i qirasë, i ilaçeve – populli
hesht. Por nëse dikush thotë: “Ne po rrëzojmë këta të tjerët!” – sheshet
mbushen.
Sepse
më e thjeshtë është të marshosh për partinë, sesa të marshosh për jetën tënde.
No comments:
Post a Comment