Leonard Veizi
Gjesti
fitoi.
Urra,
urra, urra...
Lajmi
se Gjesti ngriti lart çekun e rëndë prej 100 mijë eurosh, u përhap me një
shpejtësi të pabesueshme. U gëzua i madh e i vogël, ai që kishte një ditë
pushimi dhe ai që kishte vetëm një arsye për të shpërndarë një story. Apo nuk
ishte dhe natë Pashke?! Ndërsa disa ngritën flamujt, të tjerë vrenjtën vetullat,
por në fund të natës, të gjithë ranë dakord: Kjo ishte më shumë se një fitore. Ishte ngjarje.
Nëse
dikur festonim 28 Nëntorin me këngë për flamurin, tashmë këndojmë për ata që
fitojnë paratë me “djersën e ballit”. 18 Shkurti u la pas. Pashkët u harruan.
Pas
shpalljes së Pavarësisë, kur kombi u ngrit në këmbë për të kërkuar një vend në
hartën botërore, një pyetje e madhe mbeti e varur në ajër: Ç’na mungon për të
qenë shtet i plotë? Përgjigjja erdhi si një koncentrim i shkëlqyer i mendimit
kolektiv: Një gjest! Jo çfarëdo gjesti.
Tanimë
një Gjest u shpall shenjt dhe hero. Mori dhe një çek prej kartoni më të gjatë
se gjatësia e vet.
A ka bankë që do t’ia kthejë???
“Kush s’ka punë, tund derën,” thotë populli ynë heroik. Këtë po bëj dhe unë. Në mungesë të një ideje për të shkruar për gjërat që përfaqësojnë vërtet si komb, merrem me vrimën e fundit të kavallit – sepse kavalli ka ikur me kohë, por vrima ka mbetur.
Fakti
që dhe unë po merrem me të, tregon se në çfarë derexheje jemi katandisur.
Pikë e zezë.
Në
fakt, sipas Zarfit të Zi për Gjestin, - kur u hodh matanë murit si pelivan, e vërdallosej si kalë i hazdisur nëpër savanë - e
penalizonte atë duke i ulur gjysmën e shumës në rast fitoreje. Veç kësaj,
Gjesti i duhet i duhet bërë me dije se për këto lloj rastesh, shteti shqiptar të mban dhe 23 për qind
tatim fitimi. E kështu ai do dilte duarbosh nga shtëpia e famshme. Por
produksioni bëri sikur e harroi zarfin e zi dhe ia dha të plotë çekun.
–
T’i gëzojë! Paratë e tij janë, tek e fundit, jo më kot qëndroi 6 muaj të jetës
së tij në “burg”.
Por
a e përligj kjo një gëzim të shfrenuar?
Po
jo, o vëllezër, se Gjesti fitoi për veten e tij. Edhe paratë i mori në emrin e
tij. Nuk do t’i depozitojë në buxhetin e qeverisë së Kosovës. As do tua shpërndajë fansave të zjarrtë që lanë leshtë duke votuar.
Megjithatë,
realiteti tregon krejt të kundërtën.
Që
në mesditën e 19 prillit, në rrjetet online mes shqiptarësh bënë xhiron e
rrjetit karvanët me makina nisur nga përtej pikës kufitare të Morinit, për të
hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Duket
sikur historia prej kësaj date do të ndahet në dy epoka: para Gjestit dhe pas
Gjestit.
–
O Jezus...
Nuk
ka më rëndësi kush firmosi aktin e Pavarësisë më 1912. Që nga sot, mësuesit
janë të lirë t’u mësojnë fëmijëve në klasa se më i rëndësishëm se Ismail Qemali
dhe Ibrahim Rugova është Gjesti. Po, ai vetë: vetulltrashë, me buzëqeshje prej
reklame dhëmbësh të bardhë, dhe një guxim që do ia kishte pasur zili edhe
Skënderbeu.
-Kush the: Skënderbeu???
-Për Ballaban Pashën e kisha fjalën.
Dhjetëra
makina, flamuj shqiptarë, por edhe flamuj të UÇK-së, u turrën drejt Tiranës me
gaz dhe entuziazëm, duke thirrur nga dritaret: “Po shkojmë të marrim Gjestin!”.
Dukej si ndonjë pelegrinazh modern ku shenjtori është gjallë, i palestruar dhe
me mjekër të modeluar.
Në
këtë mënyrë ai i bie të jetë më i lavdishëm edhe se Azem Galica.
–
Ohoooooo, prite Bes Kelmendin...
Ja
kështu do hidhen në betejë luftëtarët e rinj.
Midis
entuziazmit popullor dhe kofanove të mbuluara me flamuj, një pyetje më brente
nga brenda, si ai krimbi që ha librat e historisë dhe nuk kursen as kartonin:
Po kush është Gjesti?
Gjesti
nuk është një person. Ai është një fenomen. Prej sot edhe ndjesi kombëtare.
Është shpresa se edhe pa bërë asgjë, mund të bëhesh gjithçka. Mjafton të jesh
aty, i kurdisur për të ruajtur një freski të admirueshme, i krehur, kokëlyer me
bojë të verdhë dhe me pozën e duhur për të mbajtur një fjalim... kur nuk di të
lidhësh dy fjalë.
E
ç’vlerë kanë argumentat, tek e fundit?!
-Jemi
në BIG, jo në Akademinë e Shkencave, as në Bibliotekën Kombëtare... – tha gjatë
një debati televiziv një karabush i mbështetur nga një karabushe.
Kësaj
nuk i lëviz as presja. Por përderisa BIG-ut i vendoset prapashtesa VIP, e do
njëfarë intelektualizmi akademik, që do të thotë se para kësaj duhet të kesh
kaluar edhe nga Biblioteka Kombëtare. Përndryshe, ç’kuptim ka që je VIP?
Dhe
populli – ky popull që dikur shkonte në luftëra e binte theror për Atdheun, –
sot niset nga Peja e Gjakova për në Tiranë me një qëllim të vetëm: të shohë
Gjestin. Se ai është heroi i ri i ditëve tona. Iku koha kur kombëtarja ndeshej
me serbët e një Ballist u lëshoi dronin mbi kokë me flamurin Kuq e Zi. Sot kemi
dhe një flamur alternativ. Pak i sajuar, por përfaqësues gjithsesi.
Nuk
më dilnin llogaritë. Një figurë e tillë, që me një buzëqeshje ngjall kombin dhe
e ekzalton atë kokë e këmbë, duhet të ketë pasur një kontribut të fshehur për
Atdheun. Iu drejtova inteligjencës artificiale. E pyeta me zë solemn, siç i
drejtohesh një orakulli të teknologjisë:
–
Mos ndoshta Gjesti ka drejtuar njësinë elitë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Se
nuk kish si shpjegohej që mbi kofanot e makinave ardhur nga Kosova, të
qëndronte flamuri me shenjat e Ushtrisë së Lavdishme.
Përgjigjja
erdhi rrufeshëm:
–
“Noc Rrokun.”
M’trembe
o burrë, mos ma thuj kaq troç!
Nata
e fundit e spektaklit, më shumë se sa surprizat për banorët dhe vetë shpalljen
e fituesit do të mbetet në mend, – jo përqafimet e zjarrta të Gjestit me Laertin... qoftë dhe me
Rozanën, - por puthja elegante e Sarës me Ledionin, aty në mes të katraurës me
këngë, valle e fishekzjarrë.
Por
në një vend ku një spektakël mediokër mediatik na shitet si vlerë kombëtare,
mesazhet që përçohen nuk janë thjesht qesharake. Ndonjëherë marrin vlerë më
shumë. Sidomos kur frymëzohen dhe shfrytëzohen për propagandë përçarëse antikombëtare.
Dhe më e keqja: kur janë të përqafuara me krenari.
No comments:
Post a Comment