Tuesday, April 15, 2025

Për kombin shqiptar, kombin kosovar dhe kombin... kolonjar


Nga 
Leonard Veizi
 
Kur doli termi “kombi kosovar”, me thënë të drejtën u gëzova fort. Nuk e fshihja dot entuziazmin. M’u duk sikur më në fund po merrnim frymë lirshëm në një botë ku kombi nuk është më një dhuratë historike, por një zgjedhje personale – një “identitet me vetëshërbim”.
– Hajde për hajër na qoftë!
“Ky është një precedent, – mendova, dhe në kokë më vinin e iknin gjithfarë idesh. – Ja, po hapet rruga për një valë të re të vetëdijes kombëtare. Pse jo?”
Dhe meqë më merr ana me vete – pasi origjinën e babait e kam nga Kolonja e Ersekës – mendova se ka ardhur koha të loboj, për sa më dëgjohet fjala, e të shpallim “kombin kolonjar”. “K” për Komb, “K” për Kosovë e “K” për Kolonjë.
Na rroftë K-ja.
– E ç’do kërcasë dollia me dhallë, jo!
E gjithë kjo performancë më erdhi ndërmend teksa ndiqja një panel te Grida e Topit të Mellanisë së Pandeli Doracit të Kolit të Tabakëve. Ishin mbledhur në një panel grushtbashkuar për të diskutuar rreth “fenomenit Gjesti”.
Ore se s’kam pyetur kënd për këtë problem: çfarë është ky fenomen? Ndonjë fenomen ajror?!
-E jo a derzi, është ai kosovari!
E kuptoj, e kuptoj… mirë që na e shpjegove e na iluminove, se për një çast kujtova se po flisnit për ndonjë “fenomen” nga ata të pashpjegueshmit.
Tek ky panel, mes ca shqiptarëve zhurmator, një tjetër kosovar që mban si llagap emrin e një qyteti nga jugu i Shqipërisë, bënte tifo për Gjestin, për të cilin edhe pse kishte dobësi të theksuar, çuditërisht na e cilësoi si injorant.
-Injorant?!
– Po, po. Bionde, po me lesh të verdhë, ama!
Tani edhe injorant edhe t’i bësh tifozllëk nuk ka ku mbahet fare. Por dukej qartë se ai e bënte këtë sakrificë për bashkëkombësin e tij. Të dy me kombësi kosovare.
Ç’i do fjalët: Të lidhur si fishekë gjerdani.
Dhe ky personazh, - që është dhe gazetar si puna ime, - i bie vazhdimisht trumbetës për “kombin kosovar”. Ka dhe të tjerë boll pas tij. Dhe jo një e dy, apo tre. Ka ore sa të duash. Siç ka akoma më shumë që shqyejnë sytë e thonë: Ku të çon mushka o gomar?
Hajd, se një rast është. Nuk ia marrim për keq.
Por kështu na hapet oreksi dhe ne të tjerëve. Se çështja e mëvetësisë është një çështje fort e ndjeshme. Prandaj kemi luftuar tërë jetën. Jo vetë me pushkë, por dhe me hanxharë.
Ndaj, pse të mos e shpallim kombin kolonjar ne të Ersekë-Leskovikut? Të gjitha mundësitë i kemi. Nëse flitet për zakone – ne i kemi me thes. Nëse flitet për gjuhë – kemi atë tonën, të paktën kur nuk po përpiqemi të kuptojmë pse “kosovarishtja” tingëllon shqip, apo si një dialekt me vetëdije të lartë.
Pastaj ne të Kolonjës kemi dhe figura të ndritura fort. Nolin, Konicën, Petro Ninin... Edhe motrat e vëllezërit Qirjazi po nga Kolonja janë. Ngremë flamurin në Leskovik dhe për himn adoptojmë këngën me famë botërore “As e vogël moj, as e madhe”. Ose, fundja, e mbajmë rezervë se mund të ketë pëlqyeshmëri më të madhe “Pas zërit të kokoshit ta gjeta shtëpinë”. Nuk prishemi. Tanët mbetemi përsëri.
– Ja u bitis kjo punë!
Kosova, pra, e mori guximin e para. Kërkon të dalë më vete duke thënë: “Ne jemi ndryshe, me doke e zakone më vete, me histori dhe etnografi më vete. Flasim gjuhën tonë, ndaj s’jemi thjesht shqiptarë – jemi kosovarë.”
Hallall! Këtë nuk e luajnë as topat e Isarit.
E drejtë, pse jo? Tek e fundit edhe amerikanët flasin anglisht, por nuk janë anglezë. Në këtë kuptim, liria për të qenë “jo ai që mendon tjetri” është hapi i parë drejt një “kombi të ri”.
Por pse të ndalet këtu i gjithë ky investim? Le të shkojë më tej arsyetimi.
Po sikur të bëjë vaki dhe Çamëria si komb të ngrejë pushkë kundër Greqisë e të mos e njohë autoritetin e Athinës. Të Tiranës jo e jo, dhe të shpallet me të madhe “kombi e shteti çam”. Flamuri në Prevezë, himni po dihet: Tumankuqja...
Pastaj kemi dhe zonën e Juglindjes me kryeqytet Korçën. Vetëm nëse për shkak xhelozish ndërhyjnë ata të Poradecit që mëvetësia të shpallet në Bilisht të Devollit. Himnin s’po e zëmë në kohë, ndonjë serenatë me qitharo kur të ngrihet flamuri.
Le po të tutet dhe Labëria e të shpallë mëvetësinë si “kombi lab” – kjo do jetë qershia mbi tortë. Flamuri, këtë herë, e meriton të valëvitet mbi Tepelenë. Se Vlora e dogji radhën. Himni – me pak konsensus ose me një votim të ngushtë – shpallet: Vallja e hajdutëve.
– Epo birinxhi, më mirë s’ka ku të shkojë!
Tani që vajti e u bitis kjo punë, po e çojmë deri në fund kantonizimin. Shqipëria e Mesme ngre flamurin në Kavajë. Mos harrojmë Myzeqenë, se edhe ata kanë të drejtë të kenë kombin e tyre. Këtej nga veriperëndimi kemi Shkodrën si kryeqendër vilajeti, dhe po pranoi Lezha e Puka – shpallet “kombi shkodran”, brenda “shtetit shkodran”. Peshkopia merr nën sqetull verilindjen.
Po shqiptarët në Maqedoni? Struga apo Ohri? Mjafton të bien dakord mes vedit. Le ta bëjnë me letër me vrimë tek e fundit. Edhe emrin le ta zgjedhin vetë, vetëm mos e quajnë “komb maqedon”, se pastaj nis prapë sherri me Greqinë. Por “kombi dibran” shkon si mos më mirë. Himni s’ka nevojë për konsensus: Hajredin Pasha o po i bie Radikës...
– Ja, ta gëzojë!
Ata të Kukësit mund ta shpallin kombin edhe në mes të Londrës – nuk na mbetet hiç hatëri.
Tani, a mund ta dimë kush mbeti pa komb?
E kështu, çdo krahinë e çdo lagje mund të ngrihet në piedestalin e vetëkombësisë.
Në fund, ç’na doli? Një Shqipëri me dhjetë a dymbëdhjetë kombe, me shumë flamuj e shumë vota në OKB. Vendimet nuk do t’i marrin më SHBA-të në Këshillin e Sigurimit, por do t’i marrim ne – me shumicë votash nga Kombi Kolonjar, Kosovar, Çam, Lab, Tropojan, Tirons, Kuksjan, Dibran dhe çdo kanton tjetër me vetëdije në rritje. Rusisë do ia futim këmbët në një këpucë – në këpucën që dikur Hrushovi e përdorte për të vënë qetësi gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Eh si rrotullohet historia...
Por ndoshta  vetëm ndoshta  nëse të gjithë këta copa-copa të mozaikut tonë provincial do të vendosnin të bashkoheshin, - pa fyer asnjë krenari lokale, - atëherë me siguri do bëheshim një komb e shtet më i fortë, më i vetëdijshëm dhe akoma më i fuqishëm në Ballkan.
Sepse, të themi të drejtën, doket dhe zakonet i kemi njësoj, e për fat të mirë flasim të gjithë të njëjtën gjuhë: shqipen. Një gjuhë e rrallë, e lashtë, e fort të bukur – që, përkundër gjithë dallimeve që duam t’i theksojmë, është gjëja që realisht na bashkon dhe na bën krenarë. Dhe kjo, padyshim, vlen më shumë se çdo flamur i veçuar. Sepse në fund të fundit, le ta themi troç: nuk ka komb kosovar. Ka shtet të Kosovës - po, dhe mirë që është një i tillë. Por kombi është shqiptar. Dhe për këdo që nuk arrin të bëjë dallimin mes shtetit dhe kombit, nuk kam ndërmend të nis gjithçka nga fillimi. Nuk është puna te semantika – është puna te vetëdija.

No comments:

Post a Comment