Sunday, April 13, 2025

100 mijë euro për të ndotur fytyrën, jo për ta larë


Nga Leonard Veizi
 
Ndërsa bota përdridhet mbi një fije tensioni global, ku liderët ndërkombëtarë luajnë shah me raketa dhe popuj të tërë nuk dinë më çfarë u sjell e nesërmja, një grup njerëzish – në mënyrë të lavdishme të pavetëdijshëm – kanë zgjedhur të jetojë në një realitet paralel por krejt grotesk: brenda mureve të shtëpisë më të famshme në universin e asgjësë, ku vëzhgohen me kamera që nga hapja pa formë e gojës në mëngjes deri tek zbrazja e pavullnetshme e gazrave në mbrëmje vonë.
-Plasi në Kuçovë...
Dhe në këtë shtëpi të zhurmshme, - ku paqja e përkohshme prishet pa skaduar afati, -  gjëja më urgjente është të merret vesh kush ka llapur prapa shpinës dhe cili çarçaf mban erë përç në vend të parfumit me fruta pylli.
-E morët vesh, Jozi rrahu Gjestin.
-Çfarë thua more? Pse s'thua që duhet me rrëmbye armët.
A po na mësyn Italja???
Akoma më keq. Po na dhunojnë vllaznit tanë poshtë kufirit.
Kadare, dikur shkruante këto vargje:
“Në mesditë Byroja Politike u mblodh/ Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë...?”
Po hiç gjë s'ka ndodhur mor aman, pse e merrni kaq seriozisht. Punë kalamajsh.
-Djalë i parritur mirë moj Ollgë. 35 vjeç vjeç. Po ja ta zëmë 40...
 Po flasim për atë që quhet show – Big Brother VIP-4. Po në fakt, është një eksperiment social me rregulla të thjeshta: shite shpirtin, lëre dinjitetin në derë, bëhu personazh. Çmimi? 100 mijë euro. Disa klikime. Pak famë.
Famë??? Famë e para me surratin tat të ndotur...? Kulmi.
Në fakt sot, 100 mijë euro nuk është ndonjë vlerë për t'u lakmuar, se me to mund të blesh një gazoniere, ose e shumta një garazh makine, por nuk është se siguron jetën sa ta vësh shapkën mbi sy. E megjithatë ata sakrifikojnë gjithçka për ato 100 mijë euro. Shpesh, gjithë jeta e personazhit kthehet në një meme. Ndaj në këtë cirk ku spektakli është më i shenjtë se buka, edhe termat janë bërë të vështira për dajot e xhaxhallarët tanë.
– "Ti je Bi", – i thotë një konkurrent tjetrit.
 Shkreptimë në qiellin e pastër.
E çka don me thonë “Bi” bre?
Hajde teveqel, hajde, edhe këtë nuk e mësove… Bi është njëlloj si të thuash “Bir ona, bir sana”, si në atë versionin turk të filmit me Hirushen. Do të thotë: “Nuk kam kufij, vetëm preferenca të përkohshme.” Ose më saktë: edhe anej edhe knej.
Tobestakfrullah.
Jashtë, - atje ku jeta vlon, - njerëzit luftojnë për të siguruar ushqimet dhe një paqe relative. Brenda, - atje ku jeta vegjeton, - lufta bëhet për jorgan dhe jastëk.
Në këtë realitet të prodhuar në laboratorët e audiencës, nuk ka më turp. Nuk ka më "faqe". Ajo është një relike e kohës kur njerëzit ndjenin përgjegjësi për veprimet. Tani, mjafton të thuash: “Po ja vlen!” Dhe me kaq, justifikohen të gjitha. Nga poshtërimi publik tek autopsia emocionale, nga fyerjet seksuale tek ekspozimi i çdo ndjesie si produkt spektakli.
Ata që dikur quanin veten opinionbërës, tani matin ndikimin me numrin e ndjekësve.
Po për 100 mijë euro, vëlla, s’e ka gjë njeri të mbajë mbi shpatulla dhe pesha të rënda si në kampionatin e peshëngritjes: kur të etiketojnë si maniak, pervers, kurvë, mashtrues, por edhe... pensionist.
Pastaj vjen falja.
-Ma boj hallall... isha pa qejf dje, së kishin ardhur tezet dhe hallat bashkë.
Po çe do. Fjala u tha. Dëmi u bë. Ec e vërteto të kundërtën pas kësaj. Apo çdo gjë harrohet?! Tre ditë janë të shkretat.
-Edhe një gotë verë nga pas...
Në këtë ekonomi të çmendur sociale, çmimi i dinjitetit është bërë i matur në klikime dhe reklama për suplemente flokësh dhe krem për lëkurën e duarve.
Kur xha Rizai i filmit “Në fillim të verës” i thoshte Shpëtimit që e kishte dhëndër: “Kam faqe unë”, e thoshte me peshën e një morali të vjetër, që sot duket si relike muzeu.
Sot, kush ka faqe – mban peng algoritmin. Kush nuk ka – ecën përpara.
-Ec përpara të çafsha ballin/ me sqepar ta hapsha...
Oho..., histori tjetër kjo.
Në shtëpinë e ashtuquajtur më të famshme në Shqipëri, e ca më tej, njerëzit hyjnë e dalin si në ndonjë stacion autobusi i një qyteti ku askush nuk qëndron më shumë se dy ndalesa.
Egli hyri, Egli doli. Xhibani hyri, Amberi doli. Gerta qëndroi. Pastaj Amberi hyri prapë, Xhibani doli përfundimisht... ose përkohësisht. Ka hyrë e ka dalë dhe Jozefini.
-Hyr e dil e tund peshqirë, - është një fjalë e urtë...
Jo, jo, kjo nuk është urtësi popullore. Kjo është tallje popullore. 
Këto rotacione të shpeshta nuk janë më dinamika loje – janë simptoma të një spektakli që ha vetveten për të mbajtur ritmin me mungesën totale të kuptimit.
Le që Jozefini i lau duart një herë e mirë nga spektakli. Përdori forcën dhe i ndau shqiptarët në dy kampe. Në lojë ishte dhe Gjesti... krejt i vetëm e pa shokë shumë, kur shkoi si kovë pusi. Te koka i rrinte Egli.
-T’u thaftë dora...
Në ngujimin 120 ditor lindin dashuri me afat skadence më të shkurtër se data e një çokollate, bëhen aleanca që prishen për një koment pas buke, krijohen drama për një palë brekë të zhvendosura gabimisht. Të gjitha këto për... 100 mijë euro.
100 mijë euro vëlla... jo shaka.
-Po ky është miell, more, more... zullap.
-Eeeee.... do të shqepemi me petulla sonte.
Po çfarë janë 100 mijë euro? Një rrogë vjetore mesatare në ndonjë vend europian. Ose një çmim për të zhvarrosur çdo kujtim të fëmijërisë, çdo gabim, çdo ndjesi, e për t’i shitur në mënyrë kirurgjikale në “prime-time”. Me dritë të bardhë, zë dramatik në sfond, dhe një panel analistësh që i japin kuptim edhe teshtimës më të zakonshme.
Kjo nuk është më lojë. Është eksperiment.
Po kush e bën eksperimentin?
Dikush, diku – ndoshta në një zyrë të errët prodhimi, me ekranet përballë – studion. Studion sesi një njeri, kur i hiqet informacioni real dhe përballja me botën, mbushet me vetveten. Me egon, me pasiguritë, me narcizmin. "Big Brother" nuk është më spektakël argëtues – është një pasqyrë. Pasqyrë e vet shoqërisë tonë. Një laborator sjelljeje. Një kamerë që nuk fiket kurrë, sepse nuk regjistron vetëm ata që luajnë brenda – por edhe ne, që shohim nga jashtë. Ne, që e ndjekim. Ne, që e komentojmë. Ne, që e imitojmë.
A jemi dhe ne pjesë e eksperimentit? Po. Sepse kur lajmet kthehen në telenovelë, dhe telenovela në model shoqëror, nuk ka më ndarje midis spektaklit dhe realitetit. Jemi të gjithë në këtë shtëpi të madhe – ku shiten shpirtra me zbritje dhe ndërgjegjja sillet rrotull si krani i kamerës në orar pune.
Dhe nëse ndonjëherë, në këtë teatër grotesk, do të duhej të ngrihej një zë i arsyes që të thoshte: “Ej, mos vallë po e teprojmë?”... atë zë do ta shuanin me fishkëllima, me emoji, me ironinë e rrjeteve që kanë bërë famën më të vlefshme se vlerat.
Sepse kjo është loja.
...dhe lojës i erdhi fundi.
Ndërsa ne të gjithë, - lojtarë aktivë e spektatorë pasivë, -  jemi brenda saj.
-O pika... pika...

No comments:

Post a Comment