Duke i marrë si
dëshmitarë të kësaj surprize, ata në fakt
i kanë dënuar dy miqtë e tyre në formën më makabre. I lënë gjallë me
peshën e të vdekurve në supe, duke i ngjasuar aq shumë shën Palit, të qytetit
Tars, së Azisë së Vogël, atij njeriu që
vriste dikë, kufomën e të vrarit ia lidhnin në shpinë, derisa të kalbej e të
ronitej krejt mbi të gjallin.
Miranda Haxhia
Duhet të shkosh me
mendim deri në faqen e fundit të librit të Leonard Veizit për të kuptuar se
cila është surpriza që dy bashkëshortët
u kanë ruajtur miqëve të tyre, por jo më shumë miqve, sesa vetvetes.
Ndërsa mendimi i autorit ka të bëjë me një filozofi që
diskutohet gjithmonë në kohë të ndryshme, konceptin e jetës dhe të vdekjes,
këtë e ka sjellë në sfondin e jetës së dy çifteve të reja, të cilët sapo kanë
nisur të ndërtojnë një jetë së bashku. Një jetë gati në inkubator, pa faktorë
të dukshëm të jashtëm, pa ngacmues apo letër lakmuesi që vjen prej përballjes
shoqërore. Dialogu mes tyre është acarues, është i përshkallëzuar. Ai ka të bëjë
me vet ngritjen e situatës në atë pikë vlimi sa të ngërthejë në një
pamjaftueshmëri për të kundërshtuar Robertin, personazhin që mbart idenë e
fshehtë të një dhurate, e cila luhet rëndshëm. Linda dhe Eduarti, Roberti dhe
Sara luajnë “kukamshefti” me debitin e tyre, duke krijuar situata, të cilat në
raste të veçanta për të rrëshqitur ikin nga njëra dhomë në tjetrën. Por gjithsesi, kjo nuk i shpëton ata nga
rruga deri në fund. Romani mbahet në këtë shtyllë të brishtë. Autori nuk
ndërhyn shumë për të thelluar idenë për jetën, vdekjen, postvdekjen. Ai i lë të
rrokullisen vet personazhet në greminat e bisedës së tyre. Në raste të veçanta,
kur kjo bisedë fillon e bëhet interesante me një ide për vdekjen dhe jetën pas
saj, ajo kthehet në sekondë në një bisedë për gjëra të rëndomta të jetës. Dy
miqtë duke përfillur një mesazh që kapërcen kufirin e jetës, harrojnë se
shpërbëjnë miqësinë e tyre. Ajo herë - herë kujtohet që është e fortë, herë të
tjera degjeneron në zënka dhe kujtime të cilat i dinë të dy për njëri - tjetrin.
Gjatë thlbit të bisedave, përpiqen të shmangin gratë e tyre. Duke e quajtur
bisedë serioze burrash. Më e vështirë për të realizuar personazhet femra ka
qenë për autorin. Ai i lë ato në hije, në kerkesat dhe mundësitë e tyre, duke u
paracaktuar fatin të ndjekin udhën ku shkel mendimi i bashkëshortëve. Por, janë
të bindur se filli i jetës fillon tek ato dhe aty duhet këputur, nëse është i
destinuar për një akt të tillë. Embrioni i një fëmije në barkun e Sarës dhe
enigma e një dhome fëmijësh janë emocionuese. Këto emocione vijnë me shkëputje
si të jenë copëza muzike e panjohur. Mes tyre muzikë funebre. Vdekja të cilën,
Roberti e përball si një shilarës që
është ana tjetër e lëkundjes së jetës. Linda ka kërkesa më praktike për jetën.
Mbërthehet fort në dy fëmijët e saj. Po kështu edhe Eduarti. Ndërsa Roberti e
Sara me frikën e një jete të vështirë, me idenë se kjo do jetë e papërballueshme për fëmijën e tyre në
embrion, vendosin t’i japin fund asaj në formën më demonstrative dhe groteske.
Para miqve të tyre, vetvriten. Dhe miqtë mbeten në grackën e fatit të
parashkruar për të vuajtur vdekjen e tyre. Romani mbahet fort në ankthin dhe të
papriturën që i mban lexuesin të detyruar t’i shkojë deri në fund librit për të
kuptuar qëllimin e autorit. Kjo e bën interesante. Ndërsa dialogu dhe kthesat e
vështira të bisedës, janë jo të thella. Askund nuk filozofohet thellë dhe
ndryshe për postvdekjen më shumë nga sa dimë të gjithë. Nuk ka një udhëtim
psotvdekje, nuk ka qenë ky qëllimi i autorit, por nuk ka asnjë udhëtim
filozofik në këtë udhë paravdekje. Nuk ka një drejtpeshim të mendimeve. Ato
lëkunden si një varkë me vela e hallakatur. Prekja sociale është e skajshme.
Ndërsa, sipas meje, ky është shkaku i madh që i bën dy personazhet t’i japin
fund jetës. Është pasiguria për të nesërmen, është frika për një fëmijë
të palindur, është ambienti i ndotur, është loja e ndyrë për të fituar para dhe
krijuar familje. Është brezi i rritur në boshllëk dhe kotësi. Kjo armë jepet po
aq kalimthi, sa vjen thika që përgatitet për të vrarë. Historia sa është e
besueshme, është edhe e pabesueshme. Ajo besohet për aq kohë sa nuk përfshin në bashkëfajësi
dy miqtë e ftuar. Është e pabesueshme në formën me të cilën kryhet vetëflijimi.
Sikur të jenë pjesë e një sekti. Ndërsa vet personazhi Robert e kundërshton
këtë. Ata i nisen një rruge pa kthim individualisht, por në formë revolte. E
cila sjell një lloj ferri për ata që mbeten gjallë në skenën ku ndodh vrasja.
Duke i marrë si dëshmitarë të kësaj surprize, ata në fakt i kanë dënuar dy miqtë e tyre në formën më
makabre. I lënë gjallë me peshën e të vdekurve në supe, duke i ngjasuar aq
shumë shën Palit, të qytetit Tars, së
Azisë së Vogël, atij njeriu që vriste dikë, kufomën e të vrarit ia lidhnin në
shpinë, derisa të kalbej e të ronitej krejt mbi të gjallin. Qe do të thotë
kufomën e atij akti vetëflijimi të miqve do ta mbajnë sa të jenë gjallë, duke
shtuar një vuajtje më shumë për jetën. Të mendojmë që të mos jetë e mjaftë kjo
vuajtje, sa t’i çojë po në atë errësim gjykimi, sa edhe dy të vrarët që mbeten
në faqen e fundit të librit.
***
Çfarë ndodh me prozën e Veizit? Leonard Veizi vjen në këtë
roman pas një përvoje në prozë të shkurtër. Këto tregime që zgjaten deri në
kufijtë e novelave janë përpjekje dhe dëshmi të një gërmuesi subjektesh dhe
personazhesh të cilat e kanë qejf fundin e skajshëm, që shkojnë mundimshëm, por
të sigurt në destinin e tyre. Janë fate njerëzore të cilat përpiqen të
mbijetojnë nën petkun e një depresioni social, e një pikëpamjeje kaotike për
jetën. Arma më e fortë e tij është dialogu. Ai ngrihet dhe ulet me mjeshtëri,
nuk të lë në baltë. Rrëfimin dhe vijueshmërinë e fabulës e lë në duart e
dialogut. Kjo ngjyrë dramaticiteti është pothuaj e munguar në prozën e viteve
të fundit. Autorët rreken të ndërmarrin ekzibicione të cilat u ngjajnë
spiritizmit të femrave rreth vetvetes me ndihmën e një shtylle kabareje. Kjo
nuk ndodh në prozën e Leonard Veizit. Proza e tij është racionale, është me
këmbë në tokë, është e lexueshme, e ftohtë, ndonjëherë deri në cinizëm. Situatat
ndodhin në ambientet ku ne gëlojmë çdo ditë, por ato skicohen shumë lehtë, u ngjasojnë grafikave. Konturet e
qarta të ndodhisë krijojnë dimensione hijesh që përplasin mendimin tonë për më
shumë se kaq.
No comments:
Post a Comment