Shkrim për vëllimim me tregime “Treni i fundit i metrosë” të autorit Leonard Veizi
Kliton Nesturi
Si një art i hapur, letërsia rezervon vazhdimisht surpriza
nga të gjithë, të vjetër dhe të rinj, të vdekur dhe të gjallë. Vazhdimisht
letërsia pasurohet me emra të rinj dhe vepra të bukura. Por më shumë se emrat,
qofshin këta të njohur apo të panjohur, janë veprat ato që na bëjmë të ndihemi
mirë apo keq tek sa i lexojmë. Padyshim, edhe letërsia shqipe nuk bën dallim
nga ky përcaktim.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë kohë dhe që ngjall
më shumë interes, është edhe rikthimi në fushën e botimeve i autorëve të
ndryshëm, kryesisht në gjininë e prozës, e cila mbetet edhe më e lexuara sot.
Për çdo njërin prej tyre, rikthimi në fushën e botimeve ngjan me një rikthim në
shtëpi.
Pas një heshtjeje shtatë vjeçare prozatori Leonard Veizi, së
fundmi ka dalë para lexuesve me vëllimin me tregime “Treni i fundit i metrosë”,
botuar nga shtëpia botuese “Omsca-1”. Duket se kjo heshtje jo e vogël, ka
shërbyer si një refleksion i mirë për autorin. Në dallim nga vëllimi i tij me
novela “Grahma e shpirtit të mjegullt” (1997) dhe vëllimit me tregime “Ngrehina
e përhumbjes” (1998), në “Treni i fundit i metrosë”, Leonard Veizi na shfaqet
më i plotë, si në stil, ashtu edhe sa i përket kompozicionit letrar. Mesazhet e
tij vijnë të qarta dhe të pastra. Ato janë kode të kuptueshme për të gjithë.
Në të katër tregimet e këtij vëllimi, prej të cilave tre
mund të quhen edhe novela, Leonard Veizi na sjell një botë të pasur. Aty
vërehet dashuria dhe dyfytyrësia, virtyti dhe hipokrizia, drama sociale dhe ajo
individuale, çmitizimi dhe eksplorimi, etj. Çdo tregim, sjell një ngjyrë
ndryshe, duke krijuar kështu, një buqetë sa të bukur aq edhe origjinale.
-I vendosur mbi një subjekt të thjeshtë, tregimi “Pas
shfaqjes” vë përballë njëri-tjetrit një çift, i cili në një moment vendos të
dalë nga bisedat monotone të së përditshmes. Rastësisht gjatë bisedës, dy
personazhet e tregimit zbulojnë vlerat e vetvetes, duke krijuar kështu edhe
hendekun ndërmjet tyre në ballafaqimin ndërmjet dashurisë dhe hipokrizisë. Për
Leonard Veizin, dashuria nuk është një ndjenjë hyjnore, qiellore dhe abstrakte,
por një ndjenjë njerëzore, e ndjeshme dhe prekshme. Ideja e autorit se,
sinqeriteti është ai që duhet ta shoqërojë ndjenjën e dashurisë vazhdimisht,
duke dalë mbi dogmat dhe hipokrizitë është më i rëndësishëm se çmimi që mund të
ketë në fund. Tek autori, e rëndësishme është motoja se, dinjiteti i individit
është më i rëndesishëm se çdo ndjenjë dhe pasion.
-Tregimi “Treni i fundit i metrosë”, titullin e së cilit mban
edhe ky vëllim me tregime, na sjell një dramë nga e cila vuan shumë sot
shoqëria shqiptare; prostitucionin. Një djalë, i cili është emigrant në një
shtet të huaj, pa kuptuar bie në dashuri me një vajzë të cilën i fejuari i saj,
i cili e kishte marrë me vete në emigracion, e detyronte të ushtronte nëpër rrugë
profesinon e prostitutës. Shtyrë edhe nga ndjenja humane, dëshirën për ta
larguar këtë vajzë nga jeta e trotuareve, ai bëhet protagonist i arratisjes së
tyre nga qyteti ku jetonin. Por, pa kaluar shumë kohë, është po ky person që
kthehet në anën e kundërt, duke u bërë kështu tutori i së dashurës së tij. Një
hero me dy fytyra, i cili ndodh edhe që zihet ngushtë në një moment tek sa
vihet përballë pafytyrësisë së tij. I gjithë tregimi, shquhet nga nota të
larta. Ai ka një stil proliks, përshkrime të bukura të situatave dhe një dialog
të fortë e goditës.
-Tregimi “Famullitari” në dukje është një tregimi i thjeshtë
në të cilin rrëfehet jeta e një prifti. Por në vetvete “Famullitari”, i cili
përfaqësohet nga frat Ludoviku, sjell jo vetëm dramën dhe dilemat e një prifti
franceskan, por mbi të gjitha është një pasqyrë e krizave të ndryshme që
ndeshen në jetën e komunitetit. Ndryshe nga tregimet e tjerë, stili i Veizit te
“Famullitari” është më i ngjeshur, më hermetik, dhe më pranë analizave
psikologjike. Gjithësesi tregimi ruan nota të bukura reale duke të befasuar
shpesh me ngjarjet që përshkruhen brenda tij.
-Ndërkaq edhe tregimi “Helena T” sjell një rrëfim ndryshe.
Ideja e çmitizimit dhe kënvështrimete reja të një çështjeje të caktuar, janë
thelbi i debatit që një grup studentësh bëjnë me pedagogun e tyre gjatë një ore
seminari, tema e së cilit është figura e Helenës së Trojës. I përshkruar me
situata dhe nota humori, ku spikasin personazhe dhe karaktere të larmishme,
tregimi veç idesë së heqjes dorë nga mitet, duke i parë ata vetëm në ngjyresat
klasike dhe bardhe e zi, është një thirrje për reformim në sistemin tonë të
arsimit, i cili duhet të mësohet që të ngrihet mbi format e debatit duke e
pasuruar atë nisur nga kendvështrime të ndryshme.
Vëllimi me tregime “Treni i fundit i metrosë” shquhet për
një gjuhë të pasur dhe të pastër. Autori e di se çfarë do të thotë me atë që
shkruan dhe këtë e jep në mënyrën më të plotë, në formë, në stil dhe në
përmbajtje. Proza e këtij autori është e thjeshtë. Ajo të rrëmben dhe duke u
shfaqur para teje si imazhe filmime, të rrëmben me magjinë e fjalës, tensionin
që krijohet nga situatat dhe në fund nuk të mbetet të admirosh zgjidhjet tejet
origjinale. Kjo e bën atë të dallueshëm në morinë e botimeve shqiptare, ndërsa
për prozatorin Leonard Veizi ky është një rikthim dinjitoz në shtëpi.
No comments:
Post a Comment