Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të
shkrimtarit e studiuesit sqimatar të letrave shqipe, njeriut që lindi dhe vdiq
në muajin korrik
Dhimitër Shuteriqi |
Nga Leonard
Veizi
Me
hapin e ngadaltë, i kujdesshëm për të mos prishur asnjë nga rendi që kishte
vendosur me veten dhe gjithçka kishte përreth, ai hynte çdo ditë në botën e tij
të magjishme, që ishte veç një studio, e mbushur nga të katër anët me libra. Në
të gjallë dhe në të vdekurit e tij makina e shkrimit “Oliveti” qëndronte po aty
dhe me këmbëngulje. Nuk ishte zëvendësuar nga ndonjë ordinator, me njësi e
tastierë elektronike. Ndërsa ajo ishte një nga bibliotekat e rralla në Shqipëri.
Dhe nuk ishte pronë e shtetit, as e ndonjë fondacioni kulturor, madje as e
ndonjë qyteti të rëndësishëm e me shumë kulturë, me fond të rrallë librash. Ajo
ishte biblioteka e një shkrimtari, apo studiuesi, nëse duan shumë të tjerë ta
quajnë kështu… por që në fakt ai vetë parapëlqente ta thërrisnin: poet. Dhe vazhdon
të mbetet biblioteka e Dhimitër Shuteriqit...
...Ishte
impresionuese të vizitoje shtëpinë e Dhimitrit, si një gazetar me mision për të
shkruar diçka, e si një turist gjithashtu që kërkon të shohë gjëra të panjohura.
Bashkëshortja e tij, Myneveri, së cilës 10 vjet më parë, në korrikun e vitit
2010, i kërkova një intervistë, më priti pikërisht aty, në dhomën muze të tij.
Dhimitri kishte vdekur tashmë, por gjithçka e tij vazhdonte të jetonte. Mund të
kisha kërkuar të dija e të shihja se në çfarë ambienti jetonte një i shquar
letrash, krevatin ku flinte a tryezën ku hante. Por asgjë nga këto nuk më shkoi
në mend. Dhe as që më interesoi të shihja çfarë kishin dhomat e tjera të
apartamentit, kolltukë të modës së fundit, apo divanë nga ata të “xhaxhit”, në
kishte sixhade, perde gjithllojesh, televizor pa ngjyra apo impiant stereofonik
me CD-të e Vagnerit. Kujt mund t’i hynin në punë të gjitha këto. Dhimitër
Shuteriqi nuk e kishte të lidhur jetën pranë sofrës dhe te gjumi mbi dyshek masazhues.
Jeta e tij kishte mbetur peng i librave dhe i pagjumësisë, sepse vazhdimisht e
në çdo kohë i duhej të sistemonte gjithçka të shkruar prej tij, një punë
voluminoze që dukej se nuk kishte ndër mend të mbaronte kurrë.
“Biblioteka
e tij është dhimbja ime”. Kështu më pati thënë që në hyrje të intervistës
Mynever Shuteriqi, duke lënë të kuptohej se pikërisht nga studioja e tij plot
libra të çmuar, Dhimitër Shuteriqi do të përcillej për në banesën e fundit, në
korrikun e vitit 2003. Kështu, prania e trupit dhe shpirtit mes librave të tij
ndoshta ishte dhe ndjesia e fundit e pasvdekjes. Ndërsa ajo vazhdonte të ndiqte
të njëjtin ritëm, të qëndronte krejt e vetme në studion e madhe, të ndizte një
cigare dhe të futej thellë në botën e kujtimeve.
Ishte
14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë se qyteti i Elbasanit ishte shtuar me një
poet të ri. Ishin njohur kur ajo ishte një normaliste 19-vjeçare dhe ai 28, një
mësues te Normalja, pasi ishte diplomuar në Paris. “Më konsideronte shoqe të
ngushtë. Nuk shkonte asgjëkundi pa mua. Ne kemi qenë gjithë jetën bashkë”, u
shpreh Mynever Shyteriqi, e cila më pas më tregoi se Dhimitri nuk ishte vetëm
një shkrimtar e studiues, por dhe një piktor. Në bagazhin e tij Dhimitri ka më
shumë se 500 portrete të pikturuara. Ai hidhte në letër çdo portet që i bënte
përshtypje, me një shpejtësi të habitshme. Janë disa
qindra vizatime, madje dhe piktura me ngjyra, që Dhimitër Shuteriqi ka bërë
gjatë në vazhdimësi. Dhe një pjesë të tyre i ka publikuar përmes dy
ekspozitave: një në Tiranë dhe një në Prishtinë. E, megjithatë, pjesa me e
madhe e punëve të tij janë ende të paekspozuara.
Ndërsa
sa për jetën akademike, që prej vitit 1947, kur botoi librin “Metrika shqipe” e
deri në botimet e pasvdekjes, është një krijimtari 70-vjeçare dhe rreth 110
libra në fondin personal. Pa dyshim, kjo është një punë kolosale, ku Dhimitër
Shuteriqi paraqitet me poezi, tregime, romane e mjaft studime serioze.
Idhuj
për të kanë qenë rilindasit, si Naimi, De Rada apo Çajupi. Por kishte shumë për
zemër dhe Lasgush Poradecin. Admironte Fishtën, por dhe Migjenin, që e kishte
pasur shok. Pëlqente shumë dhe autorë si Verlen, Bodlerin, Hygoin, të cilët i
lexonte drejtpërdrejt nga gjuha frënge.
Dhe,
natyrisht, ka pasur takime e ka mbajtur kontakte dhe me francezin Pol Elyar,
brazilianin Zhorzh Amado, australianen Dymfna Kystak etj. Ndërsa një tjetër
takim i veçantë i Dhimitër Shuteriqit ka qenë dhe ai me shkrimtarin rus Ilia
Erenburg. Këto takime ai i ka hedhur në ditarin e tij.
Ah
sa për bibliotekën, po, ajo është një vepër arti më vete. Vërtet një bibliotekë
universale. I paçmuar është fondi albanologjik. Por në
të gjen gjithfarë veprash të gjinive të tjera. Të shumtë janë librat e autorëve
botërorë, të shkrimtarëve ballkanikë apo dhe të vendeve të Lindjes evropiane,
që ia kanë dhuruar me nënshkrime Shuteriqit. Të shumta janë gjithashtu dhe
dedikimet e shkrimtarëve shqiptarë. Gjatë vizitës sime, bashkëshortja Mynever më
pati sqaruar se në skedarin e bibliotekës së Shuteriqit ndodhen 30 syze, në të
cilat janë strehuar më shumë se 20 mijë skeda. Dhe në këto skeda studiuesi
kishte hedhur gjithçka ka pasur në bibliotekë. Dhe vetëm kështu mund të gjente
e të citonte në mënyrë të shpejtë atë çfarë i duhej të kërkonte.
Shumë skrupuloz Dhimitri. Ai nuk mund të tallej e të bënte shaka
me punën e tij shumë serioze.
Por Dhimitri nuk pati dot kohën e mundshme për t’i shfrytëzuar të
gjitha. Rruga ishte e gjatë, pasioni edhe më i madh. Por jeta në të gjitha
format e saj, gjithsesi është e shkurtër.
“Nuk është puna te sasia e madhe e librave që
ka, - më tha Moikom Zeqo, vetëm një orë pasi kisha dalë nga studioja e
Shuteriqit, dhe i kisha shprehur entuziazmin tim për atë që kisha parë, - puna
është si Dhimitri ka një bibliotekë me libra të rrallë e shumë të çmuar, të cilët
i ka sjellë nga Franca, dhe që nuk mund të gjenden dot aq lehtë.”
Epilogu
Dhimitër
Shuteriqi do të ishte 105 vjeç, nëse do të jetonte akoma. Dhe, pa dyshim, nëse
do të ishte në jetë, sërish do ta gjenim në studion e tij. Por në datën 22 korrik
të vitit 2003 ai i ndërpreu marrëdhëniet e tij me botën e të gjallëve. Gjithçka
është e lidhur me korrikun, vapën përvëluese e flladet e buzëmbrëmjes. Mund të
ishte veç një muaj fatlum, por ja që ka sjellë dhe trishtim. Dhe nëse dita e
lindjes do të ishte pikërisht një e hënë korriku e vitit 1915, dita e ndarjes
nga jeta gjithashtu do të ishte e hëna e një korriku tjetër, veç 88 vjet më
pas. Gjatë kësaj hapësire kohore, si me një magji të organizuar nga një dorë e
padukshme e misterioze, i njëjti muaj do të ishte sa i ndjeshëm aq dhe
kërcënues për jetën e tij të brishtë prej letërshkruesi. Do të ngjitej në
“majën e Olimpit” si një i gjallë me mish e kocka dhe do të zbriste nga andej
në po të njëjtën vapë acaruese të muajit veror, por vetëm trupi i tij. Sepse
shpirti me siguri ka mbetur në eterin e përjetësisë.
Dhimitër Shuteriqi |
No comments:
Post a Comment