Nga Leonard Veizi
Në statistikat e ardhshme
viti 2020 me siguri do të mbahet mend si koha e sëmundjeve mendore apo si
“depresioni i madh”. Ashtu si Amerika e viteve ’30 të shekullit të kaluar, me
krizën ekonomike e cila u shfaq edhe në shumë vende të tjera për një periudhë
gati 10-vjeçare. Në epokën moderne dhe vitet e shpejta të zhvillimit
teknologjik, depresionet kanë qenë të herëpashershme, por shpesh të ndara nga
njëri shtet në tjetrin. Ndërsa depresionet e mëdha mbahen mend për globalizimin
e tyre.
Prej rënies së Murit të
Berlinit, në këto tridhjetë vite të gjata të tranzicionit, Shqipëria futet për
herë të dytë në një periudhë depresive. Hera e parë ishte ajo e vitit 1997.
Një mjek psikiatër me
përvojë, me të cilin mora kontakt ditët e fundit, duke më shpjeguar shkaqet e
traumave të mëdha shoqërore, më tha se aktualisht baza e njerëzve që
paraqiteshin me simptoma ankthi e paniku, për të marrë ndihmë mjekësore, ishin
nga kontingjenti i njerëzve me postrtraumat prej tërmeteve të vjeshtës 2019.
Tetëdhjetë për qind e tyre ishin nga rrethi i Durrësit, pikërisht aty ku
tërmeti u ndie më i fuqishëm, ku pati viktima e shumë dëme të mëdha materiale.
Trauma thellohet edhe më fort kur shpresa për apartamentet e premtuara që do
ndërtoheshin shpejt, është zbehur dhe ende asgjë s’po duket në horizont.
Sa për traumat si pasojë e
karantinimit tremujor, të cilat erdhën në mundësi të shmangies së infektimit
nga virusi “Sars Cov-2”, duket se kanë edhe pak kohë deri në shfaqjen e plotë
të simptomave që kanë të bëjnë me ankthin dhe panikun.
Pacientët pritet të zënë
radhën për të marrë konsulta ambulatore apo terapi të thelluara spitalore, pas
pak kohësh. Ndoshta në fillim të vjeshtës. Pikërisht atëherë kur trumbetohet se
Sars Cov-2 do të bëjë revolucionin e dytë shkatërrues brenda vitit. Kjo pa
dyshim që do të sjellë pasoja zinxhir.
Pra, kemi të bëjmë me një
“depresion kombëtar”.
Në vitin 1997 shqiptarët
kaluan gjithashtu një traumë të tillë gjithëpërfshirëse, ku të sëmurët mbushën
pavijonet e psikiatrikut, si fillimisht kishin tejmbushur ato të kirurgjisë e
reanimacionit me të plagosurit e shumtë nga armët e zjarrit. Humbja e kursimeve
në të ashtuquajturat “firma piramidale”, shoqëruar me zbrazje automatikësh e
hedhje granatash në një luftë artificiale, ishte po aq traumatike sa një tërmet
shkatërrues shoqëruar nga një luftë bakteriologjike e heshtur, e keqja e së
cilës nuk dihet asnjëherë se nga të vjen.
Këtë herë nuk do të jetë
problem vetëm Infektivi me numrin e kufizuar të shtretërve. Po aq në krizë së
shpejti do të jetë dhe “5”-sa e Tiranës, “17 “ e Elbasanit apo psikiatrikët e
Vlorës e të Shkodrës. Numri do të rritet ndjeshëm, sepse jo të gjithë janë të
gatshëm t’i përballojnë sprovat e jetës me mospërfillje e duke i futur një
mendje të lehtë.
Aktualisht, zyrtarët e
Ministrisë së Shëndetësisë po na bombardojnë me statistika të përditësuara mbi
të infektuarit me COVID-19. Situata bëhet më e rëndë kur përmendet numri në
rritje i të vdekurve. Akoma më e rëndë, kur me kalkulime përqindjesh e veprime
matematikore të vështirësisë së lartë na thuhet se për të infektuar, intubuar e
viktima po arrijmë Italinë e Spanjën, e po vazhdoi kështu, do t’ia kalojmë dhe
Amerikës. Kjo paradë shifrash, si një spektakël triller me skenar e regji të
komanduar, e thellon situatën e depresionit e cila në një të ardhme të afërt do
të jetë e pandalshme.
Tanimë virusi “Sars Cov-2”
që në infektim e sipër ndërron kodin e kthehet në COVID-19, është i pari në Top
Liste. Por ne nuk kemi informacion mbi të sëmurët nga kanceri, nga ata që
ndërrojnë jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, për diabetikët, hemofilikët...
Ne kemi të dhëna të përditshme vetëm për Covid-in. Dhe këto shifra duken vërtet
të frikshme, nëse ballafaqohen krahasimisht me asgjënë. Ka 5 muaj rresht që
Ministria e Shëndetësisë delegon një zyrtare, të hipë mbi një foltore e të na
japë një informacion të panevojshëm. Sepse Covid-i nuk është më i keq, më i
vështirë apo dhe vdekjeprurës nga gjithfarë sëmundjesh të tjera. Tanimë ai
thjesht është kthyer në një gogol me të cilin tremben të rriturit.
Një gjë e tillë shkakton
traumë. Dhe njerëzit që janë të prirë të dëgjojnë për ditë zyrtaren e radhës që
ngjitet te foltorja e Covid-it, nëse kanë shpëtuar nga infektimi prej virusit,
do të bëjnë pjesë në kontingjentin e atyre që së shpejti do të kërkojë një
shtrat te Spitali Psikiatrik.
Sot, me këdo që mund të
pish një kafe, shok, mik a i njohur i largët, do të të hapet e tregojë pa
doreza se sa i stresuar është nga gjithçka ndodh përreth. Dhe nuk duhet shumë
për të kuptuar që kjo është një traumë kolektive. Mjafton që kafenë ta pish te
një lokal pranë një kryqëzimi me semafor. Dhe doza paranojake do të të shtohet
dyfish. Aty do të shohësh se si shqiptarët që nuk i hipin më autobusit, por
bredhin me makina prodhuar në vitin 2020, nuk durojnë dot as sekondën, por u
bien borive në kor si të çmendur, sherrosen e shajnë brenda kabinave me ajër të
kondicionuar, duke shtrënguar çdo sekondë me njërën dorë timonin dhe tjetrën
celularin që i apdejton në mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë.
A nuk është ky një tregues
kolektiv i paqëndrueshmërisë psikike?
Çfarë duhet tjetër për të
kuptuar se shoqëria po përjeton traumën dhe depresionin. Nuk është e nevojshme
të dëgjosh lajmet për shtimin e numrit të vetëvrasjeve, apo të këshillave që
japin psikologët për të mbajtur të presuara simptomat e sapofilluara. Mjaft të
përqendrohesh te njerëzit në rrugë, në markata, në vendet e punës, në kafene e
aty rreth vendbanimeve. Do të ndeshesh me gjithfarë çudirash të papara,
nervozitet të pajustifikuar, me veprime absurde, me fjalor të tmerrshëm banal e
konflikte të paqena. Dhe kjo nuk ka të bëjë me temperaturat e larta të stinës.
Madje, e gjitha kjo situatë nuk ka të bëjë as me nivelin e kulturës apo
edukatës së çdonjërit prej nesh. Thjesht, ka të bëjë me nivelin e mbajtjes nën
kontroll të presionit e të stresit. Dhe kur nuk arrin ta menaxhosh dot më, pa
dyshim do të japësh një spektakël negativ publik.
Në një studim të lexuar së
fundmi, mbi situatën e sëmundjeve mendore në Shqipëri, thuhej se ato ishin në
nivele të larta ku 1 në 4 persona të moshuar kishin shenja klinike të
depresionit. Fakt tjetër, sipas këtij studimi, është që depresioni te gratë është
më i shpeshtë se te burrat, ku pothuajse 1/3 e tyre kanë gjithashtu shenjat e
depresionit. Pa dyshim, studimi nuk arrinte të kapte periudhën e tërmeteve apo
të Covid-it, sepse një studim i tillë, nëse ka filluar tani, do kohën e vet
deri në daljen e përfundimeve.
Dhe së fundi, dua të
theksoj se ne flasim e i japim shumë rëndësi vetëm sëmundjeve mendore për të
rriturit, por ndërkohë harrojmë se janë dhe fëmijët shtresa më e prekshme në
situatat e depresionit gjithëpërfshirës. Duket sikur ata nuk janë aq të vëmendshëm
ndaj zhvillimeve problematike, ndërkohë që janë po ata të cilët kanë përthithur
të gjithë informacionin e pafiltruar, që përpunohet vazhdimisht në trurin e
tyre, deri në shfaqjen e parë të atakut. Periudha të tilla depresive, pa dyshim
do të shpërthejnë si simptoma të forta e plot ngarkesa vite më vonë, kur
fëmijët e sotëm të jenë rritur mjaftueshëm, të kenë hyrë në jetë dhe të kenë
marrë ‘stafetën’.

No comments:
Post a Comment