“E kam të
vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para
saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur”
Nga Leonard
Veizi
Kur
merr telajon e bardhë dhe e vendos rrëmbimthi mbi këmbalec, bojërat e
shkartisura aty-këtu, gjithfarë ngjyrash aspak të njëtrajtshme dhe një penel ende
të pashkriftuar, ajo është e gatshme të kryejë “sakrificën” e radhës. Aty përballë
saj diçka e re do të marrë jetë, dhe mund të vdesë po aty, nëse peneli dhe bojërat
e patrajtshme nuk do të mund të kenë kiminë e dëshiruar. Një ndjesi
marramendëse e mundon teksa vazhdimisht çliron diçka nga e gjithë ngarkesa që nuk
arrin ta mbajë më brenda vetes. Pikërisht në ato çaste munduese e me një gëzim
që fshihet herë pas here në skutat më të errëta të ndërgjegjes, ajo nuk arrin të
mendojë matematikisht apo me një probabilitet të shtirë, se çfarë do të mund të
dalë nga e gjithë kjo; një hyjni përtej imagjinatës a një djall i pakonceptueshëm,
sidoqoftë. Sepse në të dyja rastet dhe në një të tretë gjithashtu, ajo nuk ka për
ta përmbajtur dot veten, që një figurë të padekriptuar e plot mister ta shkodojë
e ta kthejë në një realitet të trishtë mediokrish. Sepse e, mbi të gjitha, ajo
nuk është një arkitekte e kalkuluar dhe as dizenjatore reklamash mediatike a
sloganesh patetike, por një piktore e lirë, e frymëzuar pikërisht nga liria e
saj e pakufizuar...
...Laura
Brahimi është lindur në Ferizaj. Ka marrë pjesë në gjithfarë ekspozitash
vetjake dhe kolektive, nja 25 të tilla, së paku. Në biografinë artistike të saj
shkruhet se ka mbaruar Fakultetin e Arteve, “Pikturë Bachelor” dhe “Pikturë
Master”, ku është diplomuar me temën “Psikanaliza dhe arti”. Gjithsesi, ajo ka
dhe një diplomë tjetër për “Biznes Ndërkombëtar”. Por kjo për momentin nuk na
intereson fare. Sepse po flasim për art e ndjenja të holla, dhe jo për blerje
aksionesh ndërkombëtare në bursën e Nju-Jorkut. E pyetur në këtë këndvështrim,
Laura Brahimi tregohet e gatshme, që me lexuesin e gazetës “Fjala” të ndajë
mediatikisht raportin e saj me atë gjë shumë të rëndësishme që bën prej vitesh,
pikturën.
Ju dhe piktura,
si ndiheni para telajos?
Shumica
e njerëzve me pikturën nënkuptojnë, ngjyrën, brushën dhe kohën e lirë. Arti
komercial duhet të dallohet nga arti i vërtetë. E kam të vështirë të përshkruaj
ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e
duhur dhe nevojën e duhur.
Në çfarë rryme
përfaqësoheni?
E
kisha të vështirë të kuptoja se çfarë bëja dhe çfarë do të doja të bëja. Mirëpo,
duke u nisur nga përvojat e mia emocionale, nga përjetimet e mia, kam kuptuar
që arti është hiç më pak se një metaforë, se një sublimim i instinkteve tona
dhe është plotësisht i pavetëdijshëm... Një kërkim për një botë tjetër.
Me
një ndjenjë melankolie, një dëshpërim në një pamje të bukur, pra pikturat e mia
janë psikologjia ime, një rrymë moderne...
Cila është
preferenca juaj, të realizoni objekte konkrete apo të punoni me imagjinatë?
Arti
është një përpjekje për t’u integruar drejt njerëzve në përgjithësi, një revoltë
në kërkim të dijes dhe të panjohurës, mirëpo duke ofruar një pamje sipas imagjinatës
sime.
Gjërat
konkrete mbeten te shikuesit që ngacmohen përballë artit tim.
Shqiptarët këtej
dhe andej kufirit kanë shkolla të ndryshme pikture. Mund të bëni një vlerësim
të tyre?
Për
ne shqiptarët, në përgjithësi, njoh artistë të mirëfilltë dhe pa dashje, edhe
art jo të mirëfilltë, d.m.th. “art kich”... Po ndalem te vlera e mirëfilltë.
Mendoj
që në art nuk duhet akademi për të qenë vërtet artist, sot jemi në një kohë pa
kohë, sepse nuk dallohet vlera nga antivlera, ndoshta kjo më brengos tek artistët
me akademi profesionalisht të shkolluar. E kuptoj personalitetin e veçantë që s’kanë
kohë të merren me antivlerë, por duhet një seleksionim që publiku të shijojë artin
e mirëfilltë.
A ka pasur
ekspozita të përbashkëta mes piktorëve të Tiranës dhe Prishtinës?
Ekspozita
kolektive mes piktorëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka mjaft, por uroj të bëhen më
shumë projekte për t’u realizuar një lëvizje e tillë. Shkaku që ka shumë pakënaqësi
të tjera, mund të jetë pengesë për bashkëpunimin
mes tyre.
Ju keni hapur
një seri ekspozitash vetjake, në fakt, a jetohet vetëm me pikturë apo mbetet
një profesion i dytë?
Mendoj
që arti për mua s’mund të jetë profesion, mbase mendoj që është më shumë nevojë
sesa një profesion që mund të jetoj prej tij.
Arti
për mua s’ka logjikë, ka ndjenjë dhe emocion që anën intelektuale e ndihmon për
t’u dhënë zgjidhje kërkimeve drejt një jete më ndryshe.
No comments:
Post a Comment