Saturday, March 21, 2026

Nga krimi te “Reality Show”, industria që ushqehet me ankth dhe argëtim të zbrazët

 
 

Nga Leonard Veizi
 
Në epokën e informacionit, ku ekraneve u japim frymë me një prekje, bota duket e ndarë mes dy poleve ekstreme: njëri i mbushur me lajme tragjike, dhunë dhe skandale, ndërsa tjetri me spektakle artificiale ku njerëzit luftojnë për t’u bërë "heronj" përmes dramave të trysnuara. Ky paradoks i thellë reflekton jo vetëm realitetin tonë social, por edhe psikologjinë kolektive të një shoqërie që luhatet mes ankthit ekzistencial dhe kënaqësisë së rreme.
Platformat online janë kthyer në pasqyrën e një bote në krizë. Mjafton një lundrim i shpejtë në rrjet për të kuptuar se po jetojmë në një peizazh virtual të mbingarkuar me tension e frikë. Portale lajmesh që gumëzhijnë nga paralajmërime për vrasje, lufta, shpërthime sociale, armë të shkatërrimit në masë dhe përplasje gjeopolitike. Këto ngjarje nuk janë thjesht informacione; ato aktivizojnë instinktet tona primitive të frikës, duke na krijuar ndjesinë se jemi të rrethuar nga një "luftë e padukshme".
Ky bombardim i përditshëm ushqen trurin me ankth dhe përforcon idenë se bota është në prag shpërbërjeje. Në këtë vorbull, një vend të veçantë zënë edhe temat mbi jashtëtokësorët – artikuj të errët që ngrenë pikëpyetje mbi qenien, pushtetin dhe vendin tonë në univers. Ato luajnë me kuriozitetin tonë atavik për të panjohurën, duke i shtuar peshë ndjesisë se kërcënimi vjen nga të gjitha anët.
Por, ndërkohë që kjo e vërtetë e madhe dhe kërcënuese vërshon çdo ditë nga ekranet, shumë njerëz zgjedhin ta shpërfillin. Për ta, një luftë reale nuk është më emocionuese se një debat banal në një reality show. Ata nuk përfshihen në diskutime mbi sigurinë apo sfidat ekzistenciale; përkundrazi, ndjekin me pasion jetën e banorëve të "Big Brother", marrin anë për çifte të sapoformuara dhe shpenzojnë orë të tëra duke analizuar një shikim të fshehtë apo një inat të sajuar. Spektakli, në këtë pikë, e ka zëvendësuar plotësisht realitetin.
Ky fenomen nuk është i rastësishëm. Psikologjia e turmës dhe ajo individuale ofrojnë shpjegime të qarta. Në librin e tij "Psikologjia e Turmave", Gystav Lë Bon theksonte se individi, kur bëhet pjesë e turmës, priret të heqë dorë nga logjika dhe vlerësimi racional, duke u udhëhequr nga emocioni dhe impulsi kolektiv. E njëjta logjikë funksionon edhe në rrjet: masa nuk kërkon ta kuptojë realitetin, por të shpëtojë prej tij duke u zhytur në një iluzion të përbashkët.
Studimet tregojnë se truri ynë ka një prirje të trashëguar për t’u fokusuar te negativiteti si mjet mbijetese. Por në botën moderne, ky instinkt shndërrohet në një cikël vicioz: media rrit audiencën duke shfrytëzuar ankthin, ndërsa publiku kërkon "dopaminë" nga situatat dramatike. Kjo shpjegon pse lajmet mbi dhunën apo konfliktet politike korrin numrin më të madh të klikimeve.
Nga ana tjetër, Zigmund Frojd do ta lidhte këtë sjellje me "parimin e kënaqësisë". Nëse realiteti është kërcënues, njeriu kërkon strehë në fantazi dhe në jetën e tjetrit – diçka që është mjaftueshëm larg për të mos dhëmbur, por mjaftueshëm afër për të ngacmuar ndjesitë. Në këtë mënyrë, spektaklet e tipit "Big Brother" shërbejnë si një mekanizëm për të sublimuar frikën kolektive, duke e kthyer atë në një emocion të kontrolluar.
Formati i reality show-ve i shndërron konfliktet njerëzore në "beteja" të skenifikuara, ku intriga është monedha kryesore. Ky nuk është thjesht argëtim, por një ritual kolektiv ku publiku gjen një lloj kënaqësie te vuajtja e tjetrit, duke e normalizuar dramën si formën parësore të komunikimit.
Filozofi dhe psikanalisti Sllavoj Zhizhek sugjeron se shoqëria moderne është e mbingarkuar nga informacioni, por e paaftë për të përpunuar të vërtetën. Kështu, ajo e zëvendëson realitetin me spektaklin – një koncept i trajtuar gjerësisht edhe nga Gi Dëbor. Në librin e tij "Shoqëria e Spektaklit", ai argumenton se gjithçka është kthyer në imazh dhe performancë, duke e bërë realitetin një version të holluar dhe më të lehtë për t’u konsumuar.
Në këtë kuptim, nuk është e çuditshme që edhe në ditët më të errëta njerëzit kërkojnë argëtim. Kur e vërteta bëhet e padurueshme, spektakli kthehet në mjet mbijetese. Njerëzit nuk janë gjithmonë të etur për dije, por për emocion; jo për kuptim, por për ndjesi. Në një botë me kërcënime reale, ikja drejt një spektakli të zbrazët duket si forma më e padëmshme e "shërimit".
Megjithatë, ky nuk është thjesht një variant preference. Është treguesi i një shoqërie që, në vend që të përballet me problemet, i zëvendëson ato me seriale. Dhe ndoshta ky është kërcënimi më i madh i kohës sonë: jo lufta apo vrasjet, por indiferenca e plotë ndaj tyre.
Shoqëria moderne jeton në tehun mes realitetit dhe fiktionit. Ndërsa duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet, është po aq e rëndësishme të krijojmë hapësira ku njerëzorja dhe e bukura të mbeten prioritet. Kjo kërkon një "higjienë mentale": një zgjedhje të vetëdijshme për të konsumuar informacion kritik, por edhe për të përqafuar artin dhe letërsinë – ato tregime njerëzore që vërtet na pasurojnë shpirtin.
 

No comments:

Post a Comment