Nga Leonard Veizi
Dhe këtu lind paradoksi historik: Europa frikësohet nga Rusia, por shumë vende duhet të tremben edhe nga Gjermania. Jo sepse Berlini po kërkon të nxisë konflikt sot, por sepse historia e sheh ndryshe, me sy të ftohtë. Ky vend ka treguar se: di të ngrihet shumë shpejt, edhe kur duket i shkatërruar; di të ndërtojë aparate shtetërore dhe industriale kolosale; di t’i rikthehet luftës me efikasitet të tmerrshëm, sa herë që e ka ndjerë të nevojshme; dhe mbi të gjitha: asnjëherë nuk ka mbetur i pafuqishëm për shumë gjatë.
Pikërisht këto shqetësuan Europën dy herë në shekullin XX.
Fati i betejës së Stalingradit nuk u vendos brenda qytetit, ku trupat gjermane luftuan me këmbëngulje deri në fund. Aty Wehrmacht-i nuk u thye. Rrjedha e luftës ndryshoi për shkak të një faktori tjetër vendimtar: kolapsi i aleatëve të Gjermanisë në krahët e frontit. Ndërsa Ushtria e 6-të gjermane ishte përfshirë në luftimet urbane, krahët verior dhe jugor i ishin besuar ushtrive rumune, italiane dhe hungareze – më të dobëta, më pak të pajisura dhe pothuajse pa armë kundërtanke. Pikërisht këto sektorë u zgjodhën nga sovjetikët për ofensivën vendimtare, Operacionin Uranus.
Më 19–23 nëntor 1942, Ushtria e 3-të dhe 4-të rumune u thyen brenda pak ditësh, duke krijuar dy çarje të mëdha që u bashkuan në Kalach. Rrethimi i Stalingradit ndodhi pa u thyer asnjë divizion gjerman në vijën e parë. Në janar 1943, sulmet e tjera sovjetike shkatërruan edhe ARMIR-in italian dhe Ushtrinë e 2-të hungareze, duke shembur gjithë mbështetjen e Boshtit në frontin jugor.
Pra, humbja në Stalingrad nuk ishte rezultat i një dështimi gjerman në fushën kryesore të betejës, por pasojë e kolapsit të aleatëve që mbanin krahët. Wehrmacht-i u rrethua jo sepse u mund brenda qytetit, por sepse u la pa mbrojtje në prapavijë.
Sot, rritja e ushtrisë gjermane nuk duhet parë si gjest i pafajshëm: është një lëvizje që prek ekuilibrat historikë, psikologjikë dhe strategjikë të kontinentit. Europa nuk duhet të harrojë se Gjermania nuk ka vetëm traditat e demokracisë moderne – ka edhe traditën e një makinerie shtetërore që, kur vihet në lëvizje, di të shndërrohet në forcë dominuese.
Ndaj, po: Evropa duhet të qëndrojë syçelë. Historia nuk përsëritet fjalë për fjalë, por modelet e saj kthehen. Dhe Gjermania është popull që, sa herë bie, e ka treguar se di të ringrihet… dhe ta fillojë luftën nga e para.
x

No comments:
Post a Comment