Nga Leonard
Veizi
Ka netë kur
historia e sportit nuk shkruhet me numra dhe statistika, por me emocione, me
zhurmën e daulleve primitive dhe me dritën e shpresës. Mëngjesi tropikal i 30
tetorit 1974, nën qiellin e yjëzuar dhe të rëndë të Kinshasës, ishte një prej
tyre. Bota mblodhi frymën, duke dëgjuar thirrjen e një turme prej 60,000
njerëzish: “Ali, boma ye!” apo “Ali, vrite!”.
Në zemrën e Zairit
– që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos, - ndodhi një nga çastet më
të thella dhe madhështore të boksit – përballja mes Muhammad Ali dhe Xhorxh Foreman,
e pagëzuar si “The Rumble in the Jungle”. Ky ishte më shumë se një duel për
titullin botëror në peshat e rënda; ishte një ndeshje epike mes dy filozofive
të jetës, mes dy simboleve të epokës. Ishte ndeshja midis shpirtit të
pathyeshëm të sfiduesit dhe forcës brutale të kampionit. Midis një njeriu që
kishte humbur gjithçka për parimet e tij dhe një makinerie nokauti që nuk
njihte humbje.
Ali vs Foreman
Ali, ish-kampion
olimpik dhe botëror, vinte në Afrikë si i dëbuar i kohës. Pas një periudhe të
gjatë ku i ishte hequr licenca për shkak të refuzimit për t'u përfshirë në
luftën e Vietnamit, ai nuk ishte thjesht një boksier. Ai ishte tashmë një
figurë globale: simbol i dinjitetit, i kurajos qytetare, i njeriut që nuk
përkulet para padrejtësisë. Në moshën 32-vjeçare, shpejtësia i ishte zbehur,
por trashëgimia e tij ishte rritur.
Përballë tij
qëndronte Xhorxh Foreman – një forcë e natyrës, më i ri, më i pamposhtur,
zotërues i grushtit më shkatërrues në sport. Foreman i kishte mbyllur ndeshjet
e tij pothuajse gjithmonë me nokaut brenda pak raundesh, duke e shkatërruar
kundërshtarin me një dhunë të pafalshme. Pothuajse të gjithë mendonin se ky
ishte fundi i karrierës së Ali-t.
Strategjia e rraskapitjes
Në orën katër të
mëngjesit, një orar i pazakontë për të ndjekur kërkesat e audiencës amerikane,
nën dritat verbuese dhe vapën afrikane, filloi ndeshja që do të ndryshonte
kursin e historisë. Ali e dinte se nuk mund të luftonte forcën me forcë. Ai
luftoi me mendje, duke zbatuar strategjinë e tij legjendare, “rope-a-dope” që
në shqip vjen si: përleshje mbi litarët. Në vend që të shmangej, Ali u mbështet
në litarët e ringut, duke mbuluar kokën dhe trupin. Ai e la Foremanin të
godiste dhe të shfrynte të gjithë energjinë e tij. Çdo grusht i Foreman-it,
megjithëse i rëndë, dukej se përzihej me litarët dhe e humbiste forcën. Ali i
pëshpëriste fjalë provokuese kampionit të frustruar: “A është ky i gjithë ai
grusht, Xhorxh?!” Ndërkohë, turma afrikane, e mahnitur nga kurajoja dhe guximi
i Ali-t, brohoriste pa ndalur.
Nokauti i
Përjetësisë
Ndërsa shkuam në
raundin e tetë, Foreman ishte rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht.
Grushtat e tij, që në fillim ishin topa guri, tani ishin thjesht shtyrje të
dobëta. Papritur, si një aktoresk i skenarit më të mirë, Ali shpërtheu. Ai u
shkëput nga litarët dhe goditi Foreman-in me një kombinim të shpejtë e të
përsosur, duke kulmuar me një goditje të djathtë që rrëzoi kampionin për tokë.
Arena shpërtheu në
një histeri kolektive. Xhorxh Foreman, i pamposhturi, ishte shtrirë në tokë dhe
arbitri numëronte. Ali ishte rikthyer në fronin e tij.
Kjo fitore
kapërceu kufijtë e sportit. Ajo ishte triumfi i inteligjencës mbi muskulaturën,
i shpirtit njerëzor mbi frikën dhe dhunën, i besimit te vetvetja kur askush
tjetër nuk besonte. Në një kohë kur bota kishte nevojë për një hero që sfidonte
pushtetin, Muhammad Ali e ofroi atë me një buzëqeshje, me një fjalë, dhe me atë
grusht të vetmuar që vulosi emrin e tij në panteonin e mitit.
“Unë jam më i
madhi,” kishte thënë ai dikur. Dhe atë natë në Zaire, në zemrën e errësirës
afrikane, ai nuk u bë vetëm kampion i botës, por u kthye në një legjendë,
figura më ikonike dhe më frymëzuese që ka njohur sporti.

No comments:
Post a Comment