Sunday, November 9, 2025

“Djali i Artë” Diego Armando Maradona, eposi i gjenialitetit dhe kontradiktës



Nga Leonard Veizi  
 
Disa emra shkëputen nga materia njerëzore dhe shndërrohen në yje që nuk shuhen. Ata nuk u përkasin më vetëm biografive, por kanë marrë rrugën mitologjisë.
Në panteonin e futbollit, një vend i tillë, i shenjtë, mbahet nga Diego Armando Maradona.  
Ai nuk ishte thjesht një lojtar. Ishte një erupcion gjenialiteti, një shkëndijë hyjnore në formë njeriu, dhuratë për një lojë që fal emocione dhe plagë me të njëjtën forcë shkatërrimtare.
Kur topi, ai rruzull i vogël lëkure, i ngjitej këmbës, dukej sikur ligjet e fizikës pezulloheshin: graviteti ndalonte, koha ngadalësonte, dhe topi i bindet ritmit të tij të çmendur, duke kërcyer nën magjinë e një mjeshtri.
Maradona ishte vetë thelbi i futbollit i përkthyer në poezi rebele dhe tragjedi njerëzore.  
Ai lindi më 30 tetor 1960 në kasollen e varfër të lagjes Villa Fiorito në Buenos Aires. Që në moshën më të njomë, ky fëmijë shfaqi një bekim të pashoq: topi u bë shoku i tij i përjetshëm, mjeti i vetëm për të çarë errësirën dhe për të ndërtuar një jetë të ndryshme nga ajo që i ofronte fati. Në moshën 15-vjeçare, debutoi me “Argentinos Juniors”, duke tronditur Argjentinën me atë që komentatorët e quajtën, me drithërimë: “një fëmijë që luan si Zot”. 
Karriera e tij u ngjit drejt majës me shpejtësinë e një uragani dhe me ritmin e driblimit të tij të pandalshëm: “Boca Juniors”, “Barcelona”, dhe pastaj “Napoli” – qyteti i shpërfytyruar që do ta adhuronte si ikonë. Pikërisht në Jugun e Italisë, Maradona e transformoi një skuadër të harruar në kampion të Italisë dhe të Europës, duke u bërë për tifozët e tij shpëtimtari, i vetmi që sfidoi të fortët e Veriut. Muralet me fytyrën e tij mbetën në muret e lagjeve si ikona të besimit, dhe emri “Diego” u shndërrua në një lutje, një besëlidhje.  
Por çasti që e gdhendi përjetësisht në historinë e sportit ishte Kupa e Botës 1986 në Meksikë. Atje, ai udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë, duke shënuar në një ndeshje të vetme kundër Anglisë dy nga golat më kontradiktorë dhe më të famshëm të të gjitha kohërave: “Dora e Zotit” – akti i rebelimit djallëzor, dhe “Goli i Shekullit” – akti i pastër i gjenialitetit, ku kaloi me mjeshtëri gjysmën e skuadrës kundërshtare. Ishte ky akt, që shpalosi Maradonën në dy anët e të njëjtës medalje: njeriu-gjenial dhe njeriu-rebel.  
Pseudonimi i tij, “El Pibe de Oro” – “Djali i Artë”, nuk i përkiste vetëm aftësisë me topin, por shpirtit të tij të papërkulur. Ai mishëronte dashurinë për futbollin si art, pasionin e pastër që buron nga rruga, dhe humanizmin e thellë të njeriut që kurrë nuk harroi origjinën e tij të varfër. Megjithëse jeta jashtë fushës u përfshi nga labirintet e errëta të varësisë dhe betejave personale, në fushë ai ishte gjithnjë i përkryer – një poet rebel që shkruante me topin mbi barin e stadiumit.  
Maradona vazhdoi më pas edhe si trajner, duke përfshirë detyrën e përzgjedhësit të Argjentinës në Botërorin e 2010-ës. Ai mbeti përherë një ikonë e popullit, një hero që fliste gjuhën e të varfërve, dhe që i kundërvihej çdo pushteti apo autoriteti që synonte ta kontrollonte.  
Diego Armando Maradona u largua më 25 nëntor 2020, por prania e tij është ende e gjallë në çdo murale të Buenos Airesit, në çdo shesh të Napolit, në çdo zemër që e ka dashur futbollin me shpirt dhe me pasion. Ai ishte më shumë se një kampion – ishte një shpërthim i pastër i jetës, pasionit, lavdisë dhe tragjedisë njerëzore, të mishëruara në një trup të vetëm.  
Sepse, siç e përmblodhi mjeshtri Eduardo Galeano: “Maradona është më shumë se futbollist. Ai është një pjesë e pandashme e shpirtit të Amerikës Latine - e bukur, e padrejtë, dhe e përjetshme.”


No comments:

Post a Comment