nga Leonard
Veizi
Ka filma që nuk
plaken, sepse flasin për diçka që nuk ndryshon kurrë: natyrën njerëzore
përballë pushtetit dhe drejtësisë. “The Star Chamber” apo “Gjykata e Yjeve” një
prodhim kinematografik i vitit 1983, me Majkëll Dagllas në rolin e gjykatësit
Steven Hardin, është pikërisht një prej tyre — një thriller moral, i heshtur
dhe i rrezikshëm, ku pyetja themelore nuk është kush është fajtor, por kush ka
të drejtë të gjykojë.
“Star Chamber”
e Henri VII
Duket se autorët e
filmit e kanë titulluar “Star Chamber” sipas gjykatës speciale në Angli, që u
krijua nga mbreti Henri VII rreth vitit 1487. Ajo mblidhej në një sallë të
Pallatit të Westminsterit, me tavan të dekoruar me yje – prej nga vjen edhe
emri. Fillimisht, “Gjykata e Yjeve” kishte një qëllim pozitiv: të gjykonte
rastet e korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe krimeve që gjykatat e
zakonshme nuk mund t’i trajtonin për shkak të ndikimit të të pasurve ose
fisnikëve. Por me kalimin e kohës, ajo u shndërrua në një instrument represioni
mbretëror, që gjykonte në fshehtësi, pa juristë, pa dëgjues publikë dhe pa
apel. Vendimet ishin të menjëhershme dhe shpesh të dhunshme. Më 1641,
Parlamenti anglez e shkriu Gjykatën e Yjeve, duke e shpallur një simbol të
abuzimit me drejtësinë dhe të pushtetit absolut.
Ngjarja në film
Gjykatësi Hardin,
i lodhur nga pafuqia përballë ligjit që shpesh liron fajtorët për shkak të
“boshllëqeve procedurale”, ndeshet me një grup gjykatësish që kanë krijuar një
“gjykatë të fshehtë”, Gjykata e Yjeve. Ata mblidhen në një sallë të errët,
vendosin në heshtje dhe urdhërojnë ekzekutimin e atyre që drejtësia zyrtare nuk
arrin t’i dënojë. Në emër të moralit, ata marrin rolin e Zotit.
Në fillim, ky
sistem paralel duket si një zgjidhje për padrejtësinë. Por shumë shpejt, Hardin
kupton se çdo drejtësi që lind jashtë ligjit është vetëm një formë e re e
padrejtësisë. Ai e sheh se dora që ndëshkon në emër të “së mirës” mund të bëhet
më e errët se ajo që kriminelët përdorin për të vrarë. Në këtë pikë, filmi i
Piter Hajamsit nuk është më thjesht një dramë gjyqësore — është një reflektim
filozofik mbi kufijtë e moralit.
Kanti do ta quante
këtë një përplasje mes detyrës morale dhe ligjit objektiv. Ai do të kujtonte se
ligji është i domosdoshëm pikërisht për të na ndalur nga dëshirat tona për
drejtësi personale. Dostojevski do të shtonte se kur njeriu e ndien veten mbi
ligjin, e ka bërë tashmë hapin e parë drejt krimit. Të dy do të pajtoheshin se
drejtësia, pa rregulla, është vetëm një pasion që kërkon hakmarrje.
Në këtë kuptim,
“Gjykata e Yjeve” është një alegori e frikshme për çdo shoqëri ku besimi tek
sistemi bie, dhe njerëzit nisin ta marrin drejtësinë në duart e tyre. Sepse kur
drejtësia e vërtetë dështon, lind tundimi për të ndërtuar një drejtësi të re —
por ajo drejtësi e re, zakonisht, lind në errësirë. Dhe errësira nuk pyet më
për faj apo pafajësi.
Majkëll Dagllas,
me interpretimin e tij të qetë dhe të brendshëm, sjell portretin e njeriut që
përballet me krizën më të madhe morale: atë të ndërgjegjes. Në fund, ai kupton
se asnjë vendim i dhënë jashtë ligjit nuk mund të quhet drejtësi, sado e drejtë
të duket në sy të njerëzve.
Aludim
Nëse sot do të
ekzistonte një “Gjykatë e Yjeve” moderne, ajo ndoshta nuk do të mblidhej në
ndonjë sallë të fshehtë. Do të ishte në rrjetet sociale, në opinionet e
shpejta, në gjykimet pa prova që shkatërrojnë jetë me një klikim. Është një
formë e re e po asaj pasioni të vjetër për të ndëshkuar, pa kuptuar.
Filmi i vitit 1983
mbetet një paralajmërim për kohën tonë: drejtësia nuk është ndjenjë, është
rregull. Dhe ligji, me gjithë mangësitë e tij, është ende pengesa e vetme që
ndan qytetërimin nga kaosi.
Sepse, në fund të
fundit, ajo që na bën njerëz nuk është dëshira për të ndëshkuar, por aftësia
për të duruar derisa e vërteta të dalë vetë në dritë.

No comments:
Post a Comment