Wednesday, December 10, 2025

Udhëtimi në Itali dhe leksioni ushqimor që na çoi te sentenca: Të na rrojë qeveria, more shokë



Nga 
Leonard Veizi
 
Udhëtimi i fundit në Itali më ringjalli ca kujtime të vjetra dhe më mësoi ca gjëra të reja. Nga ato zbulimet që nuk i ke në plan, por të godasin si me shkop selvie, pikërisht në çastin kur thua: “Më në fund po relaksohem ca.”
Diku nga fundi i pushimeve fundjavore, i them bashkëshortes:
-A hyjmë te ky supermarket, të blejmë ndonjë çokollatë për fëmijët? Të mos kthehemi duarbosh në shtëpi.
Ajo, me sensin e saj të humorit, ma kthen:
-Si të duash ti, mor jahu.
Hyjmë. Unë, normalisht, me radar të drejtuar nga reparti i ëmbëlsirave, apo “dolçeve”, siç u thonë italianët. Por jo si Dolçja që futën te Big Brother Italia, e huazuar nga Big Brother Kosova — të cilën sa herë e shoh më sjell ndër mend një sentencë të Ismail Kadaresë te “Natë me hënë” për Marianën që e kishte bërë çorap ndërmarrjen me hiret e saj: “Të ishim ndërmarrje kapitaliste, do mendoja se na kanë futur rivalët...”
Isha në qejfin tim kur, papritur, gruaja ia pat:
-Qyqa!
Ngriva i tëri. Ëmbëlsirat u zhdukën nga radarët. Mendja më shkoi menjëherë te ndonjë lajm i keq. Se jetojmë në kohë të turbullta, jo për gjë. As dasmat nuk duhen bërë në të tilla kohëra. Se ndodh si në dasmën e Birçes, djalit të Safa Ymerit tek filmi "Malet me blerim mbuluar": Kohë të keqe zgjodhe për dasëm o Safa. Atë dyfekun tim ku e kam?" Vetëm për xhenazet bëhet përjashtim.  Ndaj e pyes menjëherë:
-Plasi në Kuçovë? Apo shpërtheu andej nga Ukraina dhe Gaza?
-Plasi sytë, – ma kthen ajo, këtë herë pa pikë humori. – Hurma vendi, me një euro!
Hurma! Unë thashë mos kishte rënë tërmet. Se atë nuk e mbajmë dot. Paskësh qenë alarm ushqimor, jo gjeopolitik.
-Të Tiranës apo të Elbasanit? – e pyes unë pasi mblodha veten, kot, më shumë për një patriotizëm ekzotik.
-Hurma italiane, ore! Nuk jemi në baçet e Selitës këtu. Janë një euro po të them. Në Tiranë janë 150 lekë të reja!
-Pra… 50% më shtrenjtë. Fiu-fiu, – fishkëlleva unë. – Sa ka shku inflacioni.
-Euro është më poshtë se 100 lekë, – shton ajo, dhe për një çast më duket si brokere banke. “Më fal se të hëngra një gru...” — m’u kujtua një batutë e Fadil Hasës, hedhur në një skeç të Estradës së Durrësit.
Dhe aty m’u bë e qartë filozofia e tregut të madh botëror.
-Ja, edhe bananet, më të lira se në Tiranë…
-Marrim nja dy copë, – i them, – por nuk ma do mendja se dalim me fitim.
Gruaja tundte kokën si për të më thënë: fol ti fol, se ia ke ngenë. Unë hiç
-Edhe sallata në qese qenka më lirë se te marketet tona.
Këtu rrefuzova kategorikisht.
-Jo, sallatë nuk marrim. Do na qeshin italianët në doganë. Do t’u dukemi si gomerë!
-Mjaft me këtë ironinë tënde, – ma kthen bashkëshortja me inat. – Nuk po e sheh që edhe qepët janë më të lira se ato të Bozhigradit?
-Moj grua, – reagoj këtë herë më me nerv, – erdhëm për dy çokollata, jo për të marrë repartin e fruta-perimeve në krah.
-S’ke faj ti, jo. Se llogarinë e shtëpisë e mbaj unë.
-Epo si t’ia bëjmë? Në biletën me një çantë shpine e kemi. Dhe atë e kam unë mbi shpinë. Më shumë se 10 kile nuk mbaj dot.
Ecim përpara në korridoret e supermarketit, të mbushura me njoftime “oferta” portokalli. Epo, prag Krishtlindjesh. Edhe Viti i Ri, sigurisht.
-Fakt i hidhur, – ma kthen gruaja. – Këta, edhe me rroga të larta, edhe me çmime më të ulëta. O Zot, ku jetojmë…
U përpoqa t’ia shpjegoja qetë filozofinë shqiptare të ushqimit: Dikur, në kohën e atij “xhaxhit”, qaheshim çdo ditë për prasin që e hanim një herë të zjerë një herë pa zjerë, por njerëzit qenë elegantë e s’kishin nevojë për palestër. Në repartin e diabetit pacientët ishin me kokrra. Në kardiokirurgji, rrallë kush trokiste. Pastaj hyri demokracia: nisi babëzia e të ngrënit. Ha e... Njerëzit u trashën, u sëmurën dhe mbushën spitalet. Dhe qeveria, - që mos thoni se nuk mendon për ne, - bashkë me tregtarët gjeti një marifet për të ulur sëmundshmërinë: rriti çmimet. Qëllimi është dashamirës, or dashamir: të blejmë më pak, të hamë më pak dhe të kemi më pak dhjamë e yndyrë për të tretur. Politikë e shëndetit publik, fshehur te etiketa e çmimit. Ide e zgjuar, ç’i do llafet.
-E kuptove tani që, edhe pse e shajmë gjithë ditën, qeveria mendon veç për mirëqenien tonë? – i thashë në fund, për t’i vënë kapakun bisedës.
Gruaja tundi kokën në shenjë mirëkuptimi dhe me shprehjen e fundit me kujtoi një batutë nga filmi “Tokë e përgjakur” ku djali partizan i Mitit të vrarë në buzë të jazit, mori tokën e babait me tapi nga pushteti popullor..
-Domethënë, sipas kësaj që thua ti, na duhet të themi çdo mëngjes: të na rrojë qeveria, – ma kthen ajo.
-Të lumtë goja, – aprovova unë, dhe tërhoqa dy çokollata nga reparti i “dolçeve”.

No comments:

Post a Comment