Nga
Leonard Veizi
Pas
80 vitesh nga Stalingradi, po ndodh diçka që shumëkush e mendonte të pamundur:
Gjermania po ringrihet ushtarakisht, po rrit buxhetin e mbrojtjes, po
modernizon armatimin dhe shpall publikisht ambicien për të krijuar një ushtri
“më të madhen dhe më të fortën në Evropë”.
Dhe
këtu lind paradoksi historik: Europa frikësohet nga Rusia, por shumë vende
duhet të tremben edhe nga Gjermania. Jo sepse Berlini po kërkon të nxisë
konflikt sot, por sepse historia e sheh ndryshe, me sy të ftohtë. Ky vend ka
treguar se: di të ngrihet shumë shpejt, edhe kur duket i shkatërruar; di të
ndërtojë aparate shtetërore dhe industriale kolosale; di t’i rikthehet luftës
me efikasitet të tmerrshëm, sa herë që e ka ndjerë të nevojshme; dhe mbi të
gjitha: asnjëherë nuk ka mbetur i pafuqishëm për shumë gjatë.
Pikërisht
këto shqetësuan Europën dy herë në shekullin XX.
Fati
i betejës së Stalingradit nuk u vendos brenda qytetit, ku trupat gjermane
luftuan me këmbëngulje deri në fund. Aty Wehrmacht-i nuk u thye. Rrjedha e
luftës ndryshoi për shkak të një faktori tjetër vendimtar: kolapsi i aleatëve
të Gjermanisë në krahët e frontit. Ndërsa Ushtria e 6-të gjermane ishte
përfshirë në luftimet urbane, krahët verior dhe jugor i ishin besuar ushtrive
rumune, italiane dhe hungareze – më të dobëta, më pak të pajisura dhe pothuajse
pa armë kundërtanke. Pikërisht këto sektorë u zgjodhën nga sovjetikët për
ofensivën vendimtare, Operacionin Uranus.
Më
19–23 nëntor 1942, Ushtria e 3-të dhe 4-të rumune u thyen brenda pak ditësh,
duke krijuar dy çarje të mëdha që u bashkuan në Kalach. Rrethimi i Stalingradit
ndodhi pa u thyer asnjë divizion gjerman në vijën e parë. Në janar 1943, sulmet
e tjera sovjetike shkatërruan edhe ARMIR-in italian dhe Ushtrinë e 2-të
hungareze, duke shembur gjithë mbështetjen e Boshtit në frontin jugor.
Pra,
humbja në Stalingrad nuk ishte rezultat i një dështimi gjerman në fushën
kryesore të betejës, por pasojë e kolapsit të aleatëve që mbanin krahët.
Wehrmacht-i u rrethua jo sepse u mund brenda qytetit, por sepse u la pa
mbrojtje në prapavijë.
Sot,
rritja e ushtrisë gjermane nuk duhet parë si gjest i pafajshëm: është një
lëvizje që prek ekuilibrat historikë, psikologjikë dhe strategjikë të
kontinentit. Europa nuk duhet të harrojë se Gjermania nuk ka vetëm traditat e
demokracisë moderne – ka edhe traditën e një makinerie shtetërore që, kur vihet
në lëvizje, di të shndërrohet në forcë dominuese.
Ndaj,
po: Evropa duhet të qëndrojë syçelë. Historia nuk përsëritet fjalë për fjalë,
por modelet e saj kthehen. Dhe Gjermania është popull që, sa herë bie, e ka
treguar se di të ringrihet… dhe ta fillojë luftën nga e para.

No comments:
Post a Comment