Nga Leonard Veizi
Ndërrimi i viteve
sjell gjithmonë të njëjtën magji, por shpesh edhe të njëjtën hipokrizi
kolektive. Mbrëmja e 31 dhjetorit dhe dita e 1 janarit mbushen me fjalë të
mëdha: urime për shëndet, mirëqenie, begati e rehatllëk mes shqiptarësh. Gotat
ngrihen njëra pas tjetrës, mbushen plot e përplot, derdhen nga tepria e
dëshirave të mira. “Bereqet”, thonë disa, “qoftë vit i mbarë”, shtojnë të
tjerët. Për disa orë duket sikur gjithçka është falur, harruar dhe sikur
shqiptari ka gjetur më në fund paqen me veten dhe fqinjin.
Por kjo gjendje
nuk zgjat shumë. Është një armëpushim i rremë, një pauzë artificiale në teatrin
e jetës sonë të vrazhdë.
Më 2 janar, urimet
treten si avull mbi kafenë e hidhur të mëngjesit. Fjalët e ëmbla zëvendësohen
nga kujtesa e thartë e borxheve, e hatërmbetjeve dhe e llogarive të pambyllura.
Fillojnë zënkat e vjetra, të cilat nuk ishin zgjidhur, por thjesht ishin fshehur
pas gjelit të detit dhe fishekzjarrëve. “Do m’i japësh ato lekët që të dhashë
borxh… apo t’i marr ndryshe?” – ky është refreni që thyen heshtjen e festës.
Nëse në 31 të
është thënë për bakllavanë: Ta hani gëzuar... në datën 2, pa kaluar aq 48 orë,
të vjen urimi i radhës: Të ngectë në fyt, jarebi. E njëjta vlen edhe për gjelin
e detit. Dhe nuk po flasim këtu për salcën e kosit.
Kërcënimet nuk
janë më shaka, dhe shpesh mjafton një fjalë e tepërt, një shikim i vëngërt apo
një bori makine në trafik, që situata të përshkallëzohet. Aty ku duhej të
kishte mirëkuptim, shfaqet dhuna; aty ku flitej për dashuri, lind armiqësia.
Kjo ndodh sepse ne, si shoqëri, kemi investuar më shumë te ritualet e jashtme
sesa te reforma e brendshme. Festojmë ndryshimin e numrit të vitit, por
refuzojmë të ndryshojmë numrin e gabimeve tona.
Ironia është
therëse: “Gëzuar Vitin e Ri, vëlla”, thuhej pak ditë më parë me dorën në zemër.
Po ku vajti ajo dashuri për njëri-tjetrin? Ku përfunduan urimet për prosperitet
dhe paqe? A ishin vetëm fjalë për të mbushur gotën dhe çastin?
Duket se urimet
tona janë si ato fishekzjarrët: bëjnë shumë zhurmë, ndriçojnë për pak sekonda
dhe pastaj lënë pas vetëm erë baruti dhe hiri në tokë.
Argumenti i
dhimbshëm këtu është se ne përdorim festën si një "lavatriçe" morale.
Mendojmë se duke uruar mirësi, po shlyejmë mëkatet e egoizmit të vitit që
shkoi. Por mirësia nuk është një akt kalendarik, është një qëndrim etik. Nëse
urimi yt nuk e mban dot peshën e 2 janarit, atëherë ai nuk ka qenë urim, por
thjesht zhurmë akustike.
Në fund mbetet
vetëm një shprehje e thatë, e thënë më shumë nga zakoni sesa nga zemra: “Mos
pafsh kurrë keq…” Dhe që të nesërmen ia pret: "Vdeksh, inshallah!" Ky
kontrast ekstrem tregon një krizë të thellë karakteri. Kalojmë nga euforia e
bekimit te dëshira për asgjësimin e tjetrit brenda 24 orëve.
Pa ndryshuar
sjelljen e përditshme, pa u ulur në biseda reale për problemet tona dhe pa
pasur guximin të jemi të sinqertë edhe kur nuk ka festë, urimet e Vitit të Ri
mbeten veç një maskaradë festive. Ato shuhen sapo fillon viti i vërtetë, ai vit
ku jeta matet me vepra, jo me dolli.

No comments:
Post a Comment