Nga Leonard Veizi
Për shekuj me
radhë, Parisi nuk ka qenë thjesht një pikë në hartë, por një gjendje
shpirtërore. Ai është endur në imagjinatën tonë përmes aromës së bukës së
sapopjekur në agim, tingujve të një fizarmonike që përhapen përgjatë Senës dhe
dritave që vallëzojnë mbi Kullën Eiffel si thërrime yjesh të rëna mbi qytet...
...Ne nuk
udhëtojmë drejt tij për të vizituar një qytet, por për të takuar një premtim:
atë të romancës së përjetshme dhe të një jete që duket sikur rrjedh në kornizat
e një filmi të viteve ’60. Por çfarë ndodh kur perdet mbyllen, dritat zbehen
dhe skena përpara nesh nuk është më ajo që kishim imagjinuar?
Paradoksi i
qytetit të dritave
Parisi, simboli
botëror i elegancës dhe artit të jetës, bart me vete një nga paradokset më të
çuditshme të turizmit modern. “Sindroma e Parisit” nuk është një mit urban, por
një gjendje reale psikologjike që godet vizitorët kur imazhi i tyre "i
kristaltë" për qytetin thërrmohet sapo prekin tokën franceze.
Zhgënjimi që
lindi nga Lindja
Termi u
identifikua për herë të parë në vitet 1980 nga psikiatri japonez Hiroaki Ota.
Ai vuri re se disa turistë japonezë, të rritur me një vizion idealist të
Parisit si kulmi i mirësjelljes dhe estetikës, pësonin një thyerje të rëndë
shpirtërore.
Në vend të fushave
me livando apo buzëqeshjeve galante, ata ndesheshin me: Ritmin brutal urban të një
metropoli të zhurmshëm që nuk ndalet për askënd.
Po aq turistët
përballen dhe me barrierat kulturore, stilin e drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë të
ftohtë të shërbimit parizien. Ndërkohë që një zhgënjim vjen dhe nga papastërtia
e zakonshme si dhe realiteti i një qyteti që, si çdo qytet tjetër, ku ka
mbeturina, kaos dhe njerëz që nxitojnë.
Kur shpirti
vuan, trupi reagon
Për këta udhëtarë,
tronditja nuk është vetëm emocionale. Ajo shfaqet përmes simptomave fizike që
ngjasojnë me një sulm paniku: marramendje, takikardi (rrahje të shpejta zemre),
djersitje dhe halucinacione të lehta.
Në këtë mënyrë
Ambasada e Japonisë në Paris ka pasur periudha kur i është dashur të mbajë një
linjë emergjence 24-orëshe, e madje të riatdhesojë turistë nën mbikëqyrje
mjekësore, pasi trauma e "zhgënjimit" ishte e papërballueshme.
Evolucioni i sindromës
Nëse dikur Parisi
godiste përmes filmave, sot "fajtor" është Instagrami. Filtrat e
ngrohtë dhe fotot e kuruara deri në detaj e kanë thelluar hendekun mes reales
dhe virtuales.
Është interesante
ta krahasojmë këtë me “Sindromën Stendhal” - që ndodh kryesisht në Firence, - ku turistët
sëmuren nga bukuria e tepërt. Te Sindroma e Parisit, ndodh e kundërta: individi
sëmuret nga mungesa e bukurisë së imagjinuar.
Si lindi “Sindroma
Stendhal”
Emri i dedikohet
shkrimtarit të famshëm francez të shekullit XIX, Stendhal që ishte dhe pseudonimi
i Marie-Henri Beyle. Në vitin 1817, gjatë vizitës së tij në Firence, ai
përjetoi diçka të jashtëzakonshme teksa vizitonte Bazilikën e Santa Croce-s, ku
janë varrosur kolosë si Michelangelo, Galileo dhe Machiavelli. Në ditarin e tij
të udhëtimit, ai shkroi: "Isha në një lloj ekstaze... rrahjet e zemrës
sime u bënë të shpejta, jeta po rridhte brenda meje, ecja me frikë se mos
rrëzohesha përtokë."
Megjithëse
përshkrimi i Stendhal-it daton që nga viti 1817, termi u shkencërua vetëm në
vitin 1979 nga psikiatria italiane Graziella Magherini. Ajo vëzhgoi mbi 100
raste të ngjashme mes turistëve që vizitonin Firencen, të cilët pësonin kriza
paniku ose konfuzion përballë kryeveprave të Rilindjes.
Bukuria e
fshehur te papërsosmëria
Psikologët
shpjegojnë se ky fenomen është një përzierje e lodhjes kronike (jet lag),
pengesave gjuhësore dhe, mbi të gjitha, shembjes së një idhulli estetik.
Megjithatë, kjo sindromë shërben si një leksion i vlefshëm për jetën.
Parisi real – ai
me zëra të lartë nëpër kafene, me njerëz që grinden në metro dhe me lagje që
nuk duken si kartolina – është shumë më interesant se versioni i tij i
filtruar. Ai është një qytet që merr frymë, që gabon dhe që dashuron në mënyrë
njerëzore, jo kinematografike.
Përfundimi:
Sindroma e Parisit na mëson se udhëtimi i vërtetë nuk është gjetja e asaj që
kemi parë në ekrane, por guximi për të parë qytetin (dhe botën) ashtu siç
është: i papërsosur, i rrëmujshëm dhe pikërisht për këtë, i gjallë.


No comments:
Post a Comment