Thursday, February 12, 2026

Funerali i dinjitetit letrar, dorëshkrimet në sirtar dhe roboti në tavolinë



Nga Leonard Veizi
 
Tani që ChatGPT-ja - apo siç e quajmë ne rëndom, me atë përkëdheljen tonë provinciale, “Çat Xhipiti” - është futur në modë, më kap një ndjenjë turpi që s’di si ta fsheh. Më vjen zor t’u them njerëzve që takoj rrugëve se vazhdoj ende të punoj si gazetar.
- Akoma gazetar? Ik, ore!
- Qafsha gardelinat, po.
E për më tepër, nuk guxoj as t’u rrëfej se po shkruaj një roman.
- Çfarë the, more? Po shkruan roman?!
- Si urdhëron...
- Qenke bërë si Lemja e Dylit! Se edhe ajo e promovoi te 15-katëshi një libër që... m’duket se nuk e ka shkruar vetë. Se ku i gjeti mendtë Lemja e Dylit? Ajo mezi qylloste një hartim e tani drejt e te romani!
“Çati”, vëlla, “Çati”. Ai na mori në qafë: mua, ty dhe Lemen e Dylit.
Dhe që nga ai çast, më duket se gjithçka mbaroi. Jo letërsia. Jo shpresa. Thjesht dinjiteti.
- Dhëndri i xha Rizait, një me Hodo leckamanin...
- Mos m’i zbardh dhëmbët. Nuk dua dhëndër hamall. Kam faqe unë!
Të drejtë kanë njerëzit.
AI-ja na nxori në pension më shpejt nga sa e kishim menduar. Ne mezi prisnim të plakeshim me lavdi, të na përmendnin kritikët nëpër faqe gazetash e të na ftonin nëpër podkaste. Por tani rrjedha ndryshoi: romanin e bën “Çati”, kritikën e bën “Çati”... Po ne ç’bëjmë, sipas teje?
-Ti vjen e na bën qyfyre kur s’ta kemi ngenë.
Dhe të mendosh që ëndrrat e jetës - për t’u krahasuar herë me Shekspirin e herë me Servantesin, herë me Tolstoin e Hygoin, herë me Dikensin e Dostojevskin - u bënë pluhur.
Fundi erdhi pa ceremoni: kur edhe shkrimet që postohen nëpër portale i shkruan “Çati”, neve na mbeti vetëm një profesion serioz: të rrimë rehat dhe të flemë mbi dorëshkrimet që nuk do t’i lexojë askush.
Më vjen keq për këtë fatkeqësi kolektive që na ka pllakosur, por padyshim, kjo nuk është më në dorën tonë. Shkenca ecën përpara, ne mbetemi në vend. Prandaj mora një vendim të rëndësishëm, historik, me një sens thuajse filozofik:
- I dhashë karar... do pi, do dehem!
- Ta piftë dreqi në bark!
Dhe kështu mbyllet edhe kapitulli i fundit i shkrimtarit analog: me një gotë në dorë, me një roman në sirtar dhe me një robot që shkruan më shpejt se pendimi.
Long Live ChatGPT!

No comments:

Post a Comment