Kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019,
shteti i Kosovës, që politikisht na pëlqen ta cilësojmë si një filial të
trungut amë, meqenëse është dhe shteti më i ri në botë, nuk priti që nëna Shqipëri
t’i binte telefonit a të dërgonte ndonjë telegram me tri vija të kuqe ku t’i kërkonte
ndihmë?! Autokolona me makina dhe gjitha paketa e ndihmës, çau doganën e Morinës
dhe mbërriti në Durrës për një kohë rekord.
Forcat e Emergjencës së shtetit Shqiptar po punonin me
duar, duke u munduar me thonj e dhëmbë të hynin poshtë strukturave të betonit e
të nxirrnin prej aty të mbijetuarit. Gazetarët që ishin në terren non stop
informuan se detashmenti i Emergjencave nuk kishte as krik për të ngritur
traversat e betonit dhe as qen special për të gjetur njerëzit nën rrënoja. Për
ndihmë ishte ofruar një servis e u kishte dhënë nja dy krike nga ato që i përdornin
për të ngritur përpjetë makinat e t’u ndërronin gomat.
Kujë e zezë.
Mirëpo Kosova, në paketën e saj të emergjencës civile i
kishte marrë masat: kishte krik e qen special.
Shyqyr Zotit.
Na dhanë një mësim të mirë, por mirë që jemi tanët e nuk
u bë e madhe kjo punë, se do ishim bërë gazi i botës.
Kohët e fundit ka plasur lufta me zjarret.
Jemi në ditët kur pyjet po shkrumbohen. Dhe veç tyre po
vihet në rrezik jeta e shumë njerëzve. Mirëpo këto zjarre i kemi të përvitshme,
dhe nuk është se na zënë në befasi e s’kemi nga ia mbajmë. Presupozohet se i
kemi mjetet eficente për ta përballuar situatën. Për zjarret dhe për përmbytjet
të paktën.
Ndërkohë një fjalë e urtë popullore thotë: “Fshati
digjet, kurva krihet”. Është një lloj si ta konvertosh e të thuash se:
“Shqipëria digjet e ca e ca bëjnë sehir nga ballkoni”. Padyshim, po të digjej çifligu
i tyre do të bënin nami, me kova plastike e ujë pusi do ta shuanin zjarrin. Por
kur digjet Shqipëria, nisi vargani i justifikimeve: Jo i kemi të pakta mjetet,
jo s’kemi helikopterë, jo po s’kemi as ujë… Kështu që trupat e Emergjencave
Civile, por dhe të reparteve të tjera të ushtrisë, po bëjnë ç’është e mundur me
mjete primitive të ndalojnë valët e zjarrit që po e fshinin Karaburunin.
Mirëpo kjo punë nuk bëhet më me sqeparë e qysqi, si në
vitin 1969, kohë kur ra në krye të detyrës Isuf Plloçi prej Martaneshi, i cili
u përlesh me flakët që kishin marrë përpjetë pyllit, por që i morën dhe jetën
rojtarit hero.
Shohim lajmet. Veç në Greqi e Turqi, zjarret masive janë
përhapur dhe në Kosovë. Epo ditë të nxehta afrikane. Një cingaro të ndezësh për
qejf e flaka del në qiell. Jo më që mund t’i vësh shkrepësen edhe “se ashtu
është puna”.
Mirëpo ata nga Kosova kishin helikopterë që hidhnin ujë
nga sipër, gjë që do të thoshte se shkurtonte punën e nja 2000 forcave në
terren. Do thoni ju që Forca e Sigurisë së Kosovës u ndihmua dhe nga KFOR-i. Po
mirë ata se janë shtet i ri, po Shqipëria që është shtet i vjetër, me Princ e
Mbret, me Kryetar Presidiumi e President, dhe që tek e fundit i kemi pasur të
ngritura strukturat që prej shumë vitesh, si i bëhet që nuk po funksionojnë më?
Nisur nga kjo situatë të vinte keq të shihje trupat e
Forcave të Armatosura që rrezikonin aq shumë me sëpata e fshesa, të ndërprisnin
flakët lubi të zjarrit.
-Do hosten bualli, jo pickima pleshti...
Se me zjarrin nuk bëhet shaka, ashtu siç nuk bëhet as me
ujin dhe as me Qeverinë!
Por ne këtej nga Shqipëria kemi gjetur karar. Kemi shënuar
në databazë gjithfarë numrash telefoni, dhe këtu nuk na e ha qeni shkopin. Po
ra zjarr a tërmet, a bëhet ndonjë përmbytje, me vrap i telefonojmë Evropës: Ore
do na jepni ndonjë dorë ndihme, se nuk kemi as mjete as para?
Këtë herë dorën në zemër e vuri Holanda, e se kush u
ngrit njëri andej e tha: Jepuni nga dy helikopterë këtyre shqiptarëve, se po e
lamë në dorë të tyre na erdhi zjarri te dera e shtëpisë.
Ja kështu me qelepirë... Po gjende mirë, ia dalim.
Një herë e një kohë Shqipëria kishte një batalion të
Mbrojtjes Civile, e cila pas borës së madhe që bllokoi Veriun e vendit në vitin
1985 u pa e arsyeshme që të reformohej e të kthehej në një regjiment MCR, me
objektiv që më pas të zgjerohej e të kthehej në një brigadë MCR. Sa për
njohuri, një regjiment ka 3 batalione në përbërje, por një Brigadë ka 5-së të
tilla. Kjo donte të thoshte se sipas organizimit, 5 batalione mbulonin të gjithë
territorin e Shqipërisë. Reparti u vu në gadishmëri me një kolonë automjetesh
me kilometrazh zero, të cilave u bëhej shërbim vetëm për të qëndruar në gadishmëri.
Pas vitin 1992 ushtria u fut në një proces riorganizimi.
Sot Emergjencat Civile janë katandisur si “kokoshi një
thelë”. E gjithë ushtria ka në inventar 22 helikopterë, por kur erdhi puna për
t’i ngritur në ndihmë të shuarjes së zjarrit u tha se vetëm një prej tyre ishte
në gjendje të kryente misionin. Të tjerët flenë nëpër hangare.
Hyj në google dhe kërkoj për Mbrojtjen Civile. Më del: “mod.gov.al”.
I hedh një sy. Ke qejf të njihesh me strukturën:
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është pjesë
përbërëse e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes.
1- Drejtoria e Zvogëlimit të Riskut dhe Fatkeqësive dhe e
Parandalimit
2- Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes
Emergjente
3- Drejtoria e Rehabilitimit, Rimëkëmbjes dhe Kompensimit
nga Fatkeqësitë
4- Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Projekteve
… … … … … … … …
Ore ka rënë zjarr… ç’i do llafet… Do hidhni ndonjë kovë
ujë apo t’i kërkojmë ndihmë Kosovës. Se vetëm ata na vijnë brenda 12 orësh me
paketë të plotë, e i futen punës pa bërë zhurmë. Tek e fundit i qahemi tonit,
nuk vëmë kujën nëpër Evropë.
-Jemi shteti më qesharak në botë, - do të shprehej Pilo
Vrana, personazhi i filmit “Tuneli” të regjisorit Ilir Harxhi.
Epo... nëse jemi, jemi. S’kemi ç’bëjmë.
No comments:
Post a Comment