Sunday, December 28, 2025

Brixhid Bardot, ikona e pakrahasueshme e bukurisë dhe erotizmit

 


Nga Leonard Veizi
 
Kudo në Evropën e viteve ’70 qarkullonte një shprehje ironike për të përshkruar një femër të bukur e plot sharm: “E gënjen mendja se është Brixhid Bardot.” Madje kjo batutë është regjistruar edhe në disa filma artistikë të kohës. Arsyeja ishte e thjeshtë: Brixhit Bardot ishte kthyer në një ikonë të pakrahasueshme të bukurisë dhe erotizmit, një seks-simbol që i kishte rrënjët e suksesit që në mesin e viteve ’50...
 
...Fama e saj kapërceu kinemanë dhe u shndërrua në fenomen kulturor. Aq sa këngëtari i njohur turk me origjinë hebreje, Dario Moreno, i cili jetonte në Francë, i kushtoi në vitin 1961 këngën plot ritëm e adrenalinë me titullin “Brigitte Bardot”.
Për një kohë të gjatë, Bardot qëndroi përkrah Merlin Monrosë si seks-simboli më i fuqishëm i kinemasë botërore. Ndryshe nga Monro, që mishëronte ëndrrën amerikane, Bardot sillte një sensualitet tipik evropian: të lirë, rebel dhe provokues. Ajo u ngjit në majat e suksesit në mesin e viteve ’50 me filmin “Et Dieu… créa la femme”, apo siç vjen në shqip “Dhe Zoti krijoi gruan”, ku personazhi i saj theu tabu dhe ndryshoi mënyrën se si shfaqej femra në ekran. Regjisori i filmit ishte ish-bashkëshorti i saj, Roxher Vadim, i cili e kuptoi se Bardot nuk ishte thjesht një aktore, por një epokë më vete.
Me flokët bionde, shikimin sfidues dhe një liri që tronditi moralin konservator të kohës, Brixhid Bardot u shndërrua në mit. Ajo nuk ishte vetëm një yll kinemaje, por një simbol i transformimit shoqëror, i emancipimit dhe i dëshirës për të jetuar pa maska. Edhe sot, dekada më vonë, emri i saj mbetet sinonim i bukurisë së pakapshme dhe i një kinemaje që guxoi të ëndërronte ndryshe.
 
Lindja në Paris dhe hyrja në art
Brixhit Ana-Mari Bardot lindi më 28 shtator 1934 në Paris, në një familje borgjeze, të rreptë dhe konservatore. Në fëmijëri ishte e ndrojtur, mbante syze dhe nuk binte në sy për bukuri. Prindërit e orientuan drejt disiplinës dhe artit, duke e regjistruar në shkollë baleti. Baleti i dha elegancën trupore dhe vetëkontrollin që më vonë do ta dallonin në ekran.
Në adoleshencë bukuria e saj shpërtheu papritur. Një fotografi në kopertinën e revistës “El” i hapi dyert e kinemasë. Ende shumë e re, ajo u martua me regjisorin Roxher Vadim, njeriun që do të ndikonte vendosmërisht në karrierën e saj.
 
Shpërthimi i famës dhe lindja e një miti
Në mesin e viteve ’50, Brixhit Bardot u ngjit në majat e suksesit me filmin “Dhe Zoti krijoi gruan”, prodhim i vitit 1956. Filmi tronditi moralin konservator të kohës. Personazhi i Bardot ishte sensual, i lirë dhe sfidues. Ajo nuk luante thjesht një rol, por mishëronte një mënyrë të re të të qenit femër.
Për një kohë të gjatë, Bardot qëndroi përkrah Merilin Monros si seks-simboli më i madh i kinemasë botërore. Por ndryshe nga Monro, që mishëronte ëndrrën amerikane, Bardot përfaqësonte sensualitetin evropian: natyral, rebel dhe provokues, pa komplekse dhe pa hipokrizi.
 
Jeta private me dashuri e skandale
Jeta personale e Brixhit Bardot ishte po aq e komentuar sa filmat e saj. Ajo u martua katër herë dhe pati lidhje të shumta sentimentale, të cilat u kthyen vazhdimisht në lajme dhe skandale. Në vitin 1959 lindi djali i saj, Nikolas-Zhak Sharje. Bardot e pranoi hapur se amësia nuk ishte roli që e kishte bërë të lumtur, një deklaratë e pazakontë dhe tronditëse për shoqërinë e asaj kohe. 
Pas shkëlqimit të famës fshihej një shpirt i lodhur. Presioni i medias, adhurimi i tepruar dhe humbja e lirisë personale e shtynë gjithnjë e më shumë drejt largimit nga ekrani.
 
Lamtumira e kinemasë dhe mision i ri
Në vitin 1973, në kulmin e famës, vetëm 39 vjeçe, Brixhit Bardot u tërhoq përfundimisht nga kinemaja. Ajo zgjodhi heshtjen e jetës private dhe iu përkushtua mbrojtjes së kafshëve. Themeloi Fondacionin “Brixhit Bardot”, i cili u bë një nga zërat më të fortë ndërkombëtarë për të drejtat e kafshëve.
Nga ikonë erotike, Bardot u shndërrua në aktiviste të vendosur, shpesh polemike, por gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe e paepur.
 
Fundi i një legjende
Brixhit Bardot u nda nga jeta të dielën më 27 dhjetor 2025, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë së kinemasë dhe kulturës evropiane. Me vdekjen e saj u shua një nga figurat më emblematike të shekullit XX, por jo miti.
Vdekja e Bardot u njoftua nga fondacioni i saj në një deklaratë të dërguar në “Agence France-Presse” ku thuhej: "Fondacioni Brixhit Bardot njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së saj, Madame Brigitte Bardot, një aktore dhe këngëtare me famë botërore, e cila zgjodhi të braktiste një karrierë prestigjioze për t'i kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe fondacionit të saj".
 
Epilogu
Brixhit Bardot nuk ishte thjesht një aktore apo një seks-simbol. Ajo ishte një epokë, një revolucion estetik dhe shoqëror, një grua që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si femra u pa në ekran. Edhe pas largimit të saj nga kjo botë, emri i Bardot mbetet sinonim i bukurisë së lirë, guximit dhe të jetuarit pa kompromis.

No comments:

Post a Comment