Vetëvrasja enigmatike e 30
vjeçarit, në 28 dhjetorin e vitit 1925
Nga Leonard Veizi
Në dhomën e vogël, dritat dridheshin mbi muret bosh. Boja
kishte mbaruar, por poezia e fundit nuk mund të priste. Ajo duhet të shkruhej,
edhe nëse çmimi do të ishte i papërshkrueshëm….
…Ai u ul në heshtje, ndjeu ftohtësinë që përhapej si një
pushtues i heshtur, dhe vendosi të bëjë atë që mendja e tij e trazuar e kishte
konceptuar prej ditësh. Preu damarët dhe, në një akt të përzier të dhimbjes dhe
krijimtarisë, penën e ngjeu në rrëkenë që rridhte pa pushim. Çdo fjalë mbi
letër ishte një thirrje në boshllëk, një testament i heshtur që fliste për
vetminë, për dhimbjen dhe për nevojën për të lënë gjurmë në një botë që kurrë
nuk do ta kuptonte plotësisht.
Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!
Ty këtu në shpirt të kam, ta
dish!
Fati po na ndan sot pa dëshirë,
Po diku do shihemi sërish!
Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!
Vetullat t’i ngrysesh, s’ke
përse.
Vdekja s’është gjë e re në botë.
As të rrosh nuk është gjë e re.
Më pas, në një gjendje krejt haluçinative lidhi skajin e
një litari tek tubat e ngrohjes në tavanin e dhomës, ndërsa fundin e tij do të
shtrëngonte rreth grykës. Të nesërmen do të gjendej pa jetë aty në mesin e
dhomës së një hoteli me emrin “Angleterre” në Leningradin e dikurshëm. Mbi
skrivaninë kishin mbetur të shkruara mbi letër tetë vargjet e frymës së të
fundit, ku ai ishte po aq madhështor në lirizmin e tij. Ishte 28 dhjetori i
vitit 1925. Vetëm 87 ditë më parë kishte mbushur të tridhjetat e tij. Për
lirikun e madh rus nga ai çast do të niste jeta e përtejshme. Pa lodhje
demoralizuese dhe për më tepër pa depresione
Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për
asgjë!
Kush ka dashur, s‘mund të
dashurojë!
Kush është djegur, s‘mund të
digjet më!
Ai ishte një poet i rrallë. Një gjeni i poezisë që shkëlqeu
si një meteor në rënie të lirë me vargjet e tij. Lirik i pakrahasueshëm. Por
ishte shumë i ri kur e la këtë botë, çuditërisht i lodhur e i dërmuar nga
gjithçka kishte jetuar. Madje i lodhur dhe nga vetë poezia. Asaj të cilës i qe
kushtuar aq shumë dhe që e ktheu në një mit.
Eh moj forcë që venitesh
Do të vdes kjo s’ka dyshim
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim
Treni që mbante trupin e tij shpejtonte mes borës dhe të
ngricës për në Moskë. Ndërsa pikërisht aty, në varrezat Vagankovskoje, do të
ishte ndalesa e tij e fundit, dhe streha e tij e fundit gjithashtu. Mbi varr
lartohet një skulpture e bardhe mermeri. Ndërsa përreth lulet natyrale nuk i
mungojnë kurrë.
Ne tani po ikim pak nga pak që
këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe
gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet
të ngre
Plaçkat e mia mortore për në
udhëtim.
Ishte një gjeni arti e tij të të shkruarit. Dhe rrallë
mund të vijnë poetë si ai. Jetoi pak por ndoshta mjaftueshëm për të dhënë
gjithçka të mundshme. E mjaft të themi se ai la në trashëgiminë e tij një nga
perlat e poezisë botërore kushtuar nënës dhe gjithçka do të ishte e
mjaftueshme.
Gjallë je, ti moj nënoçka ime?
Gjallë jam edhe unë…
të përshëndes
Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde deri në mëngjes.
Mora vesh se ti je merakosur
Atje larg për mua përsëri
Se ti shpesh del rrugës e
brengosur
Mbështjelle me të vjetrin shall
të zi.
Ashtu si çdo vetëvrasje edhe ajo e Sergei Eseninit pati
jehonën e një konspiracioni. Megjithatë askush nuk dëshmoi se poetin e
magjishëm e kishin vrarë dhe aspak nuk ishte vetëvrarë. Ndërkohë që shtypi i
kohës do të shkruante se vetëvrasja e Eseninit shkaktoi një epidemi
vetëvrasjesh nga fansat e tij, kryesisht femra. Vargjet e lirikut të madh rus
vazhdojnë të lexohet ende nga miliona njerëz në tërë boten. Vdekja e tij e
parakohshme, antipatia që kishte ndaj tij e ashtuquajtura elitë, adhurimi nga
njerëzit e zakonshëm dhe sidomos sjellja e tij sensacionale deri tej limiteve,
e kthyen popullaritetin e tij artistik dhe vetë Eseninin në një figurë mitike.

No comments:
Post a Comment