Wednesday, February 15, 2023

Amshimi i Petraq Kolevicës


Nga 
Leonard Veizi
 
Petraq Kolevica shkoi në amshim.
Ishte arkitekt e inxhinier ndërtimi, dhe po aq ishte poet. Por shumë më tepër reflektonte një qytetari të pashembullt e mjaft fisnikëri. Ndoshta sepse ishte prej Korçe... Ndoshta se familja kishte jetuar mirë e pa shtrëngesa me ca dynymë toke më tepër, të cilat Pushteti Popullor ia shtetëzoi për të realizuar reformën agrare... Ndoshta thashë... Sepse njeriu ndonjëherë është qytetar e fisnik dhe pa asnjë prej këtyre komponentëve.
Kemi bërë intervista gjithfarësh bashkë. Një herë në një gazetë, e herë tjetër në një tjetër gazetë. Se kështu vinin punët. Dhe kemi folur për gjithfarë temash: një herë për ndërtimin e shesheve, herën tjetër për projektet e 15-katëshit, për Ekspozitën “Shqipëria Sot” për pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, për bibliotekën e Korçës... por edhe për vargjet hajk ku ishte një mjeshtër solid. Sepse ai e donte fort vargun e siç pat thënë vetë ishte poezia ajo që vinte tek ai dhe aspak e kundërta.
Petraq Kovelica ishte një avangardist në arkitekturë. Ka projektuar vepra të mahnitshme në një Shqipëri të ngurtë, të cilat herë janë zbatuar në ndërtim e herë ka pasur ndërhyrje që projekti të mos realizohej i plotë. Kjo do ta merrte në qafë. Sepse në një vend të kuadratuar që rrekej të ndërtonte socializmin, nuk mund të dilje nga rreshti. Ndaj dhe Petraqi do të vihej përballë burokratëve të aparatit partiak shumë më tepër se atyre të aparatit shtetëror.
Petraq Koleviaca u nis për në amshim. Vargjet do ta shoqërojnë. Sepse ndërtesat e ngritura prej tij nuk lëvizin vendit.
Nuk përtonte kurrë Petraqi të takohej me gazetarin te lokali pranë shtëpisë, e t’i dhuronte një libër të ri me autograf. Sepse ai nuk qëndronte kot. Vazhdimisht punonte. Edhe pse kishte probleme me shikimin. Por ai që ka vullnetin për të bërë diçka, do t’ia arrijë qëllimit pavarësisht nga mungesat e arsyeshme. Dhe këtu e ndihmonte pa kushte ajo që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës, edhe në çastet më të vështira, bashkëshortja e tij Edit Logoreci apo Kolevica, siç njihej ndryshe.
Ai nuk pajtohej me problemet e tij shëndetësore dhe nuk donte të mbështetej në krahun e askujt për të ecur ato pak metra që ndanin banesën e tij me lokalin më të afërt, ku pinte kafe e takonte miqtë. Mbështetej veç te një karrocë portative që luante rolin e një bastuni lëvizës. Dhe kaq. Sepse nuk donte të bezdiste njeri, e nuk bëhej fjalë që të kërkonte ta mëshironte njeri.
Sot ai nuk është më, ka shkuar në amshim. Por ka lënë plot gjëra pas për t’u kujtuar në vazhdimësi.
Në intervistat e tij ka kujtuar gjithë punën dhe përpjekjet e pashembullta, në një kohë kur arti modern quhej herezi dhe prangat për të të çuar nga dhoma e gjumit në qelinë e burgut të qëndronin gjatë gjithë kohës varur mbi kokë. Po kemi folur në këto intervista dhe për bëmat e Enver Hoxhës apo Mehmet Shehut... si dhe për vitet e demokracisë ku vetë Petraq Kolevica u zgjodh deputet i forcave progresiste në të parin Kuvend demokratik.
Ishte burrë i shtruar Petraqi. Vërtet kishte probleme me shikimin, por aspak me dëgjimin dhe për më tepër me argumentimin.
Dilte thuajse çdo ditë nga apartamenti i tij, të cilin e kishte në një pallat 5-katësh me tulla të bardha pranë Ministrisë së Jashtme.
Prej vitesh, arkitekti i mirënjohur, inxhinier e projektues kishte shumë më  tepër kohë të merrej me artin e tij poetik apo me shënime në prozë dhe më pak mundësi të sillte për Tiranën kaotike një maket të ri arkitekture. E pra, një pjesë e pallateve të banimit apo institucioneve të tjera të rëndësishme në vend mbajnë firmën e projektit të tij.
Por ai vetë nuk është se ishte fort optimist për gjithçka ishte bërë e po bëhej në kryeqendrën shqiptare, e më pat theksuar në një tjetër intervistë tjetër se: në fund të fundit, as projekti italian i paraluftës, as ndërthurja e modeleve fashiste me ato të kulturës ruse dhe as ndërtimet e fundit që janë lartuar në Tiranë, nuk kishin sjellë ndonjë gjë të pazakontë në arkitekturë.
Petraq Kolevica iku në amshim. Ishte 89 vjeç. Jetoi mjaftueshëm për të bërë në jetë atë çfarë ishte më i aftë të bënte, dhe pavarësisht peripecive, gjithmonë ia kishte dalë. E megjithatë, si çdokush që ka jetuar në këtë botë, padyshim ai mori me vete dhe pengjet e tij, që me siguri nuk ishin të pakta.

No comments:

Post a Comment