Leonard Veizi
Në
vitin 1975 shkrimtari i njohur Bedri Dedja botoi një libër për fëmijë që fliste
për Shqipërinë e asaj kohe si një vend avangardë për nga çudirat magjike, por
që me sa dukej do t’i paraprinte dhe një Shqipërie tjetër, asaj që do të vinte
në kohë, nja 35-40 vite më pas.
Tanimë,
me plot gojën ne jemi një vend çudirash. Fiks si “Republika e 1100 çudirave”.
Ky
është dhe titulli i librit që ka shkruar shkrimtari i madh për fëmijë e të
rritur Bedri Dedja. Fantazia e këtij shkrimtari skrupuloz shkonte larg, shumë
larg. Por mendja diabolike e shqiptarëve, në të vërtetë shkon edhe më larg. E
kalon troposferën e del në stratosferë. Por Bedriu ka vite që nuk është më në këtë
jetë, e nuk mund të hedhin në letër bëmat e reja të bashkatdhetarëve të tij në
një vëllim të dytë të “Republika e 1100 çudirave”.
Por
cila është bëma e radhës së shqiptarëve? Vetëmburrja me cilësinë e të qenit “Vëllai
i Madh”. Por mos u gënjeni, se nuk është fjala për një spektakël komik. Tjetërkund
fle lepuri. Dhe për ta arritur këtë kujt i është tekur ka montuar nga një
kamera në mes të rrugës apo në majë të semaforit. Sepse cilësia e Vëllait të Madh
ta jep këtë mundësi. Që ti të vëzhgosh gjithçka, ato që duhen se sjellin
rrezikshmëri, por sidomos ato që nuk të hyjnë në punë fare.
U
desh pak kohë për të kuptuar se kamerat që kishin mbirë kudo në shtylla
elektriku e mbajtës semaforësh, nuk ishin të qeverisë, siç na ka gënjyer mendja.
Se ne flinim të qetë nga ai krah, duke përsëritur në çdo rast atë sentencën aq
domethënëse të popullit: “Qeveria e kap lepurin me qerre”. Që e kap e kap... po
ku është qerrja?
Ndaj
një ditë na u bë e ditur se nuk kemi qenë të survejuar nga shteti, por nga
privati.
-Qe
baba duart: unë s’kam gisht në këtë punë.
Po
çfarë kuptimi ka fjala “privat”, në këtë rast?
Ne
vëzhgohemi në rutinën e jetës tonë nga një mori kamerash të vendosura nëpër
rrugë. Në çdo dyqan që hyjmë ka kamera. Dhe kjo në ditët e sotme është mëse
normale. Nëse nuk do të kishte kamera do të ishte e kundërta. Por ndryshe është
të survejosh ambientin tënd privat, apo ku ushtron biznesin, dhe ndryshe është
në dalësh në rrugë e të vësh dylbitë. Sepse monitorimet në rrugë nuk mund të
jetë pronë e çdo personi. Ato bëhen për një qëllim më të madh, e që ka të bëjë
ose me parandalimin ose me zbulueshmërinë e krimit.
Mirëpo
aksioni i fundit i policisë së shtetit tregoi se me gjasa nja 8 ndër 10 në
kamera ishin të vendosura nga njerëz që ose kishin precedentë penalë ose i
përkisnin botës së krimit të organizuar. Demek shteti në këtë pikë kishte
mbetur tek “arra e Tares”. Edhe po të ndodhte ndonjë krim e duheshin pamjet,
duhej me iu lut kriminelit që t’ia jepte policisë.
-Or
ti cub, nigjo ktu. Mrom kan hup dy dele, nuk mi prune për 10 dekika, si berr
kam me t’varr për dy komsh. Homo pra ho, se kena me e pa ene kët pun.
Ky
është alamet bashkëpunimi.
Kështu si ka nisur jo vetëm Policia por edhe Shërbimi Informativ
do t’i kërkojë krimit të organizuar ta ndihmojë për përgjime telefonike, se ata
me siguri duhet të jenë më përpara me teknologjinë.
Vazhdojmë
të mbetemi vend çudirash. Po ashtu si “Liza në botën e çudirave”.
Të
zë tjetri pusinë m’u në akset kryesore. Ti po s’ke nga vete.Veç në bëhesh zog e
të fluturosh. Ai tjetri prapa ekranit rri e numëron. Ja, kaloi Beni,Titi, ja
dhe Gimi....
-Dulja...,
po rend edhe Shefedini... Mallkuar qofshin zemërpulat.
Montimi
i kamerave vrojtuese në shërbim të krimit të organizuar, ka bërë kaq përshtypje
sa dhe gazeta britanike “Financial Times” ka publikuar
një artikull me titull “Bandat shqiptare vendosën qindra kamera spiune për të
qenë një hap përpara policisë”.
Nga
aksioni i policisë thuhet se u çmontuan 500 kamera. Epo gjysma e të keqes, se
me këtë ritëm, do montoheshin 1000 e kusur.
Aksioni na është bërë në qytetet kryesore të vendit. Që do të
thotë se në të gjitha këto qytete ka krim të organizuar. Fshati nuk ka nevojë
për kamera, se përdor përgjimin analog. Kështu bien shpenzimet e instalimeve me
këtë rast..., si dhe ato të çinstalimeve.
Dikur,
në kohën e Partisë, nuk kishte as sy magjik, duhet të hapje ca portën për të
përgjuar. Tani janë krijuar të gjitha kushtet që krimi i organizuar të mos
fshihet më në ilegalitet e të mbajë mbledhje nën dritën e fenerit me vajguri,
por të qëndrojë i qetë se salla e vrojtimit është më e sofistikuar se salla
operacionale që ka policia e shtetit.
No comments:
Post a Comment