Leonard Veizi
Ajo do të mbahet
mend më së shumti si një aktore e roleve të buta. Dhe ndoshta më shumë se në
kinema, ajo ka mbetur në kujtesën e spektatorit me një kryerol në teatër. Ishte
motra Lajde e dajë Zenos dhe nëna e djalit Alber me gradë shkencore në fizikë:
-Milua, çupa
e Jetës... Dëgjo Zeno, unë të kam vëlla, të kam shpirt, por tani jam me
Alberin. Jam me djalin Zeno. Tani po vete në pazar por jam me djalin.
Në vitet e saj më
të mira, ajo iu përkushtua thellësisht artit
dramatik ku pati një sukses të padiskutueshëm. Dhe për kritikën njihej
si një aktore shumëdimensionale në teatër ashtu
edhe në kinematografi.
Mimika Luca do të
mbahet mend për rolet e buta e me karakter të fortë që i dhuroi ekranit të
gjerë të kinemasë.
Ajo ishte nëna e
Etlevës tek filmi “Treni niset më shtatë pa pesë”.
-Si pse qaj...?
Po na turpërove, na nxive faqen. Na fute të gjallë në dhè. Mos më thuaj “jo” se
jam gati të ulërij që të tundet dheu. Ik... ik të thashë.
Por ishte dhe nënë
e Marigosë tek filmi “Përrallë nga e kaluara”.
-U
pupupu... zbrit se na turpërove, zbrit se të shohin bota të preftë perëndia
ditët. Ule zërin se u bënë theatro do qeshi bota me ne. Zbrit të keqen nëna,
zbrit o xhan, zbrit o gëzimi i parë.
Por ishte dhe
Shega, sanitarja e Pallatit të Kulturës tek filmi “Rrethimi i vogël” që s’i
kishte punët mirë me drejtorin:
-Po për
kokë të çupës në i thashë gjë. Po hë mo shoku kryetar të thashë gjë. Drejtori më
ka marrë zët. Të tëra fajet mua mi ngarkon, e pse, se e kritikova para ekipit.
Sot më mëngjes më thirri dhe më tha: Do të të pushoj se je e paaftë. Unë i
thashë nuk më pushon dot. Ai më tha: Do të pushoj se je menklatura ime. Po unë
tërë ditën me shkop e me leckë në dorë mbeta.
Një tjetër rol
emblematik i saj është ai i Florës, nënës së Anës dhe Mirit dhe gruaja e
shoferit Stefi Petro që ishte “i pikuari nga qielli” tek filmi “Në shtëpinë
tonë”.
-Si jo
moj, po të ka parë djali. E kur të ka parë djali merre me mend bota. Ç’janë ato
pritje e përcjellje, ditën e natën. Po ti sikur na dhe fjalën. Sot u bëmë për
të vrarë veten, kurse ti mendjen tek stërvitja. E dëgjon more Stefi; unë jam
nevrike, unë nuk di se ç’them. E dëgjon si i përgjigjet bija nënës.
Ndërsa tek filmi “Nxënësit
e klasës time”, Mimika Luca do të kishte rolin e drejtoreshës së një gjimnazi:
-Disa herë
jemi ndeshur me këtë problem. Të gjithë jemi dëshmitarë të luftës dhe
ndërhyrjes që bëjnë disa prindër për notën fiktive. Rritja e nivelit të
shkollës duhet të jetë e pa shkëputur nga rritja e nivelit të mësuesit. Këtë
duhet ta kuptojmë mirë të gjithë.
Dhe po si mësuese
ajo do të kishte një rol edhe tek filmi “Shoku ynë Tili”:
-Drejtë ke
menduar Besa, por Tili a e di se si ka thënë me vete: Ia hodha mësueses dhe
këtë radhë pa u lagur. Ndërsa po ta njihje Tilin po ashtu si e njohim edhe ne
do kishe vepruar në mënyrë të atillë që dhe fajin ta kuptonte por dhe të mos
lëndohej.
Dhe me po aq
butësi e seriozitet ajo do të interpretonte dhe rolin episodik të një edukatoreje
tek filmi “Taulanti kërkon një motër”.
-Taulanti,
çfarë emri do t’i vësh kukullave? Tani nuk ke por do kesh më vonë edhe motër
edhe vëlla. Hë xhan vëri nga një emër kukullave.
Por në karrierën e
saj nuk mund të mungonte dhe roli i një gruaje të fortë. Dhe ajo ishte Laja tek
filmi “Kur hidheshin themelet”.
-Selim Myrtoja
don me ngrit dorë kundër Kryetares së Këshillit. Lshoje, lshoje more po të
them.
Dhe nuk po
vazhdojmë më, sepse rolet e saj vazhdojnë edhe në filmat: “Botë e padukshme”
“Zambakët e bardhë”, “Detyrë e posaçme” apo “Kryengritje në pallat”
Në jetëshkrimin e
saj zyrtar thuhet se Mimika Luca u lind në 24 dhjetor të vitit 1937 në
Gjirokastër. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë,
të paktën për një dekadë, mes viteve
1951 – 1962. Më vitin 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor. Ka interpretuar
rreth 30 role në 15 vjet. Por ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U
martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Djali i tyre është Gjergj Luca, aktor e
regjisor, por që prej shumë vitesh më së shumti njihet si njeri i biznesit. Shkroi
edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, ku më e njohura është ajo
me titullin “Drita”. Në vitin 1977 fillon
punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.
Tanimë Mimika Luca
nuk është më mes nesh si njeri me staturë fizike. Sepse u ngjit në panteon.
Apo: “mori rrugën për në Parajsë”, siç shkroi djali i saj në lajmërimin e tij
për nënën e ndjerë. Ekrani humbi kështu një tjetër ikonë të tij. Por në
pelikulën e filmit, gjithsesi do ta shohim në vazhdimësi. Ishte mëngjesi i 21
shkurtit të vitit 2023, kur u nda nga jeta dhe ajo vetë i kishte mbushur 85
vite. Por nuk do të jetë vetëm në amshim. Sepse dhjetëra kolegë të saj kanë
zënë vend tashmë në po të njëjtin panteon. Dhe ata janë yje
që shndrisin në përjetësi.
No comments:
Post a Comment