Friday, February 24, 2023

Shqiptarët, ky popull emigrantësh që nuk gjen qetësi


Nga Leonard Veizi

Të paktën në 30 vitet e fundit Shqipëria nuk po njeh stabilizim dhe emigracioni vazhdon me ritme të larta. Kjo na ka bërë që herë pas here ta quajmë veten, – po aq sa na cilësojnë edhe të tjetër, – se jemi një popull në emigrim të vazhdueshëm. Po kaq të pastabilizuar kemi qenë edhe përpara vitit 1939 që përkon me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Aso kohe shqiptarët i ishin larguar vendeve orjentale që ishin pjesë e Perandorisë Otomane dhe kishin hedhur sytë drejt Perëndimit. Dhe veç vendeve evropiane, rendën të kapërcenin Atlantikun për të shkuar në Amerikë, madje të kalonin dhe Paqësorin për të shkuar në Australi. Në këtë kërkim ambicioz shqiptarët gjetën dhe Australinë e Zerlandën e Re ku formuan koloni të reja. Sa për vendin e tyre, atë e lanë prapa dhe e kujtonin në raste festash.
E vetmja periudhë që shqiptarët u cilësuan si të stabilizuar ishte në vitet e regjimit komunist, ku kufiri u mbyll dhe emigracioni nuk njihej si një veprimtari e ligjshme. Ajo u cilësua si plagë e së kaluarës dhe shqiptarët u mbajtën me dhunë brenda kufirit ku më të shumtën e rasteve u dhanë ose një kazmë ose një lopatë në dorë që ishin dhe mjetet të cilat simbolizonin ndërtimin e vendit, po aq sa dhe drapër çekani. Kalimi i kufirit quhej si arratisje dhe dënohej me të paktën 10 vite burg. Dhe veç kësaj për emigrantët e vjetër që kërkonin të vizitonin varret e të parëve, kishte viza të pakta, pas një skanimi alla shqiptarçe nga Sigurimi i Shtetit.
Pas vitit 1990, ku regjimi komunist kapitulloi, gjithçka ndryshoi. Shqiptarët të etur e të paparë, u turrën dyerve të ambasadave, pastaj hipën në anije dhe plot të tjerë morën malin në këmbë me qëllim që të shkonin në botën e lirë ku të siguronin dhe një jetë më të mirë për veten dhe familjen.
Tanimë jemi në vitit 2023. Plot 33 vite më pas. Dhe vazhdojmë quhemi në tranzicion. Mënyra e jetesës ka ndryshuar kryekëput. Por përsëri shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre, jo nëpër qytetet e vogla të ngritura nga komunizmi, as në qytetet e mëdha, ku ndërtimet e reja dominojnë, por tej kufirit.
A është kjo një sindromë?
Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin, si çdo vit edhe tani, ka bërë publike se kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian për vitin 2022 ishin më të lartat e tre viteve të fundit.
Kjo nuk hyn tek ëndrrat. As te fabrikimet. Sepse shifrat vijnë nga agjenci serioze ndërkombëtare. Pra shqiptarët nuk po gjejnë qetësi. Ata kërkojnë punë nëpër vende të huaja edhe pse e dinë mirë që nuk shihen me sy të mirë nga vendasi, madje mund të themi: me racizëm.
Pamjet filmike tregojnë se si shqiptarët, po aq sa dhe plot refugjatë me kombësi të tjera, u hipin gomoneve dhe lundrojnë nëpër ngushticën e La Manshit me qëllim që të kalojnë nga Franca në Angli.
Shumë vite më parë shqiptarë bënin po të njëjtën aventurë, me gomone, por për të kaluar një tjetër ngushticë atë të Otrantos që lidhte brigjet e Durrësit e të Vlorës me to të Barit dhe Brindizit.
Padyshim, lëvizja e lirë është një nga të drejtat themelore të njeriut. Dhe shqiptarët po mundohen ta gjejnë veten diku në ekonominë e tregut që kërkon forca pune të trajnuara. Por gjithmonë me synimin për në dhe të huaj.
Në vitin 1945, e sapo dalë nga lufta, Shqipëria kishte rreth 900 mijë banorë. Në vitin 1968 Shqipëria numëronte dy milion banorë dhe kjo u cilësua si një arritje. Ndërsa tetëmbëdhjetë vite më pas, e pikërisht në vitin 1986 arriti të kishte tre milionë banorë. Censusi i vitit 2011 tregoi se brenda kufijve të shtetit banonin diçka më shumë se 2,8 milion shqiptarë. E pra kishin kaluar 25 vjet nga viti 1986.
Rrudhja e popullsisë kishte nisur të dukej.
Tanimë, sipas raportit të INSTAT, në janarin e vitit 2022 në të njëjtin territor jetonin 2,7 milionë shqiptarë e ca bishta që plotësojnë shifrën zyrtare. Në fakt, rritja demografike e viteve 1945-1990, tregonte se sipas këtij ritmit, në vitin 2022 Shqipëria duhet të kishte brenda territorit shtetëror të paktën 5 milion banorë. Por në të vërtetë ka vetëm gjysmën e kësaj shifre.
Në fshatrat e qytetet e Shqipërisë, më së shumti sheh njerëz të moshës së tretë dhe shumë më pak njerëz si forcë prodhuese. Nëpër vitrinat e lokaleve gjithmonë do të gjesh lajmërime ku kërkohen punëtorë. Por njerëz të aftë për punë ka gjithmonë e më pak. Ata i ka thithur tregu i huaj, pra emigracioni.
Të gjitha këto tregojnë se ne vazhdojmë të jemi të pastabilizuar në shtëpinë tonë dhe shumë prej të rinjve të aftë për punë, kërkojnë të ndërrojnë banesë.
Pra me zemër të thyer na duhet të pranojmë se jemi një popull në emigrim, ashtu siç kemi qenë dhe shumë vite më parë.

No comments:

Post a Comment