Wednesday, March 1, 2023

Miti i i gjallë i Xhevahir Spahiut

 

Nga 
Leonard Veizi
 
Cili nga ne do të dilte në tregun e këmbimeve e të shit-blerjes për të vënë në dispozicion edhe gjënë e fundit që mund t’i ketë mbetur në këtë botë: gurin e tij të varrit? Dhe pse? Sepse i duhet të lajë borxhet. Sepse padyshim ka shumë borxhe në këtë jetë. Ato rëndojnë, ndaj duhen hequr nga shpatullat. Ne, mund të mos e bëjmë një gjë të tillë, por Xhevahir Spahiu, ky mjeshtër i vargjeve bohemë, e ka ngritur në lapidar një akt të tillë kur shkruan në mënyrë ngjethëse:
 
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.
 
Është i pakrahasueshëm Xhevahiri. Po aq sa emri i tij. Dhe fill pas kësaj, ai merr një kthesë 180-gradëshe, kur me vargjet e tij se “do të vdesë i mbytur nga borxhet”, u kthehet të gjithë të tjerëve duke apeluar:
 
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.
 
Vetëm një mendje brilante si ajo e një poeti të çartur mund të aludojë me të tilla sentenca: herë të krahasueshme e herë krejt të pakrahasueshme.
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu...
 
Xhevahir Spahiu u lind në një ditë pranverore siç është 1 marsi. Ishte viti 1945. Dhe në 1 marsin e vitit 2023 mbush 78 pranverat e tij. Rrezatoi që herët në fillin poetik, të cilin e vazhdoi me këmbëngulje. Ndonjëherë ca gjëra nuk kanë nevojë të shkruhen as me germa të arta e as me germa të mëdha. Ato nënkuptohen.
 
Një ditë shkoi. Pas saj vjen tjetra,
ti mbjell një pemë, një gur ti vë;
nga guri, ja, u ngrit ndërtesa,
dhe pema, pyll i madh u bë!
Koha vrapon. Vrapon si lumë;
nga kalendari fleta ra.
Vetvetes pyetjen i bëj unë:
“Ditës ç’i dhe çfarë të dha?”
 
Në jetëshkrimin e tij të kudohasur thuhet se është poet dhe gazetar i njohur shqiptar. Por në fakt ai është më shumë se kaq. Ai është një mit. I gjallë. Dhe një dashnor i fjalës së lirë, sigurisht. Sepse pa fjalën e lirë, s’do të mund të thoshte dot asgjë.
 
I thanë fjalës: tani je e lirë.
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhej?
 
Për më tej, në jetëshkrimin e shkurtër zyrtar thuhet se: studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues por dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Por Xhevahiri ka fituar edhe një tjetër çmim, atë të përjetësisë së vargjeve të tij, që është dhe çmimi më i madh nga të gjithë.
 
Ti s'po vjen
S'po vjen
S'vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s'ekziston.
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika.
 
Xhevahiri nuk është nga ata që i trembet vdekjes. Dhe luan me të nëpër vargje mjeshtërore, si në poezinë me titullin “Ferrparajsa”.
 
Pa pikë pezmi vdes qysh nesër
po fundja fatit pse t'ia prish
Pushtoma shpirtin, verë e vjetër,
me lidh me pranga perëndish.
 
Nuk kam si them gjëra të pathëna për një poet si Xhevahir Spahiu. Sepse për të janë thënë të gjitha. Është thënë se “Ai nuk flet, ai vetëm këndon”. Është thënë se: “ka hapur një etapë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare”. Është thënë se: “është poet me një shprehje të fuqishme metaforike”. Është thënë gjithashtu se: “Ka një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut”... E çfarë nuk është thënë. Ndaj mua nuk më mbetet gjë tjetër veç ta uroj që të na dhurojë një pafundësi vargjesh të reja, pikërisht në një ditë si ajo e lindjes: në 1 mars.
 
 

No comments:

Post a Comment