Thursday, March 2, 2023

Shoqëria jonë frikacake dhe maskiliste që vret gra


Nga Leonard Veizi
 
Asnjë nga kanunet tona nuk e përmban në ndonjë nga aktet e veta motivimin e vrasjes së një gruaje. As dhe të fëmijëve, sigurisht. Sepse burrat duhet të vrasin burrat, nëse janë trima të çartur e duan të vënë nderin në vend.
Por teksa ujërat kanë rrjedhur dhe jemi futur në një botë moderne me ligje e akte nënligjore sa s’ka dosje t’i nxërë, edhe kanunet kanë rënë e janë bërë të pazbatueshëm. Modë e vjetër. Arkaike. Ne po jemi qytetëruar tashmë. Kemi parë dhe botën me sy. Veç kësaj edhe trima nuk ka më. Frikacakë po, sa të duash. Është mirëqenia ajo që na bën të jemi më “fraxhile”. Se kemi kaluar nga buka e misrit me vaj kikiriku, te simitja me gjalpë e së fundi kemi kapur havjarin.
Hajde kapërcim hajde.
Po ç’ne te havjari, more pika na rëntë! Ne na mjafton gaveta e fasules ose paçja me zhaba këmbësh. Por jo, qejfi është te havjari. Ndaj me këtë rast, na është hapur oreksi për të vrarë edhe gratë, madje dhe fëmijët.
S’të bën për burrë njeri sot. Se për grua jo e jo!
Po pse ndodh kjo, pyesin të gjithë? Se jemi trima? Përkundrazi, ngaqë jemi frikacakë. Madje shumë.
Trimat nuk merren me gratë, - jo sepse janë qenie inferiore, të mos keqkuptohemi, - por sepse fizikisht janë më të brishta se burrat. Kështu i ka bërë Perëndia, apo Natyra, nëse u vjen më për mbarë. I ka bërë që ato të lindin fëmijë. Burrat jo. Madje jo vetëm të lindin foshnje femra, por edhe meshkuj që më pas bëhen burra dhe ca më vonë si u trashet zëri dhe llapa kur kanë pirë raki, s’e kanë për gjë dhe të të vrasin.
Dhe të rrahësh e të vrasësh një grua për një burrë është punë e thjeshtë. Ndaj dhe kanuni e ka ndaluar një gjë të tillë. Kanë qenë të mençur të parët tanë. Nuk kanë pasur universitet, por ca gjëra i kanë ditur mirë.
E po t’i futemi ca më thellë elementeve të tjerë, kuptojmë që tek e fundit ne të gjithë jemi bij nënash, pra grash, dhe për pjesë kemi nga i njëjti bark dhe nga një motër. Pra përsëri grua.
Dita e parë e marsit në Shqipërinë tonë të vitit 2023, nisi më dy lajme të kobshme, njëri pas tjetrit. Një trim e alamet trimi vrau tre gra e plagosi tre të tjera.
Fundi i durimit.
Çfarë rëndësie ka nëse policia vajti menjëherë në vendngjarje dhe grupi hetimor nisi me urgjencë procedurat për zbardhjen e ngjarjes?! Vunë piketat e verdha e rrethuan vendin me shirita: Ndal. Mos kalo”. Ç’rëndësi ka nëse Prokuroria hapi çështjen dhe nisi të mbledhë dëshmitë e rastit?! E vërteta është vetëm një, pavarësisht kushteve. Që dy frikacakë vranë tri gra, me një distancë pak orë nga njëri-tjetri. Sepse ishte gjëja më e lehtë që mund të bënin. Si puna e hajdutit. Se hajduti është dhjaks edhe me veten edhe me të tjerët, ndaj të vret. Por vrasja në vetvete nuk tregon trimëri. Tregon frikë dhe panik.
Shoqëria jonë nuk ka më modele. Nga ato modelet e forta që ndikojnë në formimin e një brezi. Ajo po shkon në bazë të antimodeleve. Sepse ata kemi parasysh nga mëngjesi deri pas mesnate. Dhe për të shitur një antimodel si model, fort po punon dhe media me emisione surrogato, duke ushqyer popullatën dembelhane që rrinë gjithë ditën e Zotit me sytë nga ekrani i televizorit.
Dhe veç kësaj, ne jemi ende një shoqëri e prapambetur e maskiliste. Jemi një shoqëri që femrën e shohim si nënçmim, edhe pse ajo është nëna apo motra jonë. Por kjo ka të bëjë me konceptin. Dhe një koncept maskilist i trashëguar në mijëvjeçarë, nuk hiqet dot as me punë vullnetare, ashtu siç u tentua në periudhën e komunizmit, ku emancipimi i sforcuar shërbeu më së shumti si krah i lirë pune, edhe pse nga agjitacion - propaganda u trumbetua si një hap madhështor drejt civilizimit dhe barasvlerësimit. Tanimë kur agjitacionin dhe propagandën nuk e bën më Partia, por vetë masat, kemi shkuar edhe më pas se në periudhën e mbretërisë, ku të paktën kishte një nen të veçantë që detyronte gratë të hiqnin perçet dhe duvakët e të dilnin rrugëve të qytetit me fustan mode po aq sa dhe gratë e qyteteve evropiane.
Pra ku jemi? Se duket sikur mbërritëm në kapërcyellin mes otomanizmit dhe Pavarësisë...? Pra, më shumë se një shekull pas.
E bëra këtë retrospektivë për të vazhduar me të sotmen, ku për nga moda tanimë jemi avangardë, sepse femrat shqiptare mund të dalin bulevardit me minifund, zhapone e cigare në dorë. Por tek e fundit ky nuk është tregues i një civilizim krejtësor. Sepse me një veshje kaq të lehtë, nuk ke ku e mban një kobure në brez, po aq sa e mban një mashkull duke e shtrënguar me rripin e pantallonave, i cili i jep të drejtën vetes edhe ta zbrazë në mish nëse i prishet dyzeni.
Pra nuk paskemi më as mundësi të barabarta.
Jemi një shoqëri e prapambetur e frikacake përderisa për të mbrojtur atdheun fjala vjen, - se armët e zjarrit janë shpikur për luftë frontale,  - nuk përdorim kallashnikovin por fejsbukun, me të cilin e vëmë armikun me shpatulla për muri, e i bëjmë namin duke e sharë para e mbrapa, nga nëna dhe nga motra. Dhe vetë armën e përdorim për të vratë gratë tona.
O Zot na mbro nga frikacakët!

No comments:

Post a Comment