Friday, March 3, 2023

Shqiptarëve iu prish dyzeni me çuditë e Kiarës dhe Luizit


Nga 
Leonard Veizi
 
S’ka lënë njëri pa shkruar për “Vëllain e Madh”. Është ai që vë në rresht anonimët e djeshëm dhe artistët e mëdhenj të ditëve të sotme. Ca e ca e kanë sharë e mallkuar, ca të tjerë thjesht e kanë kritikuar. E ç’t’u them më shumë. Që unë kam vendosur të bëj avokatin e djallit, një rol që herë pas here më pëlqen e më intrigon.
Po e nis nga vetja atëherë.
Nuk ishte ndonjë blasfemi kur e kapa veten me pult në dorë duke kërkuar të gjej kanalin ku Vëllai apo Byrazeri po bënte namin me tifozeri e po e linte njerëzinë pa punë.
Më parë se kaq kam ndjekur më mënyrë të çrregullt edicionet e mëparshme të "Big Brotherit” por nuk e kam anashkaluar “Big VIP”. Se aty janë VIP-at, jo për gjë. Që këtu nis loja ime si “avokat i djallit”, sepse kam shkruar duke kritikuar fenomenin. E në njëfarë mënyre nuk bën sens që unë të shkruaj fjalë të mira e të them: Rrofsh Byrazer se na nderove! Tek e fundit, kjo është puna e gazetarit, të gjejë defekte nëpër cepa e skuta dhe të sulmojë. Përndryshe mund të jesh gjithçka tjetër veç jo gazetar.
Kështu që sot dua të bëj të kundërtën.
A mund të jem një “avokat djalli”?
Padyshim. Ç’të keqe ka tek e fundit. Të gjithë e kanë të drejtën e një avokati. Qoftë dhe Djalli. Dhe sot avokatë gjen sa të duash, të licensuar dhe pa diplomë.
Të vijmë tek fenomeni.
Populli është një masë e thjeshtë. Edhe amorfe, kështu thuhet. Elitat janë një klasë edhe më e thjeshtë. Keni parë ndonjë milioner, ndonjë akademik apo ndonjë shkencëtar që gdhihet e ngryset me punë serioze, o duke menduar për fatet e popullit ose duke studiuar e shpikur për të mirën e popullit?
Jo, them unë. Të gjithë kanë vese. Ne si gazetarë kemi marrë atributin të vëmë në dukje veset e të tjerëve duke qenë vetë të krimbur... ndoshta edhe të korruptuar.
Atëherë?
Të gjithë shohim dhe spektakle masive, që nuk të lodhin por thjesht të dëfrejnë.
A e kuptoni sa e varfër do ishte jeta po të mos kishim një burrë zamani si Vëllai i Madh? Po aq sa në vitet e Pushtetit Popullor, ku shihnim 4 orë televizor, nga e cila nja dy orë e gjysmë i zinin lajmet dhe emisionet e propagandës.
Sot ke gjithfarë emisionesh, ca edukative e ca dekadente, dhe përsëri njerëzit janë të pakënaqur.
Ti punon 8 orë e ndoshta më shumë. Vjen i lodhur e i rraskapitur në shtëpi. Dhe si do të vazhdojë jeta më pas, në mënyrë hipotetike: Si ke ngrënë drekë e darkë bashkë, ngrihesh rëndë-rëndë dhe tërheq nga etazheri një libër të Fridrih Niçes, se do të kuptosh thellësisht teorinë e tij të Mbinjeriut. Pastaj i hedh një sy Ajnshtainit se të kujtohet Teoria e Relativitetit, e meqenëse nuk e ke kuptuar si duhet, i futesh edhe një herë studimeve që të kapësh dimensionet e kohës dhe hapësirës. Më pas... ndjek në televizor ose një film me temë historike ose një dokumentar ku flitet për jetën e një heroi që ka dhënë xhanin për Vatanin. Pak më pas se kaq...? Gjumë.
A kalohet jeta kështu?
Jo or jo, sepse me shumë gjasa të gjithë ne bëjmë të njëjtën gjë: plasemi në kolltuk e me ankth të madh nisim të ndjekim “Vëllain e Madh” po aq sa dhe emisionin: “Djemtë kërkojnë vajza e vajzat kërkojnë djem".
Ky është relaksi. Se vëllaçkoja vëllaçko mbetet, nuk të hedh poshtë e nuk të lë pa gjë.
Ne të gjithë kemi nevojë për banalitet. Ndaj dhe kemi celularë në dorë, që pasi na është lodhur koka duke lexuar filozofi e histori antike, shohim vajza gjysmë të zhveshura që pozojnë të pasmet në ekran, për t’i thënë botës: shiko sa të mëdha i kam.
Kjo është jeta tek e fundit. Pavarësish se ne si shqiptarë e teprojmë ca e i ngremë këngë një banori që vjen vërdallë duke pirë duhan e tundur zinxhirin: Enver Hoxha e mprehu shpatën / edhe një herë o për situatën...
Dale mo se ngatërrova emrin e personazhit...  Është fjala për atë tjetrin, që “asht shkodran e tana i ban”. E që spostoi këtë vit atë të një viti më parë i cili ishte nga Vlora, që i bënte të tëra. E ja, kështu ngrihen këngët për heronjtë e rinj. Që në të gjallë të tyre.
-Po më këndoni dhe këngë për dhëndrin moj, trimin e nënës.
Por zonja Kote ishte aty, për t’u marrë me thashetheme nën zë.
-E ç’t’i këndojmë, trimërinë apo burrërinë.
Jemi shoqëri anatemuese, s’ke ç’i thua. Se edhe kur flitet për një “realitet shou” gjithsesi kalojmë në tifozeri: Mirë ja bëri.... U bë kjo...Ai bossi është lojtar i modh...
-Heu, me çfarë skuadre?
Byrazer ç’na bëre, shqiptarëve iu është prishur dyzeni. I ke futur në sherr. S’ka portal që nuk merret me gic-micet e këtij spektakli mbarëpopullor.
Megjithatë jeta jonë është më mirë kur ka në mes një spektakël të këtij kalibri, sesa pa gjë. Televizionit me emisione moralizuese i ka ikur koha.
Vëllai i Madh sot po prodhon lajme më shumë se lufta Rusi-Ukrainë. Edhe më shumë se kampionati botëror i futbollit. Tek e fundit ai po na argëton, na bën të ndihemi mirë: “të harrojmë fukarallëkun që po na mbyt e malarien që po na pi të gjallë”.
-Rroftë Vëllai i Madh!
Dhe me të drejtë, ai me qyfyret e tij karagjoze na bën të harrojmë budallallëqet serioze të jetës.
 
 

No comments:

Post a Comment