Leonard Veizi
“Dita
e grave” që në kalendar shënon 8 mars, edhe këtë vit në Shqipëri erdhi duke
mbartur nga pas një mori hallesh e problemesh. Në dukje, festa është festë dhe
gratë kanë krijuar një legjitimitet të pranuar nga shumica që të paktën një
herë në vit të festojnë e drekojnë me njëra-tjetrën, pa praninë e burrave.
Ndaj
në një ditë të tillë feste dhe hareje, edhe kujtohen por edhe harrohen të
kujtohen gratë e vrara, të cilat nuk e kanë më këtë mundësi. Sepse i vrau një
burrë...
...ndonjëherë
edhe një grua... nuk është çudi.
Përgjithësisht,
në Shqipëri, gratë nuk janë vrarë për shkak të aktivitetit të tyre politik e
shoqëror. Ato janë vrarë në atë që konsiderohet ose si krim pasioni ose si krim
brenda familjes. Pra një herë për nder e një herë për namuz. Por jo sepse
ngritën zërin e tyre kundër padrejtësive, se kërkuan 8 orë punë dhe të drejtën
e votës. Për ca e ca ky është një koncept arkaik. Për ca të tjerë ka të bëjë me
burrërinë.
Por
vrasja mbetet vrasje, nuk ka të bëjë as me njërën dhe as me tjetrën.
Në
fakt 8 marsi, - të cilën në mënyrë paradoksale ne e kemi përkujtuar e festuar
si ditën e nënave, - në fakt është Dita e Grave. E sanksionuar nga Konventa
Ndërkombëtare tashmë. Dhe historia thotë se lufta për të mbërritur në një ditë
përkujtimore ka nisur qysh herët me marshime proteste për të fituar disa të
drejta të mohuara në shekuj. Gjithçka ka filluar në Nju Jorkun e Amerikës
kapitaliste dhe ka përfunduar në Moskën e Rusisë Sovjetike. Saktësisht dihet
vetëm që revoltat janë menaxhuar nga lëvizjet majtiste. Pastaj ka një kakofoni
ngjarjesh, datash, tubimesh e protesta të dhunshme dhe numra kontradiktore të
të vrarave në fushat e betejës. Por rezultati përfundimtar ishte një dhe i vetëm.
Të gjitha të drejtat e kërkuara nga gratë u arritën. Burrat u zbythën.
Dhe
në fund fare, është rënë dakord që simbolikën e fitores së grave, qoftë për 8-orarëshin
e punës e qoftë për të drejtën e votës, ta mbante 8 marsi.
Sot
gratë tona festojnë 8 marsin dhe pse kanë kontribut zero në hedhjen e themeleve
të të drejtave. Kjo është një prej përfitimeve të shumta që kemi marrë nga bota
e civilizuar, e cila pikërisht këtë civilizim e ka arritur pasi ka shkelur mbi
kufoma.
Përgjithësisht
në Shqipëri ka munguar shpirti i protestës, dhe shoqëria civile është prapa
liste kur flitet për të tilla gjëra, që i takojnë më së shumti asaj. Shoqëria
civile, pjesë e së cilës janë dhe gratë, pozicionin më të mirë kanë atë të
daljes para kamerave për të folur për çështjet e mëdha të të drejtave. Por më
shumë se sa për to, hallin e kanë tek kujdesi për imazhin personal.
Edhe
protestat minimaliste që janë bërë tek-tuk, nuk do të kishin shans të bëheshin,
nëse nuk financoheshin nga përfaqësitë e huaja.
Është
si puna e fushatës ndaj sëmundshmërisë, lufta ndaj kancerit të gjirit fjala
vjen. Bëhet fushata sepse financohen nga ndërkombëtarët, në të kundërt, asgjë.
Priten fletëpalosje, printohen postera e pankarta simbolike, në vend që me këto
para të bëhej një fushatë e gjallë në familjet e atyre që i ka zënë ky hall. Por kjo është
tjetër gjë..., edhe pse çështje grash është edhe kjo. Sepse edhe kjo ka të bëjë
me jetën dhe të drejtat njerëzore. Dhe jeta ndërpritet jo vetëm nga plumbi, por
dhe nga një bisturi.
Marsi
i vitit 2023 nisi me njollë të zezë për gratë shqiptare. Sepse që në datën 1 të
këtij muaji, tre gra u vranë dhe 3 të tjera u plagosën. Bilanc më negativ nuk
do të kishte, edhe nëse bëhej luftë frontale.
Sot,
një javë më pas, do të ishte më e udhës që veç pispillosjeve dhe ahengjeve, në
pedonalet e qyteteve shqiptare gratë të vërshonin në tubime për të kërkuar edhe
një herë të drejtat dhe liritë e tyre. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë të
drejtat tona. Ato i kemi marrë falas pasi ka luftuar bota dhe pasi të tjerët
kanë dhënë gjakun. Pra, u desh të vriteshin gratë në Nju Jork, që të festonin
gratë në Shqipëri. Dhe jo vetëm. Por tek e fundit secili shikon çatinë e vet.
Statistikat
flasin për mijëra gra e vajza shqiptare që denoncojnë dhunën në vazhdimësi, dhe
disa qindra prej tyre, në këto 30 vitet e tranzicionit tonë të çartur, kanë
pësuar fatin më të keq.
Këpucët
e kuqe të vendosura në shkallët e pallatit të kulturës janë një simbolikë, por
protestat e fuqishme, aq sa të tronditin opinionin, mungojnë.
Ne
festojmë 8 marsin, dalim nëpër podiume e flasim me fjalë të huaja. Bëjmë
premtime pa kriter duke hedhur shashka ditën e natën fishekzjarrë. Dhe gratë
vazhdojnë të jenë viktimat e burrave. Dhe jo vetëm të tyre. Por dhe të vetë
grave. Sepse ka gra në sistemin legjislativ edhe në atë ekzekutiv, madje edhe
në atë gjyqësor, por ndikimi i tyre me sa duket është i papërfillshëm. Na
rroftë kabineti me gra.
Dhe
gratë vriten në fakt. T’i lëmë statistikat. T’i thërrasim vetëm kujtesës. Kjo
është një fatkeqësi mesjetare në kohën e artë të kibernetikës.
Ka
ardhur koha për demonstrim, jo më për ahengje ku nuk mungojnë as djemtë e
palestruar që kërcejnë “break dance” para grave të ekzaltuara.
Tanimë
lufta është zhvendosur në një tjetër krah. Vërtet nuk të mohohet më vota. Edhe
8- orarëshi në zyrat e shtetit është i siguruar. Por jeta jo.
No comments:
Post a Comment