Ajo është një
nga këngët më të njohura dhe më prekëse të folklorit meksikan. Titullohet
"La Llorona" dhe vazhdon të jetë e lidhur ngushtësisht si me traditën
e Ditës së të Vdekurve që njihet si "Día de los Muertos" po aq dhe me
figurën legjendare të “Llorona”-s, apo “gruas që qan”...
...Në një provincë
të thellë të Meksikës, ku dielli digjej mbi fushat e Isthmit të Tehuantepec dhe
ku gratë mbajnë ende huipil-in me krenari, lindi një këngë. Nuk ishte thjesht
një këngë, por një klithmë. Një puthje e fundit që nuk mbërriti kurrë. Ajo është
shumë më tepër sesa një legjendë urbane për një fantazmë që endet duke kërkuar
fëmijët e saj. Në zemrën e saj jeton një grua. Një burrë. Një premtim. Dhe një
histori që nuk vdes kurrë.
Info
Kënga daton të
paktën nga fillimi i shekullit XX. Teksti dhe muzika janë modifikuar në mënyra
të ndryshme nga këngëtarë të ndryshëm, por të gjitha versionet ruajnë thelbin
poetik, melankolik dhe shpirtëror. Teksti i këngës ndryshon sipas
interpretuesit, por temat kryesore janë: Dashuri e thellë dhe e pamundur, që ndonjëherë
arrin deri në vetëflijim. Dhimbja dhe vuajtja, që e mbingarkon shpirtin, por
shprehet përmes këngës. Figura e Llorona-s, si simbol i një gruaje që vuan,
qoftë nga dashuria, faji apo mallkimi.
Në shqip
Kënga quhet “La
Llorona”, por në shqip tingëllon e përshtatshme si “Xhorona”,
"Xhorona" është një adaptim fonetik i mundshëm në shqip për La
Llorona, dhe sidomos në një kontekst artistik, si poezi, këngë apo përkthim i
lirë, ku kërkohet ruajtja e tingullit dhe muzikalitetit. “Ll” në spanjisht
shpesh tingëllon si “j” ose “xh”. Në shqip, “Xh” është më afër tingullit
spanjoll se “J”-ja. Pra “Xhorona” përpiqet të ruajë si tingullin, ashtu edhe
shijen emocionale të emrit origjinal.
Historia
Ai ishte një djalë
i ri, ajo një vajzë nga Juchitani. Takimi i tyre ndodhi në një festë, nën
tingujt e muzikës tradicionale dhe në erën e ngrohtë që përkëdhelte fustanin e
saj huipil. E bukur si një perëndeshë, ajo dilte nga kisha dhe ai – i befasuar,
i pushtuar – e ndoqi me sy, me zemër, me shpirt.
U dashuruan. U martuan.
Dhe u betuan.
Por erërat e
revolucionit frynë fuqishëm në Oaxaca. Dhe burri i saj, i thirrur nga nevoja
për të mbrojtur paqen e vendit, duhej të largohej. Para nisjes, ai i la asaj
fjalët që do të bëheshin këngë:
“Më kujtohet
dita kur shkuam në lumë dhe lulet dukeshin sikur qanin. Me ty, retë nuk janë
asgjë. Madje, qielli konkurron me buzëqeshjen tënde. Do të kthehem, do të të
dua edhe në vdekje.”
Historia thotë se
ajo nuk foli. Vetëm qau. Ai ia mbajti duart, ia fshiu lotët, dhe e quajti me
një emër që do të mbijetonte ndër breza: “La Llorona” – Gruaja që qan.
Ai s’u kthye
kurrë
Shkrepjet e armëve
ia morën jetën, por jo dashurinë. Një mik i solli gruas letrën e tij të fundit.
Në të, ai kishte shkruar:
“Edhe nëse më
kushton jetën, Xhorona, nuk do të ndalem së të dashuruari.
Mos mendo se po
të këndoj sepse jam i gëzuar – edhe nga dhimbja këndohet.
Kur nuk mund të
qash, këndo.”
Ajo nuk u martua
më kurrë. E priti. Deri në fund.
Fëmija i tyre
lindi një javë pas lajmit të vdekjes. Dhe çdo 30 tetor, darkonin bashkë: ajo
dhe djali, ndërsa ai nga mbretëria e të vdekurve. Një tryezë, dy botë, një
dashuri.
Historia
vazhdon
Kënga nisi të
qarkullonte nëpër fshatra. U pëshpërit në kisha. U këndua në varreza. U shkrua
në gjuhën zapoteke, u përkthye në spanjisht, u bë poezi, pastaj u kthye në mit.
Dikush më vonë tha
se “La Llorona” ishte një fantazmë që kishte mbytur fëmijët e saj. Një grua e
mallkuar që endej buzë lumenjve. Por kjo ishte një tjetër histori. Një trill i
bukur i dhimbshëm. Por jo i vërtetë.
E vërteta është se
Llorona apo Xhorona nuk mbyti askënd. Ajo priti. Ajo qau. Ajo dashuroi.
Kënga në eter
Sot, kur dëgjohet
“La Llorona”, në tingullin e saj vjen një jehonë që nuk është vetëm muzikë.
Është zëri i një gruaje që ende qan për një burrë që u largua për të mos u
kthyer. Është zëri i dashurisë që kaloi kufijtë e jetës, i një premtimi që u
mbajt edhe përtej vdekjes.
Dhe kur dikush,
diku, e këndon sërish këtë këngë, një grua në Oaxaca buzëqesh mes lotëve. Sepse
dashuria e saj nuk u harrua. U kthye në këngë. Në këngën që qan. Në këngën që
mbijeton.
“Ah! O Xhorona
ime… edhe nëse më kushton jetën, nuk do pushoj së të dashuruari.”
“La Llorona”
Kënga është
interpretuar nga shumë artistë të mëdhenj, përfshirë:
-Chavela Vargas,
si një nga versionet më të njohura dhe më emocionale. Ajo ia ka dhënë këngës
një jetë të re me zërin e saj të thellë dhe stilin karakteristik.
-Lila Downs, e ka
interpretuar “La Llorona” disa herë dhe e ka bërë të famshme në skenat
ndërkombëtare, shpesh në kontekste kulturore dhe festivale.
-Angela Aguilar
interpreton një nga versionet moderne të këngës. Ajo është shumë e vlerësuar
për zërin e saj të fuqishëm dhe të ndjeshëm.
Në filmin “Frida”
prodhuar në vitin 2002 përdoret në kolanën zanore, interpretuar nga Chavela
Vargas.
Ndërsa në filmin
“Coco” prodhuar në vitit 2017 kënga është pjesë e kolonës zanore. Në film e
këndon personazhi Mamá Imelda, dubluar nga Alanna Ubach në versionin anglisht
dhe Angélica Vale në versionin spanjisht.

No comments:
Post a Comment