“Nëse
Manhattan-i është mushkëria që merr frymë me shpejtësi, Shën Patriku është
rrahja e ngadaltë e zemrës që të kujton se njeriu ka nevojë edhe për ndalesa,
jo vetëm për nxitim.”
Në zemër të
Manhattanit, mes të zhurmës, trafikut dhe dritave që kurrë nuk shuhen, e mes
ndërtesave që prekin retë, qëndron Katedralja e Shën Patrikut, si një
kështjellë shpirtërore që i bën ballë kohës, ndryshimeve dhe zhurmës që rrethon
Qendrën e Qytetit, a si një ishull paqeje, shpirtërore dhe historie. E vendosur
në Avenunë e Pestë, midis Rrugëve 50 dhe 51, përballë Qendrës Rockefeller,
katedralja qëndron si dëshmi e qëndresës, besimit dhe identitetit të
emigrantëve irlandezë që e themeluan dhe si qendra shpirtërore e katolikëve të
metropolit…
…Si një turist
tranzitor a udhëtar i humbur në vorbullën e “Fifth Avenue”, mjafton të
kapërcesh pragun e këtyre portave të rënda prej bronzi për të ndjerë sesi pesha
e qytetit zhduket, duke u zëvendësuar nga një heshtje monumentale që të bën të
harrosh se jashtë njerëzit nxitojnë drejt të ardhmes. Për udhëtarin që vjen nga rrugët e mbushura
me xham dhe çelik, takimi me gurin e ftohtë dhe vjetërinë e katedrales është
një goditje e ëmbël për shqisat: Zhurma e sirenave dhe takat që përplasen mbi
asfalt zëvendësohen papritur nga jehona e lehtë e hapave mbi mermer dhe
pëshpërimat që humbasin në lartësinë e qemerëve. Sytë nuk ngopen duke ndjekur
vijat neogotike që ngjiten drejt tavanit, ndërsa drita që depërton përmes
xhameve të ngjyrosura (stained glass) vizaton mbi dysheme një hartë ngjyrash,
që duket sikur lidh tokën e zhurmshme me qetësinë e qiellit. Brenda këtyre
mureve, koha nuk matet me orët e shpejta të Wall Street-it, por me qirinjë që
digjen ngadalë, duke i ofruar çdo turisti një moment reflektimi, pavarësisht
besimit që ai mbart.
Historia
Ndërtimi i
katedrales, – mes viteve 1842-1864. – ishte ide e Arkiveshkvit John Hughes, i
njohur si “Dageri i Nju Jorkut”—një figurë që pa te kisha jo thjesht vendin e
lutjes, por edhe simbolin e qëndresës, identitetit dhe besimit të emigrantëve
irlandezë që po vendoseshin në Nju Jork. Guri i parë u vendos më 15 gusht 1858,
me qëllimin që kisha e re të ishte më e madhe, më e lartë dhe më madhështore se
kishat që kishin katolikët gjeri atëherë.
Arkitektura
Projektuesi i
katedrales, James Renwick Jr., ishte i frymëzuar nga katedralet gotike
evropiane, si Këlni, Amiens, dhe Reims. Ndërtesa u realizua në stil neogotik,
me:
-Harkada me majë,
që i japin lartësi dhe hijeshi.
-Harkore
fluturues, që përforcojnë muret dhe lejojnë që dritaret të zgjerohen.
-Dritare me qelq
me njolla, që pikturojnë dritën natyrore me ngjyrat e shenjtorëve, skenave
biblike, dhe figurave kishtare.
-Dy kulla 100
metra të larta, që qëndrojnë si dy majat që lartojnë katedralen nga mesi i
lagjes Manhattan.
Katedralja mund të
mbajë rreth 2,400 persona, duke qenë një nga katedralet më të mëdha katolike në
SHBA.
Materiali
Katedralja u
ndërtua nga mermari i Tuckahoe (Nju Jork) dhe Massachusetts, që i jep ndërtesës
një ngjyrë të bardhë që ndryshon me dritën, nga perla e ftohtë në agim, te e
arta nën rrezet e perëndimit. Brenda, katedrale ka:
-Një nef që arrin
60 metra gjatësi, me kolona që duken si trungje të larta që mbajnë qemerin.
-Një altar që
qëndron nën një baldekin gotik, i gdhendur me detaje të imta.
-Një organo
gjigande, që përdor rreth 9,000 tuba dhe që lëshon tinguj që jehojnë nga
qemeret e larta. I prodhuar nga organi G.W. Kimball (dhe i rinovuar nga firma e
njohur Aeolian-Skinner), organoa përdoren si për meshë, ashtu edhe për koncertet
që organizohen brenda katedrales. Tingulli i organos, që jehojë nën qemeret
gotike, i jep liturgjive një solemnitet unik, që prek thellë shpirtin e
besimtarit.
Atmosfera
Sapo hyn brenda,
zhurma e Qendrës Rockefeller dhe e Avenysë së Pestë venitet, sikur katedralja
formon një flluskë paqeje. Drita që depërton nga dritaret me mozaikë
multngjyrëshe krijon një atmosferë thuajse mistike, që i fton besimtarët dhe
vizitorët të reflektojnë, të luten, dhe të gjejnë qetësi. Por Katedralja e Shën
Patrikut nuk shquhet vetëm për arkitekturën e saj madhështore, por edhe për
veprat e artit që stolisin brendësinë e saj, që nga skulpturat, pikturat,
dritaret me njolla, e deri te orenditë liturgjike.
Dritaret me
ngjyra
Një nga elementët
më tërheqës që syri pikas sapo hyn brenda katedrales, janë dritaret me qelq me
njolla, që lartësohen përgjatë mureve. Ato u realizuan nga punishte të njohura
evropiane, si Charlyier & Lorin nga Chartres (Francë) dhe Nicholas & Co.
nga Birmingham (Angli). Dritaret paraqesin skena nga Bibla, jetët e
shenjtorëve, dhe simbolet e krishterimit, që, nën dritën që depërton nga
jashtë, i japin katedrales një atmosferë shpirtërore, gati mistike. Këto
dritareve i japin brendësisë një atmosferë evropiane mes rrokaqiejve amerikanë.
Skulpturat
Brenda katedrales
gjenden një sërë skulpturash të shenjtorëve, që qëndrojnë si roje shpirtërore.
Një nga më të shquarat është statuja e Zonjës Mari, e vendosur pranë Altarit të
Zonjës, që paraqet Virgjërën me Krishtin Fëmijë, gdhendur me mjeshtëri nga
mermeri i bardhë. Një tjetër skulpturë që tërheq vëmendjen është përmendorja e
Shën Patrikut, shenjtit mbrojtës të Irlandezëve, që qëndron pranë hyrjes, duke
bekuar besimtarët që hyjnë.
Pikturat dhe
relievet
Në brendësi,
katedralja ka edhe piktura që zbukurojnë muret e kapelave anësore. Disa syresh
paraqesin skena nga jeta e Krishtit, nga Lindja, Kryqëzimi, Ringjallja, dhe
Ngjitja. Relievet — gdhendje që dalin nga guri — zbukurojnë altaret, katedrën
dhe portat, duke pasuruar narrativën biblike që përshkon gjithë ndërtesën.
Altari i lartë
Një nga pikat
qendrore që tërheq vëmendjen sapo hyn, është Altari i Madh, i gdhendur në
mermer italian. Mbi të lartësohet një baldekin gotik, që i jep vendit të
shenjtë lartësinë dhe solemnitetin që i takon. Ky baldekin, i zbukuruar me
gdhendje të imta, figura shenjtorësh dhe majëzat karakteristike gotike, formon
një kornizë madhështore që rrethon Sakramentin e Shenjtë.
Kapela e Zonjës
Pas Altarit të
Lartë, qëndron Kapela e Zonjës, kushtuar Virgjërës Mari. Kjo kapelë, që u shtua
nga 1901-1906, përbën një nga perlat e katedrales. E zbukuruar me dritare me
njolla që paraqesin skena nga jeta e Zonjës, me skulpturën që qëndron mbi
altar, dhe me gdhendje që pasqyrojnë delikatesën, pastërtinë dhe rolin
ndërmjetës të Shën Mërisë, kapela shërben si vend për lutje, reflektim, dhe
paqe.
Roli sot
Sot katedralja
përdoret për mesha, pagëzime, dasma, dhe ceremoni mortore, por edhe si
destinacion turistik, që tërheq rreth 5 milionë vizitorë nga e gjithë bota çdo
vit. Ajo qëndron si një nga simbolet më të qëndrueshme të Nju Jorkut, që
pasqyron si besimin, ashtu edhe multiculturalizmin, që e karakterizon këtë
metropol.
Katedralja e Shën
Patrikut qëndron si një nga veprat më të mëdha të arkitekturës kishtare
neogotike në Shtetet e Bashkuara. Ajo përfaqëson një urë mes të shkuarës dhe të
ardhmes, mes traditës dhe modernitetit, mes besimit dhe jetës urbane që vrapon
pa pushim rrotull saj.
Shën Tereza e
Kalkutës
Brenda Katedrales
Shën Patriku, ekziston edhe një aneks i veçantë kushtuar Nënës Terezë – Shën
Terezës së Kalkutës – figurës që me veprën e saj humanitare u shndërrua në
ikonë të dhembshurisë dhe shërbimit ndaj të varfërve.
Nënë Tereza e
vizitoi Katedralen Shën Patriku disa herë, veçanërisht gjatë qëndrimeve të saj
në Nju Jork. Ajo u prit nga klerikët, besimtarët dhe nga kardinalë që shërbenin
atje, si shenjë respekti dhe nderimi për veprën e saj. Pas shenjtërimit të
Nënës Terezë, katedralja vendosi t’i kushtonte asaj një vend të veçantë, që
besimtarët të luteshin, të reflektonin dhe të nderonin figurën e shenjtores.
Aneksi i Nënës
Terezë qëndron në njërën nga kapelat anësore. Aty gjendet:
Një portret i
Nënës Terezë, që e paraqet me rrojen e saj karakteristike të bardhë me vija
blu.
Një relike (një
copë e veshjes që përdorte, p.sh. një pjesë e sarit) që i lejon besimtarët të
kenë një kontakt fizik me shenjtoren.
Një pllakë
përkujtimore, që shënon qëndrimin e saj, shërbimin dhe shenjtërimin nga Kisha
Katolike.
Aneksi i Nënës
Terezë ka një atmosferë paqeje, përulësie dhe reflektimi, që qëndron si një oaz
shpirtëror brenda lëvizjes dhe zhurmës që rrethon katedralen.
Njerëzit që vijnë
— besimtarë, turistë, kalimtarë — qëndrojnë para portretit, luten, ndezin
qirinj dhe gjejnë atje qetësinë që kërkojnë.
Nënë Tereza, si
figurë që gëzonte respekt universal, e ka vizituar Katedralen e Shën Patrikut
(St. Patrick’s Cathedral) disa herë gjatë qëndrimeve të saj në Nju Jork.
1976 – Vizita e
parë
Nënë Tereza ishte
ftuar nga autoritetet kishtare të Nju Jorkut dhe nga Kardinali Terence Cooke,
që në atë kohë ishte Arqipeshk i Nju Jorkut. Gjatë qëndrimit të saj, ajo mori
pjesë në meshën që u kremtua nga Kardinali Cooke në katedrale. Njerëzit u
mblodhën nga të gjitha anët e qytetit për të parë nga afër murgeshën që ishte
shndërruar në simbol të dhembshurisë.
1985 –
Ceremonia e nderit nga Presidenti Ronald Reagan
Nënë Tereza u
nderua nga Presidenti Ronald Reagan me Medaljen Presidenciale të Lirisë
(Presidential Medal of Freedom), si shenjë vlerësimi për shërbimin që i bënte
njerëzve më të varfër. Gjatë qëndrimit të saj, Nju Jorku organizoi edhe një
meshë falënderimi në katedrale, ku morën pjesë autoritete kishtare, politike,
si edhe qindra besimtarë. Nënë Tereza, me thjeshtësinë që e karakterizonte, u
lut që dashuria dhe shërbimi të mbizotëronin kudo.
1997 – Vizita e
fundit
Pak para vdekjes,
Nënë Tereza u kthye sërish në Nju Jork dhe kaloi nga katedralja. Edhe pse ishte
e dobët fizikisht, prania e saj u prit me nderim nga besimtarët. Ajo u ndal për
t’u lutur, për të bekuar turmat që ishin mbledhur, dhe për të lënë mesazhin që
dashuria, shërbimi dhe dhembshuria qëndrojnë përtej të gjitha ndasive. Kjo
ishte edhe lamtumira e saj me katedralen, vend që e nderoi si shenjtore që
ishte. Në Katedralen e Shën Patrikut, Nënë Tereza gjeti gjithmonë një shtëpi
shpirtërore, ku mesha, lutjet dhe prania e saj u bënë pjesë e historisë
kishtare të Nju Jorkut. Ajo qëndroi si një urë mes të varfërve dhe të pasurve,
mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, duke treguar që dashuria dhe shërbimi i të
dobëtit qëndrojnë në zemër të mesazhit të Krishtit.



No comments:
Post a Comment