Tuesday, January 20, 2026

“Beteja e Shinave”, lufta e heshtur e Rezistencës Franceze

 


Nga Leonard Veizi

Në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kinemaja franceze solli një nga veprat më të fuqishme dhe më të heshtura të kujtesës kolektive: “La Bataille du rail” e cila në shqip vjeBeteja e Shinave”, me regji të René Clément. Ky film nuk është thjesht një rrëfim lufte; ai është një monument i përulur i rezistencës civile, një elegji për heronjtë anonimë që vepruan larg frontit, në stacione të vogla, në tunele, në ndalesa pa emër.
Filmi përqendrohet te punëtorët e hekurudhave franceze, njerëz të zakonshëm që shndërrohen në nyje vitale të Rezistencës Franceze. Ata sabotuan transportet ushtarake gjermane, vonuan trenat, shkatërruan shina dhe komunikime, duke ndikuar drejtpërdrejt në suksesin e Pushtimit të Normandisë nga Aleatët. Lufta, këtu, nuk zhvillohet në fushëbeteja epike, por në gjeste të vogla, të rrezikshme dhe shpesh fatale.
Një nga veçoritë më domethënëse të filmit është përdorimi i punëtorëve të vërtetë hekurudhorë si aktorë. Kjo zgjedhje i dha veprës një autenticitet brutal: fytyrat nuk janë të stërvitura për kamerën, por të gdhendura nga puna, frika dhe përgjegjësia. Kamera e Clément-it nuk idealizoi, nuk sentimentalizoi. Ajo vëzhgoi, dokumentoi, ndoqi ritmin mekanik të trenave dhe ankthin njerëzor që fshihej pas tyre.
Një nga elementët më tronditës të Betejës së Shinave është besnikëria ekstreme ndaj realitetit. Skenat kyçe nuk u ndërtuan për kamerën, por u jetuan ashtu siç ndodhnin në luftë: pa efekte speciale, pa iluzione teknike. Treni që shkatërrohet në film ishte një tren i vërtetë, i hedhur realisht në luginë, duke e kthyer aktin filmik në një gjest pothuajse dokumentar. Edhe në skenat e betejës nuk ka simulim – municioni i përdorur ishte i vërtetë, sepse paradoksalisht, në Francën e sapodalë nga lufta, fishekët realë gjendeshin më lehtë sesa municionet bosh. Kjo zgjedhje e rrezikshme e Clément-it i jep filmit një tension të pakrijueshëm artificialisht: kamera nuk regjistron një spektakël, por një copë realitet të zhveshur nga çdo mbrojtje estetike.
Shpesh “Beteja e Shinave”është krahasuar me neorealizmin italian, por kjo lidhje është vetëm pjesërisht e saktë. Ndryshe nga dramat intime të De Sica-s apo Rossellini-t, filmi i Clément-it është më afër traditës dokumentare: struktura e tij kolektive, mungesa e një protagonisti të vetëm dhe theksi mbi veprimin e organizuar e afrojnë atë me kronikën filmike. Është një film ku individi shkrihet në trupin e rezistencës, ashtu si një shinë në rrjetin hekurudhor.
Suksesi i filmit në Festivalin e Kanës në vitin 1946 – ku fitoi Prix International du Jury dhe Çmimin për Regjinë më të Mirë – nuk ishte vetëm një vlerësim artistik, por edhe një akt simbolik. Franca e pasluftës po kërkonte rrëfime që të rindërtonin dinjitetin e saj moral, dhe “La Bataille du rail” ofroi pikërisht këtë: një histori ku heroizmi nuk bërtet, por punon në heshtje.
Shpërndarja e filmit në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949 e ktheu atë në një dëshmi ndërkombëtare të rezistencës evropiane, duke i kujtuar publikut amerikan se fitorja ndaj nazizmit ishte rezultat i një bashkëpunimi global, ku edhe punëtorët e hekurudhave kishin qenë ushtarë pa uniformë.
Dy bashkë-skenaristët e filmit, René Clément dhe Colette Audry, botuan skenarin e tyre të adaptuar në një roman tre vjet pas publikimit të filmit, në vitin 1949,
La Bataille du rail” është trasmetuar edhe në kinematë shqiptare si dhe në ekranin e televizionit zyrtar të para viteve 1990.
Sot, Beteja e Shinave mbetet një film thelbësor jo vetëm për historinë e kinemasë, por edhe për mënyrën se si arti mund të ruajë kujtesën e rezistencës. Ai na kujton se luftërat nuk fitohen vetëm me armë, por edhe me guximin e heshtur të atyre që dinë se një tren i ndalur në kohën e duhur mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

No comments:

Post a Comment