Virgjil Muçi
Me gjithë karrierën e gjatë në shtypin e shkruar, ma do
mendja që, Leonard Veizi skish për të krijuar dot një kuadër me aq ngjyra kaq
të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin të rikrijojë me prozën e vet
fiksionale dhe t’ia përcjellë lexuesit me katër tregimet e përmbledhura në
vëllimin “Treni i fundit i metrosë”. Dhe pas këtij konstatimi nuk ka kurrfarë
truku sugjestionues, siç jemi mësuar të akuzohen shpesh e më shpesh
shkrimtarët, përkundrazi, kemi të bëjmë me një aftësi sipërore të shpalosjes së
realitetit në dy rrafshe (çka e kryen përditë e përciptazi në media) dhe, atë
shpirtërore, të brendshëm, të cilin mund ta perceptoje rrokë syri i regjur i
shkrimtarit, që përpos të tjerash ka dhe veglat e duhura për t’ia përçuar siç
lypset lexuesit. Në të katër mozaikët e krijuar prej Veizit para syve tanë
vijnë e shpalosen më së miri fragmente nga realiteti i Shqipërisë së sotme në
të dy dimensionet e sipërpërmendura.
Duke perifrazuar shprehjen e një kritiku letrar do të
thoshim se, pikërisht në çastin kur duket sikur nuk na ka mbetur gjë pa u thënë
e stërthënë rreth Dashurisë, vjen e na shfaqet ky libër i shkruar me thjeshtësi e qartësi shembullore, i cili
na shpalos para syve një botë të larmishme ndjenjash e pasionesh, shpesh të
ndrydhura prej moralesh dhe kulturash zanafillëse, në dukje anakronike, për të
mos thënë primitive, të shfytyruara nga fantazmat e historisë që rëndojnë edhe
sot e gjithë ditën mbi shpirtrat e njerëzve me tërë peshën dhe tragjicitetin e
së kaluarës. Çka thamë ka të bëjë edhe me
faktin se tregimet e këtij vëllimi (e kam fjalën për dy tregimet e para të
këtij libri) ngjizen e lazmohen prej kësaj ndjenje parake mes qenieve
njerëzore. Dashuria nuk këqyret thjesht si një marrëdhënie vetjake mes një
çifti njerëzish, por si një raport në tërë kompleksitetin e vet e vet, që
shpalos e pasqyron veset e virtytet e mbarë një shoqërie, evoluimin dhe
evoluimin, mundësitë dhe moralin e saj. Ç’është e vërteta, suaza e ndërtuar
prej autorit shpesh është më e gjerë dhe e koklavitur se kaq, sidomos në ato
raste, kur mbrapa personazheve na shfaqen me gjithë dritë-hijet e veta, botë të
ndryshme, paradigma të të cilave ata shndërrohen ngandonjëherë krejt në mënyrë
të pavetëdijshmes. Parë nga ky këndvështrim, një domethënie të veçantë shkon e
merr tregimi “Treni i fundit i metrosë”, ndoshta i vetmi në të gjithë vëllimin
që rrok e ngërthen në vetvete substancën lëndore e shpirtërore të një romani,
por kjo nuk ka dhe qa rëndësi sesa fakti
që te ky tregim shohim në mënyrë të plotë e domethënëse gjedhen e asaj çka
shprehëm pak më lart. Të dashurosh do të thotë të eksplorosh pra shpirtërisht e
fizikisht botën e partnerit tënd, por kur të dashuruarit vijnë nga botë që në
thelb u përkasin kulturave të ndryshme, atëherë eksplorimi përfiton dimensione
të tjera dhe shtjellohet jo më në një e dy por në disa rrafshe. Kjo gjë shkon e
ndodh mes Inës dhe protagonistit anonim në tregimin “Pas shfaqjes”. Edhe pse
dashuria e tyre në dukje nuk njeh kufi, madje i shpërfill përbuzshëm, pak nga
pak, ata të dy bëhen të vetëdijshëm që, mjafton një truk letrar si ai i
emocioneve që ngjall një shfaqe teatrore, “Romeo e Zhuljeta” që marrëdhënia e
tyre e mrekullueshme të leskërohet për t’u shpërbërë e shndërruar në hiç. Edhe
pse tregimi ka një fund “tragjik” dhe një dozë të trishtime fataliteti,
gjithsesi te jep të kuptosh se vetëm Dashuria, ajo e mirëfillta, e pakushtëzuar
prej asgjëje veç prej ndjenjës në trajtën e vet të kulluar mund të mposhtë
vetveten e të ekzistojë.
No comments:
Post a Comment